Kërko

Nat me yje Nat me yje 

Papa: ofrojmë të gjitha përpjekjet për udhën e të krishterëve drejt bashkimit

Pas Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2022 që, si çdo vit, do të kremtohet nga 18 deri më 25 janar, me pjesëmarrjen e të gjitha Kishave dhe konfesioneve të krishtera të mbarë botës. Sivjet temën e këtij takimi të rëndësishëm e propozoi Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme: na rikujton përvojën e Tre Mbretërve që, duke ndjekur yllin, gjetën Krishtin Fëmijë e në Të, nderuan Mbretin e premtuar nga Shkrimet Shenjte.

R. SH. - Vatikan

Do të kremtohet nga 18 deri më 25 janar, Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2022, në të cilën çdo vit marrin pjesë Kishat e konfesionet e krishtera të mbarë botës. Sivjet tema e këtij takimi të rëndësishëm, e propozuar nga Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme, na rikujton përvojën e Tre Mbretërve që, duke ndjekur yllin, gjetën Krishtin Fëmijë e në Të, nderuan Mbretin e premtuar nga Shkrimet Shenjte.

Të krishterët e shikojnë së bashku Jezusin si i vetmi yll, që mund ta shpëtojë botën

“Në Lindje pamë të dukej ylli i Tij e erdhëm ta adhurojmë” (Mt 2,2): kjo është tema, që të krishterët e Lindjes së Mesme zgjodhën për Javën e lutjes kushtuar unitetit të të krishterëve. Françesku e kujtoi në përfundim të lutjes së Engjëllit:

“Edhe ne të krishterët, në larminë e konfesioneve e traditave tona, jemi shtegtarë për udhë drejt unitetit të plotë e i afrohemi cakut, sa më shumë t’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin, një të vetmin Zotin tonë. Gjatë Javës së Lutjes, ofrojmë edhe përpjekjet e vuajtjet tona për bashkimin e të krishterëve”.

E pikërisht këto kohë të vështira, kur ndjehet më shumë se kurrë nevoja për një dritë, që ta mundë errësirën” - kujtohen në faqen e internetit të Këshillit ekumenik të Kishave kushtuar ngjarjes së madhe - e kjo dritë, siç e shpallin të krishterët, u duk në Jezu Krishtin”. Ftesa për ta shikuar yllin e për ta mbajtur të gjallë shpresën, vjen posaçërisht nga një zonë “ku të drejtat e njeriut shkelen vazhdimisht nën thundër nga interesat politike dhe ekonomike”. Zonë, që po kalon një periudhë të rëndë krize në planin njerëzor e material.

Me përgatitjen e teksteve të liturgjisë e të reflektimit lidhur me temën e propozuar për përdorim nga ana e bashkësisë, njëheresh me Këshillin e Kishave të Lindjes së Mesme, u mor edhe Komisioni ndërkombëtar i emëruar bashkërisht nga Këshilli papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe Komisioni Fe e Kushtetutë i Këshillit ekumenik të Kishave, në të cilin bën pjesë shumica e kishave ortodokse të botës, kishat e lindura nga reforma si dhe konfesionet anglikane.

Ylli, shenjë që flet për ecje të përbashkët kah Zoti

Duke paraqitur temën e Javës, Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme, me seli në Beirut, kujton se “ylli” është simbol i thirrjes së krishterë. Shkruajnë të krishterët e rajonit: “Ylli ishte shenja, që udhëhoqi Tre Mbretërit Dijetarë nga vende të largëta e nga kultura të ndryshme, deri te Krishti Fëmijë. Shenjë simbolike, e cila na kujton të krishterët, që bashkohen, sa më shumë i afrohen Krishtit. Të krishterët janë të thirrur të jenë shenjë e unitetit, që Jezusi e dëshiron për botën, e edhe mjet, përmes të cilit Zoti i drejton mbarë popujt drejt bashkimit”. Ylli është dhuratë, simbol i pranisë plot dashuri të Zotit. Me rrezet e tij i prin mbarë njerëzimit drejt një drite shumë më të madhe, drejt Jezusit. Në larminë e dhuratave, që ia sollën Dijetarët Foshnjës Hyjnore, mund të nënkuptosh  dhuratat e veçanta, që ka secila Kishë e që mund t’i ndajë bashkë me të tjerat.

