Papa, në dialog online me universitarët e kontinentit amerikan, “për të ndërtuar ura”
R.SH. – Vatikan
Për një orë e një çerek, të rinj nga Amerika Veriore, Jugore dhe Qendrore – studentë, por edhe migrantë, - do të mblidhen së bashku me Papën, të enjten, më 24 shkurt, në orën 19.00, për të diskutuar online, sipas stilit “sinodal”, mbi arsimin, migracionin, qëndrueshmërinë e ambientit, drejtësinë ekonomike, zhvillimin e gjithanshëm njerëzor. Takimi virtual organizohet nga Departamenti i Teologjisë i Universitetit Loyola (shkolla e lartë prestigjioze e jezuitëve në Çikago), në bashkëpunim me Komisionin Papnor për Amerikën Latine, me Institutin e Studimeve Baritore dhe me Qendrën Hank për Trashëgiminë Intelektuale Katolike.
Të ndërtohen ura
Të ndarë në katër grupe rajonale, të rinjtë do t’i paraqesin Papës projektet dhe punimet e tyre dhe do të bëjnë pyetje për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, të brezit e të jetës së tyre. Françesku do t’u përgjigjet dhe do t’i ndihmojë të “ndërtojnë ura”, siç është tema e nismës, që praktikisht, synon dialogun ndërmjet atyre, që kanë kapërcyer kufij gjeografikë, kulturorë dhe shoqërorë, për projekte, të cilat krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme mirëkuptimi, dhembshurie, urtie.
Cuda: Papa, entuziast për dialogun me të rinjtë
Përshëndetjet fillestare i janë besuar kardinalit Blaise Cupich, kryeipeshkëv i Çikagos dhe teologes argjentinase Emilce Cuda, emëruar pak ditë më parë sekretare e Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Pikërisht ajo ka meritën e përfshirjes së Papës në këtë nismë rinore. Vetë profesoresha pohon për Vatican News: “Kolegët e Loyola-s më ftuan të mbaja një konferencë për të rinjtë mbi sinodalitetin. Pastaj më thanë ‘pse nuk e fton Atin e Shenjtë?’. Më dukej çmenduri, por u mendova dhe e ftova Papën Françesku. Ai është shumë i lumtur dhe i emocionuar të bisedojë me ta”.
Ideja e Komisionit për Amerikën Latine është krijimi i një rrjeti panamerikan, ku të përfshihen edhe mijëra katolikët e migruar në SHBA-të, me problemet dhe nevojat e tyre. Është i nevojshëm një kontribut akademik, shkencor, teknologjik, për të trajtuar fenomenin e migracionit. “Papa do të dialogojë me këta studentë universitarë, duke diskutuar me ta projekte konkrete edukative, që synojnë shndërrimin e drejtë të realiteteve ambientale dhe ekonomike me drejtësi”, shpjegon Emilce Cuda. “Për shembull, Amerika Latine vuan nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, por, duke pasur parasysh ndryshimet ekologjike, për të vazhduar të jetojë me këto burime, nevojiten makineri. E kjo bëhet e mundur duke hyrë në rrugën e tranzicionit të drejtë. Problemi është se universiteteve vendase shpesh u mungojnë mjetet shkencore-teknologjike; por, nëse bashkëpunojnë me universitetet amerikanoveriore, mund të ketë një shpresë për Amerikën Latine, si edhe për universitarët nga kontinente të tjera, që mund të marrin përsipër më shumë përgjegjësi dhe mund t’i zgjerojnë projektet e tyre”.