Kërko

Siguria në Vatikan, Papa: të garantohet me stil, durim e dinjitet për të gjithë

Në pritje të anëtarëve të Inspektoratit të Sigurisë Publike, Papa u drejtoi fjalë vlerësimi dhe mirënjohjeje të gjithë atyre që janë përfshirë në ruajtjen e rendit publik, në bashkëpunim me xhandarmërinë: kushtojini vëmendje të vazhdueshme dinjitetit të çdo njeriu, puna juaj favorizon takimin e shumë njerëzve me Jezusin

R.SH. - Vatikan

Vlerësim e mirënjohje për shërbimin e vigjilencës, që kryejnë çdo ditë në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan: këtë u shprehu Papa Françesku drejtuesve dhe personelit të Inspektoriatit të Sigurisë Publike pranë Vatikanit, të cilët i priti sot në audiencë për shkëmbimin e urimeve të Vitit të Ri.

Papa Françesku iu drejtua shefit të policisë, prefektit, drejtuesve, zyrtarëve dhe agjentëve të Inspektoratit të Sigurisë Publike që kryen shërbimin në Vatikan. Ku takimi është një rast, tha Ati i Shenjtё Bergoglio, për t'u shprehur të gjithëve "vlerësimin e falёnderimin tim" duke iu referuar veçanërisht muajve të pandemisë gjatë të cilёve, nёnvizoi Papa , "ju keni arritur të moduloni mirë punën tuaj duke kombinuar shëndetin, dispozitat dhe rregullat e rendit publik me nevojat e shtegtarëve” qё vijnё nё Vatikan. E Papa shtoi:

Është edhe falë profesionalizmit tuaj që jeta rreth këtyre vendeve të shenjta dhe qytetit të Vatikanit u zhvillua me rregull dhe nё qetësi. Vigjilenca juaj ditë e natë i mbron njerëzit që shkojnë të lutёn në Bazilikë dhe ata që vijnë të më takojnë mua. Aktiviteti juaj i përpiktë i lehtëson edhe aktivitetet shpirtërore e fetare që zhvillohen në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, si dhe vizitat e turistëve.

Kujdesi për njerëzit

Ajo e Inspektoratit të Sigurisë Publike është një punë delikate, theksoi Papa Françesku, duke vlerёsuar angazhimin që  gjithçka tё realizohet me durim dhe gatishmëri “edhe në situatat më komplekse”. Papa Françesku kujtoi edhe bashkëpunimin e zellshëm që Inspektorati i Sigurisë Publike dha gjatë udhëtimeve të tij papnore në Romë apo gjatё vizitave baritore në Itali.

Ju jam mirënjohës edhe për stilin: prania juaj është një prani diskrete por efikase, e cila bëhet edhe më e frtyshme nga bashkëpunimi me Xhandarmërinë e Vatikanit. Përveç falënderimit tim, dua t'ju inkurajoj, që shërbimi juaj, qё nganjëherë ёshtё edhe i vështirë, të mbështetet gjithmonë nga motivimi themelor: kujdesi për njerëzit, mbrojtja e dinjitetit dhe siguria e secilit. Kjo është kaq e çmuar.

Inkurajimi pёr takimin e shumë njerëzve me Jezusin

Papa Françesku pastaj iu referua festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, e cila ёshtё e njohur edhe si "festa e takimit", qё kremtuam dje dhe kujtoi Ungjillin që na tregon pёr takimin e Marisë e Jozefit, prindër të rinj, me dy të moshuarit, Simeonin dhe Anën, nё Tempull. Në qendër tё rrёfimit ungjillior është Jezusi. E Papa shtoi:

Mund tё mendojmё se ju, me punën tuaj, lejoni që edhe këtu të ndodhin shumë takime ku Zoti është në qendër. Ai pritet në tempullin e Jeruzalemit. Edhe shërbimi juaj mundёson që Jezusi të mirëpritet ende nga kaq shumë njerëz. Shën Jozefi e Zoja Bekuar, që e sollën në tempull, ju ruajshin tё gjithёve.

Atyre, tha Papa, duhet t’ia besojmё "shpresat e shqetësimet" që pjesëmarrësit e audiencës kanë në zemrat e tyre dhe për ta siguroi lutjet e tij.

03 shkurt 2022, 11:40