Kërko

Tajfuni në Filipine Tajfuni në Filipine

Ndihmat e Papës për Filipinet dhe për migrantët në kufi me Bjellorusinë

Papa Françesku i jep Kishës së Filipineve një kontribut të parë prej 100 mijë eurosh për të përballuar pasojat e tajfunit Rai e të njëjtën shifër për Karitasin e Polonisë në favor të migrantëve në kufi

R.SH. - Vatikan

Nga njëra anë, katastrofa që goditi në zemër Filipinet - së paku 400 të vdekur, dhjetëra të zhdukur dhe 8 milionë njerëz në vështirësi në 11 rajone, sipas të dhënave të OKB-së - nga ana tjetër, ai që quhet “kufiri i turpit” ndërmjet Bjellorusisë dhe Polonisë, ku emigrantët e bllokuar prej muajsh vazhdojnë të vdesin në çinteresimin e plotë të botës. Në mes, solidariteti i Papës, që cakton 100 mijë euro për secilin prej këtyre fronteve humanitare.

Filipine, ndihmë e menjëhershme

Françesku ia beson Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor detyrën që shuma t’i dorëzohet Kishës në Filipine, përmes nunciaturës apostolike vendase. Ajo do t’u shkojë dioqezave më të prekura nga tajfuni Rai, duke u shprehur në këtë mënyrë, afërsinë shpirtërore të Atit të Shenjtë, theksuar edhe në Engjëllin e Tënzot të 19 dhjetorit të kaluar. Kontributi, saktësohet në komunikatën e dikasterit vatikanas, është “pjesë e ndihmave që po mblidhen në të gjithë Kishën Katolike, jo vetëm nga Konferencat e ndryshme Ipeshkvnore, por edhe nga organizata të shumta bamirëse”.

Në tokën e askujt

Të njëjtin vendim Papa e mori edhe për përballimin e emergjencës së zgjatur të emigracionit në kufirin ndërmjet Bjellorusisë e Polonisë, ku emigrantët nuk kanë asnjë të drejtë e bëhen pre e çdo lloj trafiku. Gjatë pesë muajve, në këtë tokë të askujt, mijëra vetë përpiqen të hyjnë me çdo kusht në Bashkimin Evropian. Shpesh, ikin nga luftërat e nga dhuna. Për ta përmirësuar sadopak gjendjen e tyre, Papa Françesku i jep Karitasit të Polonisë 100 mijë euro, duke uruar të zgjidhet situata e vështirë, e cila vijon që prej 10 vitesh.

18 janar 2022, 14:34