Kërko

E ardhmja varet nga ndryshimi i strategjisë E ardhmja varet nga ndryshimi i strategjisë

Papa Françesku: masa e përparimit të jetë njeriu e jo fitimi

Papa Françesku hapi me një mesazh, kuvendin me temë “Të përgatisim të ardhmen, të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, përtëritëse”, i cili u mbajt në Pallatin e Lateranit, në Romë. U organizua nga Komisioni Vatikanas për Covid-19 në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe nga Rrjeti Deloitte. E fuqishme, ftesa e Atit të Shenjtë: nevojitet një strategji e re, janë humbur tepër raste deri tani

R.SH. - Vatikan

Jo vetëm deklarata parimore, por impenjime konkrete që ekonomia dhe financa të jenë në shërbim të njerëzve e të Tokës nënë. Masa e përparimit dhe e zhvillimit duhet të jenë njerëzit, që dalin nga varfëria dhe punojnë me dinjitet e, jo fitimet.

Duhet ndryshuar strategjia: tepër raste janë humbur

Ky ishte urimi i Papës Françesku në mesazhin për pjesëmarrësit e kuvendit të djeshëm (12 janar), në Pallatin e Lateranit në Romë, me titull “Të përgatisim të ardhmen, të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, përtëritëse”. U organizua nga Komisioni Vatikanas për Covid-19 në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe nga Rrjeti Deloitte. Punimet nisën nga kërkesa për të përgatitur të ardhmen pas pandemisë e Ati i Shenjtë, si gjithnjë, thekson se koronavirusi nuk mund të na lërë si dy vjet më parë. “Duhet të pranojmë – shkruan Papa – se kemi humbur shumë raste për t’i ndryshuar strategjitë”. Flet për “padrejtësi dhe pabarazi” të reja, për “sfida”, që akoma duhen përballuar, si kujdesi për Shtëpinë e përbashkët, shpërndarja e vaksinave, lufta kundër urisë dhe varfërisë, kundër tregtisë së armëve. Bota e ekonomisë dhe e financave ka përgjegjësi në gjetjen e zgjidhjeve për këto probleme e në “ndryshimin e paradigmës”, që mund ta shndërrojë botën përmes punës. Punimet e konferencës u zhvilluan me dyer të mbyllura, duke përdorur edhe platforma dixhitale për t’u lidhur me ekspertë dhe ekonomistë në çdo anë të botës.

Të mendojmë ndryshe

Stili aktual i jetës së njerëzimit po e mbyt botën, paralajmëroi gjatë konferencës së djeshme prefekti i përkohshëm i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny. “Është një zile alarmi, që na përgjërohet të largohemi nga mendësia ‘business as usual’ dhe nga një zhvillim ekonomik gjithnjë në rritje e njëpërmasor”, nënvizoi ai. Duke përmendur fjalët e Papës Françesku, kardinali pohoi: “Ideja e përgatitjes për të ardhmen na sfidon ta përdorim krijimtarinë tonë me mënyra që nuk i kemi përdorur kurrë më parë dhe të kërkojmë një rrugë të re përtej kësaj kohe krize, një rrugë, e cila fillon me një ndryshim rrënjësor, holistik dhe sistematik, në mënyrë që - përfundoi ai - të jetojmë të gjithë së bashku në paqe, me vëmendje të veçantë për të fundmit dhe për planetin”.

13 janar 2022, 13:45