Kërko

Viti i Ri hënor në Kinë Viti i Ri hënor në Kinë  (AFP or licensors)

Urimet e Françeskut për vitin e ri hënor: paqe, shëndet e jetë të qetë

Pas lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi popujt që kremtojnë festën “Tet”, a të kremten e pranverës, kohë gjatë së cilës gjestet e solidaritetit ndërmjet familjeve janë zakon që ngroh shpirtërat e ngrirë nga e ftohta dimërore. Papa uroi të forcohen lidhjet e paqes ndërmjet popujve, që kështu të realizohen dëshirat për prosperitet material e shpirtëror.

R. SH. - Vatikan

"Në këtë vit të ri të gjithë shijofshin paqen, shëndetin, jetën e qetë dhe të sigurt”.

Ky, urimi i shprehur nga Papa pas lutjes mariane, duke kujtuar se më 1 shkurt, në të gjithë Lindjen e Largët si dhe në vende të tjera të botës, kremtohet Viti i ri hënor.

Solidaritet, për begati në jetën e popujve

Françesku u bëri urimet e tij të përzemërta për këtë festë, duke nënvizuar bukurinë që krijohet “kur familjet kanë rast të bashkohen e të jetojnë së bashku çaste dashurie e gëzimi” E shtoi: “Shumë familje, për fat të keq,  sivjet nuk mund ta jetojnë festën së bashku, për shkak të pandemisë, por me besimin se së shpejti mbarë njerëzimi do të mund ta kalojë edhe këtë provë”. E, së fundi, urimi: “Falë vullnetit të mirë të njerëzve dhe solidaritetit të popujve, mbarë familja njerëzore arritët me dinamizëm të ri , prosperitet material e shpirtëror”.

Viti i Tigrit

Tet, “Viti i ri hënor”, që kremtohet më 1 shkurt, shënon fillimin e Vitit të Tigrit. Është festa më e madhe tradicionale për vietnamezët, por edhe për Kinën, Mongolinë e Korenë. Data ndryshon çdo vit, por kremtohet gjithnjë ndërmjet 21 janarit e 20 shkurtit. Emri kinez i kryevitit është 春节 Chūn Jié, që do të thotë “Festa e Pranverës”. Në këtë periudhë kremtimet zgjasin 16 ditë. Festë e gjatë, pra, që nis nga Nata e Vitit të Ri e përfundon me Festën e Kandilave. Festohet edhe më Malezi, Singapor e Filipine.

Atmosferë dhuratash për të varfrit

Në atmosferën e kësaj feste shumë organizata shoqërore e fetare, si edhe njerëz të veçantë, e kanë zakon t’u dhurojnë të varfërve para, duke i pritur si të ishin në shtëpi të vet në këtë atmosferë festive. Në famullitë dhe dioqezat e Vietnamit, për shembull, Kryeviti hënor ka një karakteristikë të veçantë: kremtohet me frymën e fesë në Krishtin.

Solidaritet, që i bashkon fetë

Kjo, që jetohet në ditët e Viti të Ri hënor, për katolikët, banorë të vendeve aziatike është zgjatje e kremtimit të jetuar në kohën e Krishtlindjes. Për t’u kujtuar, shkëmbimet e vizitave ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme për Krishtlindje, njëlloj si për Vitin e ri Hënor. Autoritetet civile pohojnë se prania e katolikëve në jetën shoqërore, ndihmon ndjeshëm për mirëqenien e mbarë Vendit.

30 janar 2022, 14:19