Kërko

Papa: të shumta, pabarazitë në trajtimin mjekësor

Kultura e vëllazërimit është ilaç kundër virusit shoqëror të individualizmit e të indiferencës. Kështu Papa, në videomesazhin drejtuar Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me rastin e webinarit “Dita Botërore e të Sëmurit: kuptimi, objektivat e sfidat”

R.SH. – Vatikan

“Virusi shoqëror” i pabarazive në fushën e shëndetësisë shërohet vetëm përmes ilaçit të kulturës së vëllazërimit, bazuar në vetëdijen se të gjithë jemi të barabartë, bij të të njëjtit Atë. Ky është mendimi i shprehur nga Papa Françesku në videomesazhin drejtuar Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me rastin e webinarit “Dita Botërore e të Sëmurit: kuptimi, objektivat e sfidat”.  Ati i Shenjtë rendit “patologjitë, që kërcënojnë njerëzimin dhe botën”:

“Individualizmi dhe indiferenca ndaj të tjerëve janë forma egoizmi, që, për fat të keq, amplifikohen në shoqërinë e mirëqenies konsumiste dhe të liberizmit ekonomik; e pabarazitë që pasojnë shihen edhe në fushën e shëndetësisë, ku disa gëzojnë të ashtuquajturën ‘ekselencë’, ndërsa shumë të tjerë vështirë të kenë edhe trajtimin bazë”.

Sëmundja, fenomen global

 Koha e pandemisë, kujton Papa, “po na mëson ta shikojmë sëmundjen si fenomen global e jo vetëm individual”. Çdo i sëmurë është i veçantë, me dinjitetin e brishtësinë e vet, prandaj, nënvizon Ati i Shenjtë, duke ndjekur shembullin e shenjtorëve, duhen shëruar së bashku si plagët e trupit, ashtu edhe ato të shpirtit.

“Është i gjithë njeriu që ka nevojë për kujdes: trupi, mendja, ç’ka më të dashur, liria dhe vullneti, jeta shpirtërore... Trajtimi nuk mund të ndahet në pjesë; sepse nuk mund të ndahet qenia njerëzore. Në mënyrë paradoksale, ne mund të shpëtojmë trupin dhe të humbasim njeriun”.

Vuajtja e dashuria e Krishtit

Papa Françesku përmend shembullin e shën Gjon Palit II, që e ktheu sëmundjen e vet në dashuri për Krishtin e për Kishën, duke dëshmuar se vuajtja e Birit të Zotit e shëlbon vuajtjen njerëzore. Ati i Shenjtë vë në dukje impenjimin e Kishës me strukturat e saj shëndetësore, sidomos në vendet më pak të zhvilluara, e me kongregata, që i kushtohen veçanërisht shërbimit për të sëmurët. Pastaj, u drejtohet të sëmurëve, familjarëve të tyre, mjekëve, infermierëve, farmacistëve, kapelanëve spitalorë, rregulltarëve e vullnetarëve:

“Të gjithë këtyre njerëzve u siguroj lutje, që Zoti t’u dhurojë aftësinë për t’i dëgjuar të sëmurët, për të pasur durim me ta, për t’u kujdesur për ta në të gjitha aspektet, trup, shpirt e marrëdhënie”.

Dita e 30-të Botërore e të Sëmurit, me temë “Të jeni të mëshirshëm, ashtu siç është i mëshirshëm Ati juaj” kremtohet nesër, 11 shkurt, në festën liturgjike të Zojës Lurdë. Në orën 10, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, do të kremtohet një meshë e kryesuar nga kardinali Peter Turkson, ish-prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në praninë e të sëmurëve, të punonjësve socialë dhe shëndetësorë, asistentëve dhe vullnetarëve. Webinari i sotëm, 10 shkurt, nga ora 15.00 deri në orën 17.30, përshkoi historinë e kësaj Dite Botërore, themeluar nga shën Gjon Pali II, duke nënvizuar rëndësinë e mesazhit të saj.

10 shkurt 2022, 15:13