Kërko

Papa, grave të kushtuara: përpara në mision, luftoni kur ju trajtojnë padrejtësisht

Papa Françesku ia kushton videomesazhin për muajin shkurt grave rregulltare e laike të përkushtuara. E i falënderon për të mirën “e madhe” që bëjnë në botë: “Vijoni të punoni për të varfrit, të shtypurit e për ata që skllavërohen nga trafikantët”. Më pas, inkurajimi për të mos lejuar “të trajtohen si shërbëtore” edhe nga ana e “meshkujve të Kishës”

R.SH. - Vatikan

Mbi të gjitha, falënderimi për veprën shumëformëshe të së mirës, që bëjnë në të gjitha skajet e botës si katekiste, teologe, shoqëruese shpirtërore. Më pas, në videomesazhin me ndjetet e lutjes për muajin shkurt që u kushtohet, Papa Françesku i inkurajon rregulltaret dhe laiket në misionin e tyre ndërmjet të varfërve, të shtypurve, të skllevërve të rinj. E nuk mungon as qortimi! Papa i porosit gratë e kushtuara të mos lejojnë që “shërbimi i tyre” i madh të shndërrohet në “skllavëri”. E nganjëherë edhe nga meshkujt e Kishës”:

“Këtë muaj ftohemi për t’u lutur në mënyrë të posaçme për gratë rregulltare e të kushtuara Zotit. Si do të ishte Kisha, pa rregulltaret e pa laiket e kushtuara? Nuk mund të kuptohet Kisha pa to!”.

Dita për jetën e kushtuar: të thirrura për t’u bërë Kishë sinodale

Në prag të Ditës botërore të Jetës së kushtuar, Françesku, në filmimin e përhapur nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, përkthyer në 23 gjuhë e  përhapur në 114 vende, nxit lutjen për gratë e kushtuara, “që të mund të gjejnë përgjigje të reja përballë sfidave të kohëve tona”:

“I nxis të punojnë me e për të varfrit, të braktisurit, me të gjithë ata, që skllavërohen nga trafikantët. U kërkoj të përqendrohen posaçërisht mbi këtë”.

Ftesë për të luftuar kundër padrejtësive

Prej këndej, falënderimi për “guximin” e nxitja  për “të treguar bukurinë e dashurisë dhe të mëshirës së Zotit” në detyrat e ndryshme që kryejnë. Detyra, të cilat janë gjithnjë "shërbim"- "shërbim i madh" në Kishë, nga i cili nuk duhet përfituar:

“I ftoj të luftojnë, kur në disa raste, trajtohen padrejtësisht edhe brenda Kishës; kur shërbimi i tyre, tejet i madh, shndërrohet në skllavëri. E nganjëherë, nga meshkujt e Kishës!”.

Fjalë, që vënë dukje problematikën, për fat të keq të rrënjosur e të përhapur, të shpërdorimit të pushtetit e të ndërgjegjes, denoncuar nga shumë rregulltare. Ato pohojnë se ishin e vijojnë të jenë viktima. E denoncojnë situatën e rëndë në të cilën katandisen rregulltaret aktive në kuvendet që u përkasin a të punësuara ndër institucione e banesa private, nganjëherë të prelatëve, shoqëruar me ankimin për simptoma lodhjeje të padurueshme.

Larg çkurajimit

Ipeshkvi i Romës u jep sot zemër të gjithave…:

“Të mos e humbasin guximin, por të vijojnë ta bëjnë të njohur mirësinë e Zotit përmes veprave të tyre apostolike. E, posaçërisht, përmes dëshmisë së kushtimit! “Faleminderit për çka jeni, për çka bëni e për mënyrën si e bëni”.

Fytyra e histori

Të shumta e domethënëse, figurat që shikojmë njëra pas tjetrës, shoqëruar me zërin e edhe me pamjen e Papës, regjistruar në Shtëpinë e Shën Martës.    Pasojnë njëra-tjetrën në më se dy minuta video, botuar këtë muaj me ndihmën dhe bashkëpunimin e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme(UISG), ku bëjnë pjesë më se 1900 kongregata rregulltare. Nga Japonia - në Nairobi, nga Italia –-në Mianmar, me fotogramën e famshme  të Motër Ann Rose Nu Tawwng në gjunjë para ushtarakëve – videoja e realizuar në bashkëpunim me Uisg - tregon  veprimtaritë e kryera nga rregulltaret në të pesë kontinentet. Ndër shkolla, spitale, famulli, shtëpi, pyje; në fshatra ku mungojnë buka e ilaçet, ndërmjet migrantëve, pranë të papunëve, në ndihmë të viktimave të trafikut. Pa harruar kontributin e madh intelektual e qytetar që japin gratë e kushtuara ndër universitete, në takimet ndërkombëtare të rangut të lartë për mjedisin, ku marrin pjesë, ose në veprimtaritë e ndërmjetësimit në situata krize politike.

Motër Kafka, kryetare e Uisg: “Të frymëzuara nga Papa”

Mbi bazën e statistikave botuar nga Agjencia Fides në vitin 2021, në mbarë botën numërohen 630 mijë rregulltare. Françesku e kërkon me forcë  praninë e tyre në Kishë. “Si rregulltare e ndjejmë veten shumë të mbështetura e të nxitura nga Papa Françesku, si në jetën tonë komunitare, ashtu edhe përballë sfidave, që duhet t’i përballojmë në misionin tonë”-  pohon motër Jolanta Kafka, kryetare e UISG, duke folur për Videon e Papës. “Si Uisg, e ndjejmë fort përgjegjësinë për t’iu  përgjigjur fjalëve të Papës duke vijuar me guxim e gëzim misionin tonë, për të dëshmuar bukurinë e përkushtimit: dhurimin e vetvetes për Mbretërinë, sipas shembullit  të Jezusit”.

Atë Fornos: “Vlera e rregulltareve është e pallogaritshme”

Nga ana e tij atë Frédéric Fornos S.J. Drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, thekson: “Është e pallogaritshme ndihmesa që  qindra mijëra rregulltare dhe gra të kushtuara i japin jetës dhe misionit të Kishës në botë. Jam formuar nga rregulltaret e kam punuar me shumë prej tyre, ashtu si edhe me disa gra të kushtuara në veprimtari baritore, edukative, shoqërore, për t’iu përgjigjur sfidave të botës së sotme. Ky muaj - shton jezuiti – është rast i mirë për ta njohur më nga afër misionin e tyre në Kishë e në sfidat e kohëve tona”.

01 shkurt 2022, 16:12