Kërko

Papa: prindërit që i bëjnë ballë çdo sfide, janë heronj

Nё njё intervistë me mediat e Vatikanit Papa Françesku mbi rolin e etërve dhe të familjes, në dritën e dëshmisë së Shën Jozefit. Papa inkurajon prindërit, që luftojnë çdo ditë për t’u krijuar një ardhmëri plot me shpresë fëmijëve të tyre

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku i quan “heronj”: janë prindër, që tmerrohen nga pandemia, që kërkojnë një ardhmëri më të mirë për fëmijët e tyre duke emigruar në vise të tjera; që pësojnë vuajtje të thella, që e vënë gjithë jetën në shërbim të bijve e bijave. Papa e quan heroik guximin e tyre. E këtë e bën përmes një interviste dhënë mediave vatikanase, realizuar nga Drejtori i “L’ Osservatore Romano, Andrea Monda dhe nga zëvendës-drejtori editorial i Dikasterit për Komunikimin, Alessandro Gisotti.

Në sfond janë Viti i posaçëm kushtuar Shën Jozefit, që përfundoi më 8 dhjetorin e kaluar dhe cikli i katekizmave të cilin, nga 17 nëntori 2021, Papa po e përqendron  mbi Pajtorin e Kishës universale. “E ndjej shpirtërisht shumë pranë dramën e etërve e të nënave, që po jetojnë vështirësi të veçanta, rënduar nga shkaku i pandemisë - pohon Françesku - Besoj se nuk mbartet lehtë gjithë kjo vuajtje, në një situatë të vështirë, “kur nuk ke bukë për t’u shtruar fëmijëve në sofër dhe ndjen mbi supe përgjegjësinë për jetën e të tjerëve” . Këta të fundit “Papa i siguron se lutet për ta, ndjehet pranë tyre, e jo vetëm personalisht, por edhe me gjithë Kishën”.

Prindër, nuk jeni vetëm: Papa nuk ju harron!

Mendimi i Papës shkon edhe tek shumë etër, shumë nëna, shumë familje që ikin nga luftërat e jetojnë në situata të ngarkuara me dhimbje, me padrejtësi, të cilët askush nuk i merr seriozisht, ose i harron me dashje. “Dëshiroj të them - shpjegon Papa - se për mua janë heronj, mbasi në ta gjej guximin e njeriut që vë në rrezik jetën e vet, për dashuri të fëmijëve, të familjes”. Françesku kujton Marinë e Jozefin, që provuan “ikjen” në një vend të huaj për të shpëtuar nga dhuna e Herodit:  vuajtja e tyre “i afron me këta vëllezër, që sot kalojnë të njëjtat prova”. Prej këndej Papa i fton etërit e sotëm t’i drejtohen me besim e shpresë Shën Jozefit, duke e ditur se, si atë, ai vetë e provoi të njëjtën padrejtësi. I inkurajon edhe të “mos ndjehen vetëm”, sepse “Papa i kujton gjithnjë e brenda mundësive, do të vijojë t’u japë zë e të mos i harrojë”.

Shën Jozefi, dëshmitar i ndristshëm në kohë të errta

Françesku ndalohet, më pas, tek figura e atit të kujtuar të Jezusit me të cilin, pohon, “përkon” që në kohën e fëmijërisë. Përkim, që vijon edhe me shërbimin papnor, nisur më 19 mars, pikërisht në Festën e Shën Jozefit, të cilin Françesku e quan “delikatesë e zbritur nga qielli”. Ngaqë - shton - ky shenjt “deshi të më thoshte se do të vijojë të më ndihmojë” . “Njeri normal”, por “edhe protagonist i rëndësishëm i fillesave të historisë së shëlbimit”, Jozefi është ai, që e mbrojti Jezusin, e shujtoi, e rriti”. Në të “shikojmë njeriun e kohëve të vështira - shton Papa - i cili di t’i marrë mbi vete përgjegjësitë, që i takojnë. E që, sidomos, bashkon në një, dy karakteristika: “di ta dëgjojë Zotin e di t’i përballojë problemet pa viktimizma. Përballë pengesave, Jozefi nuk rri duarkryq, reagon, lëshohet në dorë të Zotit “për të gjetur rrugëzgjidhje krijuese”. Prandaj, në këto kohë të errëta të pandemisë, ai “është dëshmitar i shkëlqyer”, që na ndihmon “ta rigjejmë rrugën”.

Atë nuk lindesh, bëhesh    

Atë nuk lindesh, shumë-shumë bëhesh - nënvizon akoma Papa - e prandaj  etërit e sotëm  nxiten ta shikojnë atin e kujtuar të Jezusit si model për t’u ndjekur.

