Kërko

Papa me anëtarët e Shoqatës "Voir Ensemble" Papa me anëtarët e Shoqatës "Voir Ensemble" 

Papa: ta shikojmë botën me sytë plot dashuri të Krishtit

“Voir Ensemble” është emri i Shoqatës, lindur në Francë, në të cilën bëjnë pjesë shumë njerëz të verbër ose miopë, “që duan të ecin së bashku për ta jetuar vëllazërisht gëzimin e Ungjillit”. Papa priti me mirënjohje një grup prej tyre, shtegtarë në Romë. Krishti nuk shikon me sy, por me zemër - u kujtoi - me zemrën, që hapet plot dashuri e vëllazërim e që shikon shumë përtej dukjes së sendeve.

R. SH. - Vatikan

Duke u takuar, sot paradite, në Sallën Klementine, me anëtarët të Shoqatës Voir Ensembe (Të shikojmë së bashku), ardhur në Romë si shtegtarë, Papa u propozoi episodin e takimit të Krishtit me të verbërin.

Jezusi ëshë kundër paragjykimeve

Në fragmentin e Ungjillit sipas Gjonit, tregohet se Jezusi, si arriti te pishina e Siloes, së bashku me dishepujt e tij, pa një burrë që kish lindur i verbër. Me këtë sy e shikonin njerëzit. Po Jezusi pa në të “një vëlla, që kishte nevojë të çlirohej”. Gjëja e parë mbi të cilën duhet t’i ngulim sytë tanë - vërejti Papa - është shikimi i Jezusit. Shikim që “fton për takim , për aksion, për dashuri, për vllazërim”. Kështu shikojnë sytë e Krishtit. Ndërsa dishepujt, nën ndikimin e kulturës së kohës, shikojnë ndryshe. E jo vetëm shikojnë, por edhe gjykojnë e i përjashtojnë njerëzit në këto kushte, duke i shikuar si fryt i mëkatit. Paragjykim, ky, që Jezusi nuk e pranon kurrsesi. Papa e komentoi, duke e lidhur ngjarjen me të sotmen:

“Kultura jonë pohon se njerëzit janë të denjë për interesim, duke u nisur nga pamja e tyre fizike, nga veshjet e tyre, nga shtëpitë e tyre të bukura, nga veturat e luksit, nga pozitat shoqërore, nga pasuritë e tyre. Po Ungjilli na mëson edhe sot e kësaj dite se njeriu i sëmurë ose i gjymtuar, duke u nisur nga brishtësia e tij apo nga kufizimet e tij, mund të jetë në zemër të takimit: takimit me Jezusin, që ia hap sytë për jetën e fesë e që mund të krijojë marrëdhënie vëllazërore e solidare, në Kishë e në shoqëri”.

Nuk duhet ta shikojmë me indiferencë dhimbjen e vëllezërve

Vërejtja e dytë lidhet me sjelljen e Jezusit përballë njeriut, që rri pranë pishinës. Françesku nënvizoi se zemra e tij “nuk mund të rrinte indiferente përballë vuajtjes”. Jezusi e shëron të verbërin e lindur e na fton edhe ne  të bëjmë të njëjtën gjë, domethënë, “të ngushëllojmë, t’i lehtësojmë e t’i mjekojmë plagët e vëllezërve tanë”. Papa  kujtoi figurën e Kishës parë si “spital fushor” dhe të gjithë ata, që kanë nevojë për një dorë të shtrirë drejt tyre.

Jezusi na mëson ta shikojmë me sy të rinj botën dhe njerëzimin

Papa Françesku nënvizoi, më pas, një paradoks: i verbëri i lindur, pas takimit me Jezusin, rifiton dritën e syve e bëhet dëshmitar i dashurisë së Tij, ndërsa ata, që e kanë dritën e syve, pavarësisht nga takimi me Jezusin, mbeten të verbër. E citon një frazë të Saint-Exupéry, shkëputur nga libri “Princi i vogël”: “Nuk shihet mirë ndryshe, veçse me zemër. Themelorja nuk shihet me sy”. E më pas Papa vijoi:

“Të shikosh me zemër, do të thotë ta shikosh botën dhe vëllezërit tanë me sytë e Zotit. Jezusi na fton ta rinojmë mënyrën si i shikojmë njerëzit e gjërat. Na propozon një shikim gjithnjë të ri të lidhjeve tona me të tjerët, posaçërisht me familjen, me ligështitë tona, me sëmundjen e me vdekjen.  Na fton ta shikojmë gjithë këtë me sytë e Zotit! Feja nuk kufizohet në një seri besimesh teorike, traditash e zakonesh. Ajo është lidhje e udhë në ndjekje të Krishtit, që e përtërin mënyrën si i shikojmë botën e vëllezërit”.

Ta dëshmojmë Jezusin me mikpritje e zemër të hapur

Duke ndjekur shembullin e të verbërit të lindur, edhe ne - pohoi akoma Papa - jemi të thirrur ta dëshmojmë Jezusin në jetën tonë me stilin e mikpritjes e të dashurisë vëllazërore. Françesku i inkurajoi anëtarët e shoqatës të vijojnë rrugën e nisur “duke shkuar së bashku” - “voir ensemble’ me zemër, duke e lënë Jezusin të prijë. Sepse vetëm Ai mund ta çlirojë zemrën e njeriut “nga mbyllja e nga ngurtësia, e ta hapë për jetën e për shpresën”.

19 shkurt 2022, 14:18