Kërko

Papa: vdekja duhet pranuar, nuk duhet shpejtuar, as ndër pleq

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, kushtuar Shën Jozefit, Pajtor i “vdekjes së mirë”, Françesku falënderon Zotin për përparimin e mjekësisë lidhur me “mjekimet paliative”, që e shoqërojnë njeriun “në fund të jetës”. Kujton, më pas, se eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar janë “ të papranueshme”: “Jeta është e drejtë, jo vdekja!”.

R.SH. - Vatikan

Shën Jozefi është edhe pajtor i vdekjes. E na kujton “se jeta është e drejtë, jo vdekja! Vdekja duhet pranuar, nuk duhet shpejtuar. Është parim etik për të gjithë, jo vetëm për të krishterët a besimtarët”. Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e njëzetë të audiencës së përgjithshme çasteve të fundit të jetës së atit tokësor të Krishtit, ndonëse në Ungjijtë nuk përmenden  fare. Nuk përmenden, por nënkuptohet se në çastet e fundit Shën Jozefi duhet të ketë pasur pranë Virgjërën Mari e Jezusin, që duhet ta kenë përcjellë me shumë dashuri në jetën e pasosur.

Po, mjekimeve dhembjelehtësuese, jo ndihmës për vetëvrasje

Papa nënvizon, më tej, se duhet t’i shprehim mirënjohjen tonë mjekësisë që “përmes mjekimeve paliative” apo dhimbjelehtësuese, ndihmon të jetohet hapi i fundit në rrugën e jetës “në mënyrë sa më njerëzore”, por pa  e ngatërruar këtë ndihmë me devijimet, edhe ato të papranueshme, që  çojnë në vrasje. Duhet ta shoqërojmë njeriun drejt vdekjes, por jo t’ia shkaktojmë vdekjen! E as ta ndihmojmë të niset për në botën tjetër përmes formave të ndryshme të vetëvrasjes. Është e pëlqyeshme e drejta për t’u mjekuar deri në fund të fundit. E drejtë, që duhet ta gëzojnë të gjithë, në mënyrë që njerëzit më të ligshtë, ashtu si të moshuarit, të mos  shikohen kurrë si të tepërt në udhët e jetës.

Benedikti XV: Jozefi, pajtor i njerëzve në agoni

Françesku kujtoi edhe se Papa Benedikti XV, një shekull më parë, në Motu proprion Bonum sane të vitit 1920, inkurajonte praktikat e përshpirtshme  për nder të Shën Jozefit, përmes të cilave shkojmë tek Maria e, përmes Saj, tek Jezusi. Këshillonte posaçërisht njërën: “Mbasi ai njihet si pajtori më i zgjedhur i njerëzve në çastin e mbramë, me që dha shpirt në duart e Jezusit e të Marisë, do t’i  nxisë barinjtë t’i favorizojnë ato shoqata, që u themeluan për ta lutur Shën Jozefin t’i ndihmojë njerëzit në fill të mortjes,  me lutje si “Për një vdekje të mirë”; “Për kalimin e Shën Jozefit në jetën tjetër” dhe “Për ata, që janë duke dhënë shpirt”.

Benedikti XVI “para portës së errët të vdekjes”

E nëse ndokush mendon se “kjo mënyrë e të folurit e kjo temë kanë të bëjnë me të kaluarën, duhet të kujtojë mirë se marrëdhëniet tona me vdekjen nuk i përkasin kurrë së kaluarës. Janë gjithnjë aktuale. I përkasin së sotmes, për secilin prej nesh” - kujtoi Françesku, duke lënë mënjanë tekstin e përgatitur, për të kujtuar Benediktin XVI, Papën e nderit, që kohët e fundit, duke folur për vetveten, pohoi: “jam para portës së errët të vdekjes”. Si e falënderoi për këshillën e mirë dhe kthjelltësinë e mendjes, kujtoi se të gjithë, të rinj a pleq, ecim pikërisht drejt asaj porte. E nuk dihet kurrë kush shkon i pari. Mosdije, që populli e shpreh me fjalën e urtë: “Sa qingja shkojnë para deshësh”, e cila na kujton se askush nuk e di ditën as çastin kur vdekja do t’i trokasë te porta:

“E ashtuquajtura kulturë ‘e mirëqenies’ kërkon ta harrojë se ka kund vdekje, por pandemia e vuri përsëri dramatikisht në dukje. Dukje e tmerrshme, me vdekjen që endej  kudo e me një mori vëllezërish e motrash që humbën të dashurit, pa pasur as mundësinë t’u rrinë tek koka në çastin e mbramë. Gjë që e bëri edhe më të rëndë pranimin e portës së errët të vdekjes”.

Feja ndihmon për përballimin e frikës nga vdekja  

Papa nënvizoi se sot “kërkohet në të gjitha mënyrat të largohet mendimi  i fundit tonë, duke besuar se kështu shpëtohet nga pushteti i vdekjes e nga frika e saj. Feja e krishterë  nuk është mënyrë për ta ezorçizuar  frikën nga vdekja - pohoi Papa - por ndihmon shumë për t’i bërë ballë, për ta ndriçuar misterin e vdekjes me dritën që buron nga ngjallja e Krishtit, “dritë që ndriçon misterin e “portës së errët”.