Jozefi e kreu detyrën e atit bukur deri në atë pikë,  sa Jezusi, në dashurinë e në atësinë e këtij burri, gjeti emrin më të bukur për Zotin, domethënë, Atë!  Në këtë kuptim - shpjegoi Françesku, “bijtë e sotëm, që do të bëhen etërit e nesërm, duhet ta pyesin veten çfarë etërish patën e ç’etër duan të bëhen, për të mos lejuar që roli atëror të jetë fryt i rastësisë”, ose thjesht, pasojë e së kaluarës, por me kusht që “të vendoset si duhet ta duash tjetrin”.

Etërit të jenë pikëmbështjeje, jo pengesë për fëmijët e tyre

Në qendër të vëmendjes, pastaj, thirrja që bën Papa për lirinë, “një nga karakteristikat më të bukura të dashurisë, e jo vetëm të atësisë”:  të kujdesen për bijtë, ashtu si Jozefi kujdeset për Jezusin, “pa u munduar t’i nënshtrojnë e as t’i manovrojnë”. Kështu një baba i mirë di edhe të bëjë një hap mbrapa  në çastin e duhur, “që i biri  të mund të shpalosë veçoritë e veta, të zbulojë thirrjen e vet”. Në fund, aspekti më vendimtar i dashurisë së Jozefit për Jezusin është pikërisht “përvujtëria”, “zhdukja e tij nga skena, që Jezusi të mund të shndrisë gjatë gjithë misionit të Tij”, duke gjetur në atin e kujtuar “pikëmbështetje” e kurrë pengesa.

Kisha nuk është vetëm amtare, por edhe atërore

Koncepti i atësisë lidhet edhe me Kishën - vijon Papa - ajo është amtare në ushtrimin e mëshirës, por duhet të jetë edhe atërore - e jo paternalistike, sepse duhet të ketë aftësinë krejt atërore për t’i bindur bijtë t’i marrin mbi vete përgjegjësitë e tyre, ta ushtrojnë lirinë, të zgjedhin rrugët nëpër të cilat do të ecin”. Në periudhën e sotme historike - vijon Françesku - në të cilën të rinjtë shumë shpesh kanë frikë të vendosin, të vihen në lojë, është detyrë e Kishës t’i inkurajojë e t’i bëjë të mundshme “zgjidhjet e mëdha”. Pikërisht siç bën një atë, i cili nuk të thotë se gjithçka shkon mirë, por “se mund ta përballosh mirë gjithçka e t’i jetosh me dinjitet vështirësitë dhe dështimet e mundshme”.

Vlera e etërve shpirtëror, që të ndihmojnë të zgjedhësh

Papa u ndalua edhe tek “Atësia shpirtërore” e tek  mënyra  sesi meshtarët duhet “të mësojnë pak nga pak të jenë etër, duke pranuar, sidomos, se ata vetë janë bijtë e Zotit”. Nëse një baba i mirë, po të flasim me gjuhën e njerëzve, është i tillë sepse e ndihmon të birin të bëhet vetvetja, duke i siguruar lirinë e duke e nxitur të marrë vendime të mëdha - shpjegon Françesku - njëlloj një atë i mirë shpirtëror është i tillë jo kur e zëvendëson ndërgjegjen e njerëzve, që i besohen, por kur, në mënyrë të kujdesshme e të vendosur, arrin t’u tregojë rrugën, duke i ndihmuar në përzgjedhjen e saj. “E kjo është dhuratë, që lind posaçërisht nga përvoja”, ndaj atësia shpirtërore sot është e nevojshme më shumë se kurrë, sepse ndjehet urgjenca e lidhjeve kuptimplote. Por Papa kujton edhe “amësinë shpirtërore”, që lidhet me shumë  laike, të cilat ndajnë me të tjerët “bagazhin e përvojës së tyre të madhe”.

Viti i posaçëm kushtuar Shën Jozefit ka përfunduar, por jo dashuria për Të

Viti i posaçëm kushtuar Shën Jozefit përfundoi më 8 dhjetorin e kaluar, por vëmendja dhe dashuria e Papës Françesku për këtë Shenjt, nuk kanë përfunduar, madje zhvillohen këto ditë edhe në katekizmin që, nga 17 nëntori i kaluar, po përqendrohet mbi figurën e Pajtorit të Kishës universale. E dëshmon edhe L’ Osservatore Romano, që gjatë gjithë vitit 2021, botoi një rubrikë mujore, rimarrë edhe nga Vatican News mbi “Patris Corde”, duke botuar në çdo numër, një kapitull të Letrës Apostolike mbi Shën Jozefin. Shkrime, që mund të lexohen përmes internetit, me përfitim jo të pakët shpirtëror.

13 janar 2022, 15:26