Kërko

Papa Françesku dhe Imami i Madh Al-Tayyib në Abu Dabi, 4 shkurt 2019 Papa Françesku dhe Imami i Madh Al-Tayyib në Abu Dabi, 4 shkurt 2019

Dita e Vëllazërimit, në Dubai mesazhet e Papës dhe të Al-Tayyib

Përkujtimi i nesërm, 4 shkurt, do të jetë një kremtim i përbashkët me temë “Nën të njëjtin qiell”. Ditë, në të cilën do të bëhen të njohur dy videomesazhet e Papës e të Imamit të Madh të Al-Azharit, në kuadrin e Tryezës së rrumbullakët të Vëllazërimit Njerëzor dhe të Aleancës për Tolerancën Globale. Është përgatitur një fushatë mediatike për promovimin e tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore në shkolla e në institucione qeveritare

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyib do të përkujtojnë nesër, më 4 shkurt, me dy videomesazhe, Ditën e dytë Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, me temë “Nën të njëjtin qiell”. Kremtimi, gjatë të cilit do të paraqiten videomesazhet e të dy krerëve fetarë, do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadrin e Tryezës së rrumbullakët të Vëllazërimit Njerëzor dhe të Aleancës për Tolerancën Globale.

Tryezë e rrumbullakët mbi temat e bashkëjetesës paqësore dhe të tolerancës

Takimi, në të cilin do të marrë pjesë kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, bën pjesë në programin e Expo Dubai 2020 dhe do të zhvillohet në Pavijonin e Qëndrueshmërisë, jo larg nga ai i Selisë së Shenjtë. Tryeza e rrumbullakët do të hapet në orën 10, me një video për Vëllazërimin Njerëzor e Tolerancën, pas të cilit do të flasë shehu Nahayan Mabarak Al Nahyan, ministër i Tolerancës dhe i Bashkëjetesës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Do të vijojë kardinali Ayuso Guixot, që është kryetar i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin e do të trajtojë temën: “Vëllazërimi Njerëzor për promovimin e nismave të përbashkëta dhe të bashkëjetesës paqësore”. Zëvendësi i Imamit të Madh të Al-Azharit, Muhammad Al Duwaini, do të flasë mbi temën: “Drejt një udhe tolerance dhe mirëkuptimi, udhëhequr nga ndërgjegjja”, ndërsa gjykatësi Mohamed Abdelsalam, Sekretar i përgjithshëm i Komitetit për Vëllazërimin Njerëzor do të argumentojë se “Me Vëllazërimin Njerëzor, promovojmë shoqëri gjithëpërfshirëse”. Parashikohen edhe ndërhyrje të tjera nga shtete të ndryshme.

Të jemi lajmëtarë të bashkimit, solidaritetit e vëllazërimit

Në një komunikatë, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, “i fton të gjithë të bashkohen, sipas mënyrës që e shohin të arsyeshme, në kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor”, me temë “Nën të njëjtin qiell”, “duke iu përgjigjur thirrjes së Papës Françesku e të Imamit të Madh Al-Tayyib për të punuar së bashku e për t’u bërë ballë sfidave aktuale të njerëzimit, duke shpresuar të nxiten, të mbështeten e të inkurajohen bashkësitë dhe njerëzit e gjithë botës për të qenë së bashku lajmëtarë të vërtetë të bashkimit, solidaritetit e vëllazërimit”.

Fushatë mediatike në shkollat dhe në institucionet qeveritare

Ndërkaq, në kuadrin e Festivalit të Vëllazërimit Njerëzor, që do të zgjasë deri më 5 shkurt në Expo, është përgatitur edhe një fushatë mediatike me pjesëmarrjen e sektorit publik dhe privat, për të promovuar parimet e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor. Dokumenti do t’u shpërndahet vizitorëve të Ekspozitës Universale, shkollave, universiteteve dhe institucioneve qeveritare, së bashku me një video që e paraqet atë në gjuhë të ndryshme, si edhe me një video tjetër me titull “Ekspozita si mishërim i vërtetë i Vëllazërimit Njerëzor”. Disa ndërtesa emblematike do të ndriçohen me parimet e Dokumentit të nënshkruar në Abu Dabi tre vjet më parë e ngjarjet e këtyre ditëve do të pasqyrohen gjerësisht në radio, televizion dhe në rrjetet shoqërore.

03 shkurt 2022, 15:46