Kërko

Praktika e gjymtimit gjenital Praktika e gjymtimit gjenital 

Dita kundër gjymtimeve gjenitale, Papa: praktikë që poshtëron dinjitetin e gruas

Në ditën ndërkombëtare të 6 shkurtit, themeluar nga OKB-ja më 2012-tën, Papa kujtoi praktikën e gjymtimit të vajzave, përhapur në shumë zona të botës, duke e parë si atentat kundër dinjitetit fizik të gruas.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes mariane të Engjëllit, Papa Françesku kujtoi se sot, 6 shkurt,  kremtohet Dita ndërkombëtare kundër gjymtimit gjenital femëror. “Janë rreth tre milion vajza - theksoi - që e pësojnë çdo vit këtë ndërhyrje, shpesh në kushte të rrezikshme për shëndetin. Kjo praktikë, për fat të keq  e përhapur në shumë vise të botës, e poshtëron dinjitetin e gruas dhe e rrezikon rëndë trupin e saj.

Praktikë për t’u zhdukur

Është dhunim i skajshëm i të drejtave dhe paprekshmërisë së grave e vajzave. Në një mori vendesh të botës, gjymtimet gjenitale femërore  shikohen si praktikë, që duhet të marrë fund, sepse fryt i zakoneve të bazuara mbi heqjen, plotësisht a pjesërisht, të organeve gjenitale të jashtme, me pasoja tejet të rënda për shëndetin e gruas, gjë që nganjëherë shkakton edhe vdekjen. Pasi praktikohet ndër vajzat, ato janë gati  për t’u bërë nuse, gjë që shpesh ka si pasojë martesat në moshë ende të njomë dhe braktisjen e shkollës, pa e nisur mirë.

Sipas statistikave, sot në botë  68 milion vajza  rrezikohen t’i nënshtrohen kësaj praktike të përbindshme para vitit 2030. Shpeshimi i praktikës është edhe pasojë e pandemisë, e cila i detyroi shumë organizata, që merrshin me të, t’i lënë mënjanë projektet e panisura, për t’u marrë me emergjencën e re shëndetësore. “Krizë, brenda krizës”, sipas Kombeve të Bashkuara. Prej këndej nisi zbatimi i një programi të ri, me temë. “Nuk  ka kohë për inaktivitet Global. Bashkohuni, Financoni e Veproni për t’u dhënë fund gjymtimeve gjenitale femërore”.

Praktikë universale

Gjymtimi gjenital i femrave është i përhapur kryesisht në 31 vende të Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, 15 nga të cilat janë të përfshira në konflikte, vuajnë nga varfëria dhe nga pabarazitë e të gjitha ngjyrave. Po kjo nuk i pengon aspak ta praktikojnë këtë “adet”, që nuk çudit askënd atje ku praktikohet vazhdimisht. Madje edhe në disa vende të Amerikës Latine e të Azisë.  E nuk përjashtohet as Evropa përendimore, Amerika e Veriut Australia dhe Zelanda e Re, ku familjet e migrantëve vijojnë t’i respektojnë këto zakone. Së paku 200 milion vajza e gra  kanë pësuar gjymtime në ditët tona. E një ndër katër gra, domethënë 52 milionë në të gjithë botën, i janë nënshtruar praktikës në duart e personelit shëndetësor, gjë që flet për medikalizmin e saj.

06 shkurt 2022, 14:40