Kërko

Papa Françesku në takimin me shoqatën "Diaconie de la beaute" Papa Françesku në takimin me shoqatën "Diaconie de la beaute"

Papa, artistëve: bota ka nevojë për bukuri më shumë se kurrë

Duke takuar një shoqatë me artistë të ndryshëm, ku përfshihen muzikantë, poetë dhe skulptorë, Françesku i nxiti të hyjnë me vendosmëri në “via pulchritudinis”: bukuria është në gjendje të krijojë bashkësi, “sepse e bashkon Zotin, njeriun dhe krijimin në një simfoni të vetme”

R.SH. – Vatikan

Në kohë si kjo që po kalojmë, ku “nganjëherë, duket sikur konfuzioni dhe trishtimi kanë përparësi”, rruga e së bukurës na bën të ecim më tej. Është mënyrë për të shkuar tek Zoti. Këtë nënvizoi Papa Françesku në takimin me animatorët e “Diaconie de la Beauté”, lëvizje e lindur në vitin 2012, pas Sinodit mbi ungjillizimin e ri. Në të bëjnë pjesë muzikantë, poetë, piktorë, arkitektë, kineastë, skulptorë, aktorë dhe valltarë. Papa kujtoi se Shkrimi Shenjt flet shumë për bukurinë e gjithësisë, duke na vënë në dukje se “secili prej nesh është i thirrur natyrshëm të jetë artizan e rojtar i kësaj bukurie”. “Në një farë kuptimi, vepra artistike e plotëson bukurinë e krijimit dhe, kur frymëzohet nga feja, u zbulon më qartë njerëzve dashurinë hyjnore, në zanafillën e vetë veprës”. Më pas, Papa u ndal në mënyrat e shprehjes, që e kapërcejnë kohën dhe hapësirën.

“E veçanta e artistit është se nuk kufizohet nga koha, pasi arti i tij u flet të gjitha epokave. Artisti nuk kufizohet as nga hapësira, sepse bukuria mund të prekë në secilin gjithçka, që është universale – veçanërisht, etjen për Zotin - duke i kapërcyer kufijtë e gjuhëve dhe të kulturave. Nëse autentik, artisti është i aftë të flasë për Zotin më mirë se kushdo, të bëjë të perceptohet bukuria dhe mirësia e Tij, të arrijë zemrën e njeriut dhe të bëjë që e vërteta dhe mirësia e të Ringjallurit të shkëlqejnë në të”.

Kisha ka nevojë për artin

 Papa Françesku i ftoi të pranishmit të rilexojnë me vëmendje “Letrën për artistët” të Shën Gjon Palit II: “për të transmetuar mesazhin, që i është besuar nga Krishti, – shkruhet në këtë dokument – ​​Kisha ka nevojë për artin”. “Në fakt, ai duhet ta bëjë të perceptueshme e, për sa është e mundur, edhe tërheqëse, botën e shpirtit, të së padukshmes, të Zotit. Pra, duhet të shndërrojë në formula domethënëse atë, që në vetvete, është e pakapshme. Arti ka një aftësi krejt të tijin për të kapur njërin ose tjetrin aspekt të mesazhit, duke e shndërruar atë në ngjyra, forma, tinguj, të cilat i përshtaten intuitës së shikuesve, ose dëgjuesve”.

“Ju nxis, pra, që në kultivimin e artit tuaj, t’u flisni burrave dhe grave të kohës sonë, gjithnjë, duke u shqetësuar që ata ta kuptojnë disi, sepse një art i pakuptueshëm dhe hermetik dështon në qëllimin e tij. Mundohuni të prekni telat e ç’kanë më të mirë në vetvete. Kisha mbështetet te ju sot, për t’i ndihmuar vëllezërit dhe motrat të kenë një zemër të ndjeshme dhe të dhembshur, një vështrim të përtërirë dashurie për botën dhe për të tjerët”.

Bukuria, përfundon Françesku, është gjithmonë “burim gëzimi, pasi na vë në kontakt me mirësinë hyjnore. Nëse ekziston bukuria, kjo ndodh se Zoti është i mirë dhe na e dhuron. E kjo na shkakton gëzim, na qetëson, na bën mirë. Kontakti me “bukurinë na emocionon, bukuria na bën të ecim përpara”. “Ju inkurajoj, edhe një herë, ta vazhdoni shërbimin tuaj me dashuri dhe kompetencë, sepse bota ka nevojë për bukurinë, më shumë se kurrë”.

17 shkurt 2022, 13:58