Kërko

Kriza në Ukrainë, Papa Françesku: lufta është marrëzi

Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme Papa i falënderoi të gjithë njerëzit që, më 26 janarin e kaluar, u lutën për paqen në vendin lindor evropian. Më pas kërkoi të vijojë lutja drejtuar Zotit, që gjithçka të zgjidhet “me një dialog serioz”

R.SH. - Vatikan

Pasi bëri përsëri thirrje për paqen në Ukrainë, në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku, i shkëputi sytë nga karta, që mbante në dorë e u duk sikur po i drejtohej çdo njeriu. Madje mbarë botës. Po i drejtohej me  fjalë të dala jo nga letra, por nga shpirti, shoqëruar me një psherëtimë të thellë:

“Nuk duhet ta harrojmë kurrë  - kujtoi duke i theksuar fort fjalët -  lufta është marrëzi!”.

E këto fjalë i tha pasi i pati falënderuar të gjithë ata që, më 26 janarin e kaluar, u bashkuan me të në lutje për paqen në Ukrainë. Duke i nxitur  të vijojnë ta lusin Zotin e paqes “që të marrin fund tensionet e kërcënimet e luftës, përmes dialogut serioz”. 

09 shkurt 2022, 13:48