Kërko

El Salvador: Mesha për Lumnimin El Salvador: Mesha për Lumnimin  

Papa për të lumët e rinj të El Salvador: shembull heroizimi e vëllazërimi

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Françesku kujtoi Meshën e kremtuar dje pasdite nga kardinali i San Salvadorit, që lartoi në nderimet e altarit jezuitin Rutilio Grande, dy shokë të tij laikë, vrarë në vitin 1977 dhe atin françeskan Cosma Spessotto, martirizuar në vitin 1980: ishin gjithnjë pranë të varfërve, gjithnjë duke dëshmuar Ungjillin, duke mbrojtur të vërtetën e drejtësinë, deri në fund të fundit, kur dhanë jetën për idealet e tyre të shenjta.

R. SH. - Vatikan

Shpesh herë kur lexon historinë e ndonjë martiri, të duket sikur lexon  historinë e gjithë kombit. E kështu ndodhi edhe dje kur, lartimi në nderimet e altarit i jezuitit, atë Rutilio Grande me shokët e tij dhe i françeskanit Cosma Spessotto, rikujtoi një të kaluar të ngarkuar me plagë, me dregëza e me hije, që duken ende në lëkurën e në kujtesën e popullit salvadorian.

Kujtesë, që rijehoi edhe në fjalët e shiptuara nga Papa, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, pasuar nga duartrokitje të stuhishme për njerëzit që, siç theksoi Françesku, “u radhiten përkrah të varfërve dhe e dëshmuan Ungjillin, të vërtetën e drejtësinë deri në dhurimin e gjakut. Shembull për t’u imituar, për të qenë, kështu, veprimtarë të vëllazërimit e të paqes”.

Vëllazërim kundër “luftës vëllavrasëse”, që gjakosi Vendin qendroamerikan në vitet ‘79 - ’92, tek të cilat u ndalua, gjatë homelisë së lumnimit, kardinali Gregorio Rosa Chavez, që kryesoi, në emër të Papës, Meshën, në të cilën morën pjesë mijëra vetë, duke respektuar edhe masat kundër-covidit.

Simbole të shumë “martirëve të panjohur”

Të lumët e rinj freskuan jo vetëm kujtesën e një epoke tejet të trazuar, që zhduku njerëzit më të vlefshëm e më të pafajshëm, por edhe kohën, kur shpifjet, trillimet e paditë e pamerituara, e helmatisen gjatë jetën e vendit, të zhytur në errësirë. E në mes të këtij terri, martirët krijuan një oazë dashurie e drejtësie në shkretëtirat e një epoke shkatrrimtare. Posaçërisht - pohoi kardinali Rosa Chavez - dy laikët martirë, Manuel Solórzano dhe i riu Nelson Rutilio përfaqësojnë turmën e martirëve anonimë, pjesë e 75 mijë të vdekurve gjatë një “lufte vëllavrasëse, që për dymbëdhjetë vjet me radhë e lau në gjak gjithë vendin”.

Shpresë për popullin paqësor

Mijëra besimtarëve, mbledhur në Sheshin Salvador del Mundo të kryeqytetit - po ai ku më 6 gusht 1970 atë Rutilio Grande u pati bërë thirrje  autoriteteve të shtetit të punonin për të mirën e popullit salvadorian, që po vuante aq shumë - përfaqësuesi i Papës u bëri bashkëkohasve një thirrje të re: të marrin shembull nga guximi i martirëve, për të mos hequr dorë nga ëndrra për një vend me paqe e pajtim, “ashtu si do Zoti ynë, vëllazëror e solidar”.

23 janar 2022, 16:42