Papa kujtoi edhe se Shën Pali, në Letrën drejtuar Korintianëve, i kritikon ata që thonë se të vdekurit nuk ngjallen kurrë më, duke pohuar: “Nëse nuk ekziston ngjallja prej të vdekurve, as Krishti nuk u ngjall! Por nëse Krishti nuk u ngjall, atëherë i kotë është predikimi ynë dhe e kotë, feja jonë”.

Ngjallja e Krishtit na ndihmon ta shikojmë jetën me sy të rinj

Kështu - ripohoi Françesku - “vetëm nga besimi në ringjalljen, ne mund të shkojmë pa frikë deri në zgrip të greminës së vdekjes. E mund të mendojmë për vdekjen, të ndriçuar nga misteri i Krishtit, gjë që na ndihmon ta shikojmë me sy të rinj gjithë jetën:

“Nuk kam parë kurrë pas karrocës që mbart të vdekurin, edhe ndonjë karro të ngarkuar me  plaçka! Nuk ka pikë kuptimi të grumbullosh, duke e ditur se një ditë do të vdesësh. Çka duhet grumbulluar, është dashuria e krishterë, aftësia për të ndarë bashkë, për të mos qëndruar indiferentë para nevojave të të tjerëve! Ose, ç’kuptim ka të grindesh me tënd vëlla, me tënde motër, me një mik, me një familjar, ose me vëllain a motrën në fe, nëse pastaj, një ditë do të vdesësh? Përballë vdekjes shumë çështje ridimensionohen. Është gjë e mirë të vdesësh i pajtuar, pa ankime e lot”.

Imoral, teprimi terapeutik

Nëse Ungjilli na thotë - vijoi Papa - “se vdekja  arrin si hajdut”, sadoqë të mundohemi ta mbajmë nën kontroll, “edhe duke u munduar ta programojmë vdekjen tonë”, mbetet ngjarje, me të cilën duhet t’i bëjmë mirë llogaritë. Ne të krishterët kemi dy rrugë, për ta përballuar çastin vendimtar. Rruga e parë përshkruhet dhe në Katekizmin e Kishës Katolike:

“Nuk mund ta shmangim vdekjen, e pikërisht për këtë, pasi të kemi bërë gjithçka është e mundur për ta mjekuar njeriun e sëmurë, duhet ta shikojmë si imoral ngulmimin terapeutik”.

Sa urti - kujtoi më pas Françesku - ka në shprehjen e popullit besnik të Zotit: “Lërëni të vdesë në paqe!”. Ndërsa mendimi i dytë ka të bëjë  me vetë vdekjen, me dhimbjen, vuajtjen:

“Duhet të jemi mirënjohës për ndihmën që përpiqet të na japë mjekësia e cila, përmes ‘mjekimeve paliative’ përpiqet që çdo njeri të mund ta bëjë në një mënyrë sa më njerëzore hapin e fundit në udhën e jetës. Duke qenë shumë të vëmendshëm për të mos e ngatërruar këtë ndihmë me devijimet, edhe ato të papranueshme, që çojnë në vrasje. Duhet ta shoqërojmë njeriun drejt vdekjes, jo t’ia shkaktojmë vdekjen a ta ndihmojmë në çfarëdo lloj forme, të vrasë veten”.

Jeta është e drejtë, jo vdekja

Prej këndej, duhet përzgjedhur gjithnjë e drejta e mjekimit e mjekimi për të gjithë, në mënyrë që më të ligshtit, posaçërisht të moshuarit e të sëmurët, të mos skartohen kurrë. Sepse:

“Jeta është e drejtë, jo vdekja, të cilën duhet ta pranojmë, por jo ta shkaktojmë. E ky parim etik është për të gjithë, jo vetëm për të krishterët a për besimtarët”.

Çnjerëzore ta shpejtosh vdekjen e të moshuarve me mjete të pakta

Këtu Françesku e la mënjanë fjalimin e përgatitur e shtoi ca fjalë, që nënvizuan fort një nga problemet e mprehta shoqërore: “shpejtimin e vdekjes së të moshuarve”, posaçërisht atyre, që kanë pak mjete  ekonomike për të jetuar një jetë të denjë:

“U japin më pak ilaçe, në krahasim me ato, për të cilat kanë nevojë, e kjo është çnjerëzore; kësaj nuk i thonë të ndihmosh, kësaj i thonë ta shtysh tjetrin drejt vdekjes. E kjo nuk është as njerëzore e as e krishterë. Pleqtë  duhen mjekuar si thesar i njerëzimit; janë urtia jonë njerëzore. Të ledhatosh një plak a një plakë, është si të ledhatosh një fëmijë, sepse si fillesa, ashtu edhe fundi i jetës, janë mister, gjithnjë, mister që duhet respektuar, duhet shoqëruar, duhet mjekuar. Duhet dashur”.

Lutja përfundimtare për njerëzit në agoni dhe familjarët

Pastaj, si zakonisht, lutja:

“Shën Jozefi i ndihmoftë njerëzit

në prag të portës së errët,

ta jetojnë shenjtërisht

misterin e vdekjes!

Një vdekje e mirë

është përvojë e mëshirës së Zotit,

që e kemi pranë edhe në këtë çast

në fund të shtegtimit mbi tokë”.

Në përfundim Papa kujtoi se në këto çaste, tejet prekëse, mund të na ndihmojë shumë edhe një “Të falem Mari” që, si e dimë, përfundon me fjalët “Shenjtja Mëri, Nëna e Tënzot, lutu për ne, tash e në fillë të mortjes sonë”.

09 shkurt 2022, 13:15