Kërko

Të rinjtë grekë ia hapin zemrën Papës

Gëzimi e çiltërsia ishin në qendër të takimit të Françeskut me të rinjtë e shkollës së Shën Dionisit të Motrave Orsoline, në Athinë. Papa dëgjoi rrëfimet tyre, duke i inkurajuar me fjalë të apasionuara, të ngarkuara me shpresë.

R. SH. - Vatikan

Gjatë takimit me Papën, fjala më e përdorur nga të rinjtë e shkollës së Shën Dionisit edhe të Motrave Orsoline, në Athinë, ishte “faleminderit”.  Falënderim i dalë nga zemra e atyre, që  e ndjejnë veten “grigjë e vogël,  e përhapur në gjirin e bashkësive të vogla”. Françesku dëgjoi bisedat e tyre, ndoqi dyshimet, pëshpërtitjet, entuziazmin dhe rilindjet e tyre, siç ishte rilindja e Aboud Gabros, 18 vjeç, i ikur nga Siria  së bashku me të  vëllain Mario, sot 12 vjeç.

Lufta në sytë e fëmijëve

Në tregimin e Aboud Gabros kishte pamje të trishta, ngjarje lufte, plasje bombash që të bien mbi kokë. Të shtëna, pastaj, që shkrehen nga mitrolozët e integralistëve nuk dihet se pse, por dihet se i vrasin  njerëzit pa nxjerrë mirë kokën në ballkon. Goditje e rëndë psikologjike për një  fëmijë, që sapo i ka mbushur 9 vjetët. Ditë për ditë lufta bëhet gjithnjë më e urryer. Pa dritë e pa ujë, detyrohesh të hapësh puse  në çdo lagje. Në vitin 2014, pas plasjes së njërës nga bombat, që vijojnë të shpërthejnë ditë-natë, merret vendimi për të ikur në Greqi, ku banon njëri nga xhahallarët. “Me ndihmën e tij vihemi për udhë - vijon rrëfimin djaloshi - duke kërkuar dy herë nga ambasadat greke të Libanit e të Turqisë  vizën  për të hyrë në Greqi. Por më kot! S’na mbetet tjetër, veçse të nisemi me barkë drejt Greqisë, duke rrezikuar jetën”. Kjo është, me pak ndryshime, historia e gjithë të rinjve, që ia hapën zemrën një Ati të madh, të përbashkët: Papës Françesku.

Fjalë shprese

“Grigjë e vogël” - i quajti  imzot Petros Stefanou, ipeshkëv i Syros, Santorinit e Kretës, drejtues i punës baritore me të rinjtë,  që foli për ngjarje të rëndësishme,  sidomos për pjesëmarrjen në Ditët Botërore të Rinisë, ku tani këta të rinj mund të marrin pjesë pa e vënë kokën në rrezik. Ju falënderojmë - i tha prelati Papës - po u lini të rinjve pas një fjalë shprese “për të zbuluar vazhdimisht në jetën e përditshme, sa gjë e bukur është të jesh mik i Krishtit e gjymtyrë e gjallë e Kishës së Tij”.

Para Jezusit, në paqe

Të rinjtë pohojnë se e ndjejnë veten të bekuar nga Zoti për dhuratën e jetës, për familjen, por pa i fshehur dyshimet,  që të ngjallen në zemër përballë dhimbjes së botës e  ngjarjeve, që jeton ditë për ditë. Ndonëse e kuptojnë se në çastet e vështira mund të meditosh e të flasësh me Zotin, në paqe. Kuptojnë edhe se në çaste të vështira janë të gjithë të barabartë e se duhet ta ndryshojnë mendësinë e tyre individualistike, për ta ndihmuar të afërmin. Duke u orientuar gjithnjë nga busola e fesë, në vijim të shtegtimit të jetës valë mbi valë!

 

06 dhjetor 2021, 11:21