Kërko

Thirrja e fuqishme e Papës në Lesbos: ta ndalim këtë fundosje të qytetërimit

Me fjalë plot pasion, Papa Françesku denoncoi ngritjen e mureve kundër emigrantëve, në takimin e sotëm me ta në ishullin Lesbos, në Greqi. Nuk zgjidhen kështu problemet, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke këshilluar të favorizohet integrimi. “Fyejmë Zotin nëse i lëmë migrantët në mëshirën e valëve të detit”

R.SH. - Vatikan

“Është e trishtë kur dëgjojmë të propozohet si zgjidhje, përdorimi i fondeve të përbashkëta për ndërtimin e mureve”. Ta ndalim këtë fundosje të qytetërimit, të mos lejojmë që Mesdheu të kthehet në varrezë. Ky ishte denoncimi i fuqishëm i Papës Françesku në takimin e sotëm me refugjatët në ishullin grek Lesbos, ku ka qenë edhe në vitin 2016. Kjo është dita e parafundit e shtegtimit të tij të 35-të apostolik, pasi nesër, Papa do të kthehet në Vatikan.

T’u jepet fund përgjegjësive ‘hidh e prit’

Ati i Shenjtë hyri në Qendrën e Pritjes dhe të Identifikimit të refugjatëve, duke shtrënguar duart e tyre, i pritur nga këngët e nga ngrohtësia e mijëra njerëzve. Dëgjoi presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, e cila vuri në dukje peshën e rëndë, që mban mbi supe vendi, duke kërkuar bashkëpërgjegjësi me Evropën. Edhe Papa e ngriti zërin kundër mbylljes në vetvete e kundër nacionalizmave të çdo lloji, pasi dëgjoi historitë e migrantëve, që kanë ardhur në ishull, shpesh, duke vënë në rrezik edhe jetën.

“Historia na e mëson, por akoma nuk e kemi përvetësuar. Të mos ia kthejmë shpinën realitetit, t’u jepet fund përgjegjësive ‘hidh e prit’, të mos iu delegohet gjithnjë të tjerëve çështja e migracionit, sikur askujt të mos i interesojë e sikur të ishte vetëm një peshë e kotë, që dikush detyrohet ta mbartë!”

Të kapërcejmë frikën, indiferencën dhe çinteresimin cinik

Historia e migrantëve, sidomos e ardhmja e tyre, është po aq e rëndësishme sa ajo e secilit prej nesh, kujtoi Ati i Shenjtë, i cili iu lut Zotit t’i shkundë njerëzit nga individualizmi, t’ua zgjojë zemrat, që të kuptojnë nevojat e të tjerëve, të kapërcejnë frikën, indiferencën dhe çinteresimin cinik, i cili i çon drejt vdekjes të mënjanuarit e kësaj bote.

“Sigurisht, janë të kuptueshme frika e pasiguria, vështirësitë e rreziqet. Ndihen lodhja e zhgënjimi, përkeqësuar nga kriza ekonomike dhe pandemike, por nuk zgjidhen probleme e as përmirësohet jeta duke ngritur barriera. Përkundrazi, duhen bashkuar forcat për t’u kujdesur për të tjerët, sipas mundësive reale të secilit dhe duke respektuar ligjin, duke vënë gjithmonë në plan të parë vlerën e patjetërsueshme të jetës së çdo njeriu”.

Përse nuk flitet me të njëjtën forcë për shfrytëzimin e të varfërve?

Papa kërkoi që, në vend të diskutimeve të shterpëta ideologjike, shoqëria të ndalet për të kuptuar problemet e shumicës së njerëzimit, sidomos të atyre popullsive, që përballojnë emergjenca humanitare, të cilat nuk i kanë kërkuar, por i kanë pësuar padrejtësisht mbi kurrizin e tyre.

