Kërko

2021.05.24 Visita alla Comunità di lavoro del Dicastero per la Comunicazione 2021.05.24 Visita alla Comunità di lavoro del Dicastero per la Comunicazione

Kur dëgjimi bëhet zemra e informacionit

Në Mesazhin e tij për Ditën e Komunikimeve Shoqërore, publikuar këtë javë, Françesku u kërkon mediave të përqendrohen tek njeriu dhe jo tek interesat e veçanta. Papa nënvizon rëndësinë e dëgjimit për të promovuar komunikimin e mirë në të gjitha nivelet. Domosdoshmëri edhe më urgjente në një kohë si kjo e pandemisë, në të cilën njerëzit kanë më tepër nevojë të dëgjohen

R.SH. - Vatikan

Alessandro Gisotti

 “Kemi dy veshë, por një gojë, sepse duhet të dëgjojmë më shumë e të flasim më pak”. Kjo shprehje e famshme, që i atribuohet herë historianit Plutarku e herë filozofit Zeno nga Citium, i përshtatet mirë Mesazhit të Papës për Ditën e Komunikimeve Shoqërore të këtij viti, botuar të hënën e kaluar - në përkujtim të Shën Françeskut të Sales - e përqendruar pikërisht tek dëgjimi. Një temë, kjo e fundit, të cilën Ati i Shenjtë e ka përcaktuar vazhdimisht si qendrore për profesionistët e informacionit (dhe jo vetëm për ta), por që bëhet edhe më urgjente në këtë kohë pandemie, në të cilën distancimi dhe izolimi shoqëror s’bëjnë tjetër, veçse e rrisin nevojën për të dëgjuar vetveten dhe të tjerët. Pra, është shtuar ajo “dëshirë e pakufishme për t’u dëgjuar”, për të cilën flet prej disa vitesh psikiatri Eugenio Borgna.

Dëgjimi është i lidhur me heshtjen. Nuk mund të dëgjosh vërtet nëse zhurma e mbulon zërin e folësit. Ishte 21 prill 2020, lockdown i plotë, kur në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa tha: “Këto kohë ka kaq shumë heshtje. Dëgjohet edhe heshtja! Kjo heshtje, e cila është paksa e re për zakonet tona, të na mësojë të dëgjojmë, të na bëjë ta shtojmë aftësinë për të dëgjuar”. Një aftësi, Goethe do të thoshte “një art”, për të cilin vazhdon të ndihet nevoja.

Shprehja e përmendur në fillim, e cila daton mbi dy mijë vjet më parë, nënvizon se kërkesa për t’i lënë hapësirë dëgjimit të tjetrit - nganjëherë jo i lehtë - e ka shoqëruar gjithmonë udhën e njerëzimit. Më parë dëgjo, pastaj fol. E kjo vlen edhe më shumë kur duhet dëgjuar Tjetri hyjnor, Zoti. Shema’ Izrael - Dëgjo, Izrael: fillimi i urdhërimit të parë të Torah, vëren Papa Françesku në Mesazh, “përsëritet vazhdimisht në Bibël, deri në atë pikë sa Shën Pali pohon se ‘feja vjen nga dëgjimi’ (Rom 10, 17). Vërtet, nismën e merr Zoti, që na flet dhe ne i përgjigjemi, duke e dëgjuar”. Prandaj, dëgjimi përmban natyrshëm dhe pashmangshëm në vetvete temën e takimit. Në jetën e njeriut, kjo është çështje themelore, e cila, në epokën e mediave shoqërore gjithnjë e më të përhapura, të ndërmjetësimit dixhital dhe të përdorimit të inteligjencës artificiale, është pasuruar me kuptime dhe zhvillime veçanërisht të ndërlikuara.

Atëherë, ç’mund të bëjnë mass mediat, ose më mirë, veprimtarët e informacionit, për t’iu përgjigjur kësaj “sfide” të dëgjimit, në një kuadër kaq të ndryshueshëm, ku drejtimet ndërrojnë kah me shpejtësi e, nganjëherë, në mënyrë krejt të turbullt? “Busulla”, që Papa Françesku na e jep për t’u orientuar, është tejet e thjeshtë: njeriu (fjalë e cituar 6 herë në dokument). Vërtet, nëse në Mesazhin e vitit të kaluar i inkurajonte gazetarët të shkonin dhe t’i shihnin njerëzit e historitë e tyre, kudo ndodheshin – “të konsumonin shojet e këpucëve” - ​​këtë vit, Ati i Shenjtë thekson se “për të dhënë një informacion të bazuar, të ekuilibruar dhe të plotë, duhet dëgjuar për një kohë të gjatë”. Papa propozon një lloj terapie dëgjimi edhe për të kuruar ato të këqija të informacionit, që i ka denoncuar vazhdimisht. Dëgjimi nuk është përgjim, që “i shfrytëzon të tjerët për interesat personale”, nënvizon ai në Mesazh. E, me ndjeshmëri gazetareske, vëren se “për të treguar një ngjarje apo për të përshkruar një realitet në një reportazh është thelbësore të dimë të dëgjojmë, të jemi të gatshëm për t’i ndryshuar opinionet e për t’i ndërruar hipotezat fillestare”.

Përvoja pozitive nuk mungon. Duke filluar nga programet radiofonike, që dëgjojnë shqetësimet e të rinjve e deri tek gazetat lokale (përvoja në territor është thelbësore), që bëhen megafon për të pazëshmit e tek “eksperimentet shoqërore” në fushën e komunikimit dixhital, ku krijimtaria gjen hapësira të pashkelura. Jo më pak domethënëse – siç nënvizoi në një intervistë për mediat e Vatikanit, drejtori i përgjithshëm i Bashkimit Evropian të Radio-Televizioneve (EBU), Noel Curran,– është protagonizmi i ri i shërbimit publik, i thirrur, për natyrën dhe statutin e tij, të dëgjojë kërkesat e njerëzve dhe të bashkësive. Gjatë pandemisë, është i bindur kreu i EBU-së, mediat publike “janë kthyer në një portal për popullsinë”. Këtyre mediave, ashtu si secilit prej nesh (sepse të gjithë jemi qenie komunikuese), Papa u kërkon të rivendosin njeriun në qendër. Dhe të besojnë në marrëdhëniet, të cilat fillojnë gjithnjë duke hapur veshin e zemrës për t’u bërë të afërt me ata, që takojmë në udhëkryqet e jetës sonë.

28 janar 2022, 14:36