Kërko

Kapitulli i Përgjithshëm i Urdhërit të Klerikëve Rregulltarë Teatinë Kapitulli i Përgjithshëm i Urdhërit të Klerikëve Rregulltarë Teatinë 

Papa: njerëzit e Ungjillit janë të sinqertë, “larg përshpirtërisë së tenjës”

Në audiencën me kapitullin e përgjithshëm të Klerikëve Teatinë, Papa i ftoi Rregulltarët, bij të Shën Gaetanit Thiene ta thellojnë më tej identitetin, bashkimin e misionin, duke ndenjur larg çdo forme të përgojimit: kujdesuni për njëri-tjetrin, në gjurmët e themeluesit, “pa skema të ngurta” e “me zemër apostolike”, i porositi.

R. SH. - Vatikan

U kthye në të kaluarën, Papa, gjatë audiencës me anëtarët e kapitullit të përgjithshëm të Klerikëve Rregulltarë Teatinë, të cilët i priti sot paradite në Vatikan. Kujtoi edhe festën e Shën Kajtanit, që bie më 7 gusht, e që në Buenos Ajres, qytet në të cilin themeluesi i Teatinëve është shumë i dashur, ndiqet nga një mori besimtarësh. Kujtim, që Papa e gërshetoi me reflektimin e temës së Kapitullit të përgjithshëm, përqendruar mbi misionin dhe aktualizimin e karizmës teatine, për t’iu përgjegjur  sfidave të kohës. Françesku kujtoi veprën e Shën Gaetanit dhe të shokëve “të vëllazërisë” së tij meshtarake apostolike, me rrënjë në jetën e përshpirtshme e në dashurinë konkrete për njeriun.

I krishteri nuk mund ta mendojë misionin e tij mbi tokë, pa e konceptuar si rrugë shenjtërie. Edhe Shën Gaetani Thiene dëshmon se “çdo shenjt është mision”. Është plan i Atit, për të reflektuar e për të mishëruar, në një çast të caktuar të historisë, një aspekt të Ungjillit:

 “Kjo është udha: ta jetosh me fund e koherencë Ungjillin, duke u nisur nga vetvetja. Të gjithë shenjtorët na e tregojnë këtë udhë. Janë ata, reformatorët e vërtetë të Kishës. Ose më mirë: është Shpirti Shenjt që e formon dhe e reformon Kishën, e këtë e bën me anën e Fjalës së Zotit e të Shenjtorëve, që e vënë Fjalën në jetë”.

Më pas ftesa:

“Ju inkurajoj të shkoni përpara duke ecur mbi gjurmët e tyre, duke iu bindur Shpirtit Shenjt, pa skema të ngurta, por të patundshëm në gjërat themelore: në lutje, në adhurim, në jetën e përbashkët, në dashurinë vëllazërore, në varfëri e në shërbim ndaj të varfërve. E gjithë këtë, me zemër apostolike, me ankth të mirë, ungjillor, në kërkim, para së gjithash, të Mbretërisë së Zotit”.

Tenja e përgojimit

Duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa i këshilloi teatinët të kenë kujdes për njëri-tjetrin, larg çdo përgojimi:

“Jeni njerëz të shuguruar, njerëz të Ungjillit, po njerëz. Nëse ti ke ndonjë gjë kundër tjetrit… merre guximin e thuaja në fytyrë. Përndryshe, hesht. Ose ndiq kriterin tjetër. Thuaja atyre, që mund ta zgjidhin problemin, domethënë, eprorëve. Po mos bëj grupazhe, sepse kjo është përshpirtëria e ‘tenjës’, që e bren forcën e bashkësisë rregulltare. Larg thashethemeve, ju lutem!”.

Çdo shenjt ka një mision

E, së fundi, objektivi i tretë, është misioni. “Të  dallosh shenjat e kohës  për ta kumtuar e për ta jetuar Mbretërinë e Zotit ndërmjet njerzëve”.  Në bazë të karizmës themeluese, misioni juaj nuk është ad gentes. Shën Gaetani ungjillëzoi Romën, Venedikun, Napolin. E këtë e bëri kryesisht duke e dëshmuar mëshirën me jetë e me vepra e duke vënë në jetë “protokollin që Jezusi na e la me shembëlltyrën e gjyqit të mbramë. Ai e shokët e tij punuan për ta  rritur Kishën si “spital fushor”, nevoja e të cilit ndjehet fort edhe sot.

Të dashur vëllezër – kujtoi akoma Papa - siç e dini, ndërmjet qyteteve  të ungjllëzuara nga Shën Gaetani, është edhe Buenos Ajres! Festa e Shën Cayetanos, që kremtohet më 7 gusht, është shumë popullore. Njerëzit e nderojnë e i luten si “Pajtor i bukës e i punës”.

Të fillohet nga vetvetja

Dëshiroj të nënvizoj - vijoi Papa - një aspekt themelor të dëshmisë së Shën Gaetanit: reforma duhet të nisë nga vetvetja. Ai, kur erdhi në Romë për të punuar në kurien papnore, vërejti menjëherë zvetnimin shpirtëror moral, fatkeqësisht tejet të përhapur. E çfarë bëri? Ndërsa çonte përpara punën e tij të zyrës, frekuentonte oratorin e Dashurisë Hyjnore e, më pas, shkonte në spital për të ndihmuar të sëmurët.

Ndërmjetësimit të tij e  të Zojës së Bekuar - tha në përfundim Papa, duke u dhënë bekimin rregulltarëve të pranishëm dhe sivëllezërve të tyre - ia besoj udhën tuaj!

15 janar 2022, 14:38