Kërko

Adolfo Pérez Esquivel Adolfo Pérez Esquivel

Papa i shkruan Pérez Esquivel: lutem për shërimin tënd

Pacifisti 90-vjeçar argjentinas, fitues i çmimit Nobel për Paqen për impenjimin e tij në favor të të drejtave të njeriut, u shtrua në spital të shtunën e kaluar me një problem neurologjik. Ipeshkvi i Mar del Plata, imzot Gabriel Mestre, e informoi Papën Françesku, i cili i dërgoi një notë të shkruar me dorë bashkatdhetarit të tij: “Të siguroj për afërsinë time”

R.SH. - Vatikan

“Afërsi” dhe “lutje” për shërimin e shpejtë. Papa Françesku i dërgon dy rreshta tejet të dashura Adolfo Pérez Esquivel-it, 90 vjeç, pacifist argjentinas, fitues i çmimit Nobel për Paqen në vitin 1980, për impenjimin e tij në favor të të drejtave të njeriut gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. Esquivel u shtrua në spital të shtunën e kaluar, më 1 janar, ndërsa ndodhej me gruan e tij Amanda Guerreño dhe me pjesën tjetër të familjes në plazhin e Chapadmalal. Fillimisht, u mendua për një goditje në tru, hipotezë e përjashtuar më vonë.

Mesazhi iu dërgua ipeshkvit Mestre

Papa – i cili e pati pritur në audiencë më 21 mars 2013, pak ditë pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit – i dërgoi një mesazh të shkruar me dorën e vet bashkatdhetarit të tij. Imzot Gabriel Mestre, ipeshkvi i Mar del Plata (dioqezë rreth 400 km larg Buenos Airesit) ia dha po të shtunën. Së bashku, folën e u lutën dhe Esquivel mori sakramentin e Vojimit të të sëmurëve.

Shënimi i Papës

Vetë imzot Mestre e informoi Papën Françesku për gjendjen shëndetësore të pacifistit. Në mesazhin e tij shkruhet:

“I dashur vëlla, ipeshkvi, imzot Mestre, më njoftoi për problemin tënd shëndetësor. Përmes këtyre rreshtave të siguroj për afërsinë dhe për lutjet e mia që të shërohesh shpejt. Jepi përshëndetjet e mia gruas. Jezusi ju bekoftë dhe Virgjëra Shenjte ju ruajtë. Vëllazërisht”.

Kush është Esquivel

Lindur në Buenos Aires më 26 nëntor 1931, Esuqivel mori çmimin Nobel për Paqen në vitin 1980, pas denoncimeve kundër abuzimeve gjatë “Luftës së ndyrë” të viteve ’70. Për 25 vite me radhë arkitekt, skulptor e profesor arkitekture, në vitin 1974, e la karrierën akademike për t’iu kushtuar krejtësisht asistencës për të varfërit dhe luftës kundër padrejtësive shoqërore e politike, pa dhunë.

Pas grushtit të shtetit të Jorge Rafael Videla, kontribuoi në formimin e “El Ejercito de Paz y Justicia”, shoqatë që mbron të drejtat e njeriut, e cila ndihmoi viktimat e regjimit e të luftës në ishujt Falklands. U arrestua dhe u torturua nga policia disa herë e ndërsa ndodhej në burg, Papa Gjoni XXIII i dha Memorialin e Paqes. Në vitin 1980, fitoi Nobelin e në vitin 1999, çmimin “Pacem in Terris”.

03 janar 2022, 16:19