“Është e lehtë të tërhiqet opinioni publik duke i futur frikën ndaj tjetrit; përse nuk flitet me të njëjtën forcë për shfrytëzimin e të varfërve, për luftërat e harruara dhe shpesh të financuara me shuma të majme, për marrëveshjet ekonomike bërë mbi lëkurën e njerëzve, për manovrat e fshehta të tregtisë së armëve?”

Ta ndalim fundosjen e qytetërimit

Ati i Shenjtë kërkoi të gjenden zgjidhje për shkaqet e varfërisë së njerëzve, që i shtyjnë ata të migrojnë e jo të përdoren ata për propagandë politike.  E për ta bërë këtë, nuk mund të përballohen problemet vetëm kur bëhen urgjente e kur emergjenca humanitare pushton ndonjë zonë të globit. Papa ngriti zërin për veprime të përbashkëta, për ndryshime epokale, për kapërcimin e getizimit të migrantëve e për integrimin e tyre, që mund të jetë edhe i ngadalshëm, por është, pa dyshim, i domosdoshëm.

“Sidomos, nëse duam të rifillojmë, le të shohim fytyrat e fëmijëve. Ta gjejmë guximin për t’u turpëruar para atyre, që janë të pafajshëm e janë e ardhmja. Ata na prekin në ndërgjegje e na pyesin: ‘Çfarë bote po na lini?’ Të mos largohemi me ngut nga pamjet e vrazhda të trupave të tyre të vegjël, shtrirë pa jetë në plazhe. Mesdheu, i cili prej mijëvjeçarësh ka bashkuar popuj të ndryshëm dhe vise të largëta, po bëhet një varrezë e ftohtë pa gurë varri. Ky pellg i madh uji, djepi i shumë qytetërimeve, tani duket si pasqyrë e vdekjes. Të mos lejojmë që ‘mare nostrum’ të kthehet në një ‘mare mortuum’ të shkretuar, që ky vend takimi të kthehet në teatër ndeshjesh! Të mos lejojmë që ky ‘det kujtimesh’ të kthehet në “detin e harresës”. Ju lutem, ta ndalim këtë fundosje të qytetërimit! Në brigjet e këtij deti Zoti u bë njeri”.

Fyejmë Zotin kur i lëmë emigrantët të mbyten

“Fyhet Zoti – theksoi me forcë Papa Françesku – nëse përbuzim njeriun e krijuar në shëmbëllim me Të, duke e lënë në mëshirën e valëve, në konfuzionin e indiferencës, që nganjëherë, justifikohet edhe në emrin e të ashtuquajturave vlera të krishtera. Feja na kërkon dhembshuri e mëshirë”.

“Nuk është ideologji fetare, janë rrënjët konkrete të krishtera. Jezusi pohon solemnisht se është aty, në të huajin, në refugjatin, në të zhveshurin e në të uriturin. E programi i krishterë është të gjendemi aty ku është Jezusi. Po, sepse programi i krishterë, siç ka shkruar Papa Benedikti, ‘është një zemër, që sheh’. E nuk dua ta përfundoj këtë mesazh pa falënderuar popullin grek për mikpritjen. Shpesh, mikpritja bëhet problem, sepse shpesh, nuk gjenden rrugëdalje për njerëzit, për të shkuar diku tjetër. Faleminderit vëllezër e motra greke për këtë bujari”.

Engjëlli i Tënzot: feja është dhembshuri, siç na mëson Zoja

Duke i ftuar të gjithë të thonë bashkë me të Engjëllin e Tënzot, Françesku nuk harroi të përmendë edhe të gjitha nënat shtatzëna, që “gjetën vdekjen nga nxitimi e udhëtimi, ndërsa bartnin jetën në kraharor”. Papa iu lut Zojës t’u mësojë të gjithëve si vendoset realiteti i njeriut para ideve dhe ideologjive, duke shkuar me hapa të shpejtë drejt të vuajturve.

05 dhjetor 2021, 11:49