Kërko

Kremtimi i Mbrëmësoreve nga Papa Françesku e krerë të tjerë të krishterë Kremtimi i Mbrëmësoreve nga Papa Françesku e krerë të tjerë të krishterë

Papa: t'i kërkojmë Zotit përvujtërinë për ta adhuruar rreth të njëjtit altar

Me Mbrëmësoren e kremtuar në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Papa Françesku mbylli sot Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, që filloi më 18 janar. Të krishterët të gjejnë udhë të reja, të ndryshojnë, të bëjnë vullnetin e Zotit e të ecin përpara së bashku, për t’u bërë një gjë e vetme, siç i deshi Jezu Krishti, theksoi Ati i Shenjtë

R. SH. - Vatikan

Me lutjen që Zoti t’i ndihmojë të krishterët të gjejnë udhë të reja, të ndryshojnë, të ndjekin vullnetin e tij e të ecin përpara së bashku, për t’u bërë një gjë e vetme, siç i deshi Jezu Krishti, Papa Françesku mbylli sot Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, që filloi më 18 janar. Në Mbrëmësoren e kremtuar në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, morën pjesë përveç katolikëve, edhe ortodoksë, anglikanë e të krishterë të tjerë. Ati i Shenjtë përshëndeti veçanërisht përfaqësuesin e Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, Mitropolitin Polykarpos; përfaqësuesin e kryeipeshkvit anglikan të Kanterburit, Hirësinë e tij Ian Ernest; studentët e Institutit Ekumenik të Bossey e ata anglikanë të Nashotah College nga SHBA-të. Duke pasur parasysh temën e Javës së këtij viti, “Në Lindje pamë të dukej ylli i Tij e erdhëm ta adhurojmë”, Papa reflektoi mbi udhën e Mbretërve Dijetarë, që u nisën nga lindja, për të kaluar përmes Jeruzalemit e për të arritur në Betlehem, ku adhuruan Foshnjën Hyjnore.

Të krishterët të ndjekin së bashku Yllin e Krishtit

Mbretërit u nisën nga lindja pas një ylli e Françesku i ftoi të krishterët të ndjekin pikërisht atë yll, yllin e Krishtit.

“Të mos ndjekim shkëlqimin e botës, yjet vezullues që bien – nënvizoi Ati i Shenjtë. Të mos ndjekim modën e çastit, meteorët që shuhen; të mos ndjekim tundimin për të ndriçuar me dritën tonë, duke u mbyllur në grup, për të ruajtur veten. Vështrimi ynë të fiksohet në Qiell, tek ylli i Jezusit. Atë të ndjekim, Ungjillin e tij, ftesën e tij për bashkim, pa u shqetësuar sa i gjatë dhe i lodhshëm do të jetë udhëtimi”.

Dëshmia e të krishterëve të Lindjes na jep shpresë

Lindja, vijoi Papa, na bën të mendojmë edhe për të krishterët, që jetojnë atje. Ati i Shenjtë kujtoi se pikërisht të krishterët e Lindjes së Mesme kanë zgjedhur temën dhe kanë përgatitur doracakët për Javën e lutjes. Kanë sfida të vështira për të përballuar, vuri në dukje Françesku, e megjithatë, dëshmia e tyre na jep shpresë: “na kujton se ylli i Krishtit shndrit në errësirë e nuk perëndon; se Zoti, nga lart, na shoqëron dhe na inkurajon”. Në Qiell, shkëlqejnë së bashku, pa dallim traditash fetare, shumë martirë. Ata, pohoi Papa, na tregojnë një rrugë të mirëpërcaktuar këtu në tokë: atë të bashkimit!

Frika e ngjashme me atë të Herodit e pengon bashkimin

Françesku vijoi të ndjekë udhën e Mbretërve Dijetarë, të cilët kaluan në Jeruzalem, ku gjetën Herodin. Ai dhe gjithë Jeruzalemi u shqetësuan nga fjalët e tyre. E njëjta frikë, vërejti Ati i Shenjtë, mund ta ndalë ecjen e të krishterëve drejt bashkimit të plotë, pasi lëkund siguritë e mëparshme. “Është frika se mos tjetri destabilizon traditat dhe skemat e konsoliduara. Por, në fund të fundit, është frika që banon në zemrën e njeriut, nga e cila Zoti i Ringjallur dëshiron të na lirojë”. Nuk duhet të kemi frikë ta vëmë vëllain para nesh, t’i besojmë njëri-tjetrit e të ecim së bashku, pavarësisht nga dobësitë e mëkatet, nga gabimet e nga plagët së kaluarës. Edhe të krishterët, si Mbretërit, vërejti Papa, kanë nevojë për Fjalën e Zotit, kur ylli nuk duket më në qiell.

“Nuk mund të arrijmë tek Zoti pa Fjalën e tij të gjallë e të frytshme. Ajo i është dhënë gjithë Popullit të Zotit, që ta pranojmë, t’i lutemi e ta meditojmë së bashku. Pra, le t’i afrohemi Jezusit përmes Fjalës së tij, por t’u afrohemi edhe vëllezërve përmes Fjalës së Jezusit. Kështu, ylli i tij do të lindë sërish në udhën tonë”.

Gjunjëzimi dhe adhurimi

Udhëtimi i Mbretërve Dijetarë përfundon në Betlehem, ku gjunjëzohen dhe adhurojnë Zotin. Papa i vuri në dukje këto dy kërkesa, që i bashkojnë të gjithë njerëzit, që besojnë në Krishtin: gjunjëzimi e adhurimi. Sa herë, theksoi Ati i Shenjtë, krenaria e tepruar është bërë pengesë e vërtetë në udhën e bashkimit! Françesku u kërkoi të krishterëve guximin e përvujtërisë dhe lutjen e adhurimin e përbashkët të Zotit për të arritur që ta bëjmë këtë “në të njëjtën shtëpi, rreth të njëjtit altar”.

Zoti, në vendin e parë

Mbretërit i dhurojnë Foshnjës Hyjnore ar, kem e mirrë.

“Dhuratat e Mbretërve – komentoi Papa – simbolizojnë gjithçka Zoti dëshiron të marrë prej nesh. Zotit i duhet dhënë ar, elementi më i çmuar: pra, i duhet dhënë vendi i parë në jetë. Atë duhet të shohim, jo vetveten; vullnetin e Tij duhet të ndjekim, jo tonin; udhët e Tij, jo tonat… E pastaj, kemi, që na kujton rëndësinë e lutjes, e cila lartohet deri tek Zoti si parfum erëmirë. Të mos lodhemi së luturi për njëri-tjetrin e me të tjerët. Së fundi, mirra, që do të përdoret për të nderuar korpin e Krishtit, pasi hiqet nga kryqi, na kujton kujdesin për trupin e vuajtur të Zotit, bërë copë-copë në gjymtyrët e të varfërve. T’u shërbejmë nevojtarëve, t’i shërbejmë Jezusit që vuan!”

Të ndryshojmë rrugë

Mbretërit Dijetarë, vërejti së fundi Papa, në kthim, ndryshuan rrugë. Edhe të krishterët kanë nevojë të ndryshojnë rrugë, zakone e interesa, për të hyrë në udhën e përvujtërisë, të vëllazërimit, të adhurimit. Ati i Shenjtë e përfundoi homelinë me lutjen që ata ta kenë këtë guxim, për ta lejuar Shpirtin Shenjt t’i bashkojë e t’i bëjë një gjë të vetme.

25 janar 2022, 18:30