Lindja e Mesme: nevoja për  një dritë, që sjell paqe

Të shumta, arsyet që i shtynë të krishterët e Lindjes së Mesme të zgjidhnin  temën e sivjetme: historia e zonës vijon të jetë e ngarkuar me ndeshje e padrejtësi e edhe tregimi i Mbretërve, lexohet në hyrjen teologjiko-baritore të teksteve liturgjike përgatitore për Javën, përmban një mori elementesh  të errëta, si për shembull, urdhërin e Herodit për t’i masakruar të gjithë fëmijët nën dy vjeç në Betlehem e në rrethina. E ndodhi, pastaj, që Fjala e Zotit lëshoi rrënjë e dha frytet e veta në Lindjen e Mesme. E ndodhi edhe që pikërisht prej këtu - lexohet akoma - apostujt u nisën për ta predikuar Ungjillin deri në kufijtë më të largta të tokës. E veç kësaj, janë me mijëra dëshmitarët dhe martirët e krishterë, që Lindja e Mesme ia dhuroi Kishës. E pra sot “vetë ekzistenca  e bashkësisë së vogël të krishterë kërcënohet, pikërisht si qe kërcënuar jeta e Foshnjës Hyjnore”. E edhe në vise të tjera të botës, njerëzit e pafajshëm pësojnë dhunë. Së fundi, ndërsa në perëndim të krishterët kremtojnë solemnisht Krishtlindjen, për shumë të krishterë të lindjes, festa kryesore është Dëftimi i Zotit, a festa që na kujton  se shëlbimi i Zotit është dhuratë për mbarë njerëzimin:

“Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja që prej Lindjes ia behën në Jeruzalem disa Dijetarë e pyetën: ‘Ku ndodhet foshnja e sapolindur, që do të bëhet mbreti i Judenjve? Sepse e pamë duke lindur në Orient yllin e tij dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona” (Mateu 2,1-12)     

Misioni i Kishës është të ndriçojë rrugën drejt Jezusit

Shkruajnë organizatortë e Javës: “Ndarjet ndërmjet nesh e zbehin dritën e dëshmisë të të krishterëve dhe e errësojnë rrugën, duke i penguar të tjerët për të gjetur rrugën që të çon te Krishti. Në të kundërtën, të krishterët e bashkuar, që e adhurojnë Krishtin së bashku e hapin peshtafet e tyre  për të shkëmbyer dhuratat, bëhen shenjë e unitetit, që Zoti e dëshiron për gjithësinë. Po, si mund të realizohet kjo? Të vihesh në shërbim të Ungjillit  kërkon sot angazhim për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, posaçërisht  të më të varfërve, më të ligshtëve, më të braktisurve. E për ta vënë në jetë këtë, është e nevojshme të punojmë së bashku. Ylli, që u priu Tre Mbretërve, është prijës për të gjithë. E të gjithë mund ta shikojmë e të vihemi për udhë për t’u takuar me Zotin e me vëllezërit!

Temat, për çdo ditë

 Gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, gjithë të krishterët ftohen të reflektojnë mbi një aspekt të posaçëm të temës së përgjithshme: “Pamë duke lindur në Orient yllin e tij”,  është titulli i ditës së parë,  që përmban thirrjen drejtuar Zotit për të na prirë drejt dritës së Tij”.

 Dita e dytë titullohet:Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve?”. Këshillohet reflektimi mbi faktin, që dëshmon se një autoritet i përvuajtur shemb muret e ndërton me dashuri.

“Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jeruzalemi”-ditën e tretë kujtohet se prania e Jezusit  përmbys botën.

“E ti, o Betlehem[…] tokë e Judës, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi” është titulli i ditës së katërt, që na kujton se edhe pse jemi të varfër e të vuajtur, nuk na mungon asgjë.

ditën e pestë shoqërohemi nga shprehja: “Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara”- shprehje që na kujton se të gjithëve na prin një Zot i vetëm.

“Panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe e adhuruan”. Lutja është është në qendër të ditës së gjashtë: edhe ne, të krishterët  jemi mbledhur në lutje rreth një të vetmit Zotit tonë.

Në këtë javë, protagonistë janë dhuratat e Mbretërve: “Mbretërit i sollën dhurata: ar, kem e mirrë”, që për të krishterët janë dhurata bashkimi. E kjo, tema e ditës së shtatë.

 E pastaj, propozimi i ditës së tetë e të fundit “Ata morën një rrugë tjetër e u kthyen në vendin e vet”, të kujton se duhet zgjedhur rruga e re e Zotit. E rruga e re për Kishat, është rruga e unitetit të dukshëm, që po e vijojmë me flijime e guxim, kështu që ditë për ditë Zoti do të mbretërojë vëretësisht në zemrën e të gjithëve”. 

16 janar 2022, 13:35