Kërko

Takimi me Ieronymos II. Papa kërkon falje dhe uron udhë bashkimi

Gjatë takimit të Papës Françesku me Primatin e Kishës Ortodokse të Greqisë, u fol për ngjarje të së kaluarës e për ndjenjat e vëllazërimit të së sotmes e të së ardhmes. Papa kujtoi fragmente nga historia, të ndriçuara nga rrënjët e përbashkëta apostolike, por edhe të njollosura nga “helmet e botës” e nga “grindjet” që e thelluan distancën. Shpirti Shenjt - pohoi Papa - na thërret sot, më shumë se në të kaluarën, t’ia shërojmë plagët njerëzimit.

R.SH. - Vatikan

Dita e arritjes në Athinë,  pjesë e parë e etapës së re të shtegtimit të 35-të Apostolik të Papës Françesku, ishte e ngarkuar me ngjarje. Paradite, ceremonia e mirëseardhjes, vizita presidentes së Republikës helenike, takimi me kryeministrin, autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Pasdite skena zhvendoset nga Salla e Fronit, tek kryeipeshkvi ortodoks. 

Ungjilli ishte në qendër të bisedës së Papës me Kryepeshkopin  e Athinës dhe të gjithë Greqisë. Pasi i drejtoi përshëndetjen Hirësisë së Tij, Ieronymos II, Papa e hapi bisedën me fjalët e Shën Palit: “Hir e paqe prej Zotit!”, të njëjtat që pati shqiptuar Apostulli i popujve kur shkeli në trojet greke. Sot - pohoi Papa - “takimi ynë përtërin këtë hir e këtë paqe”.

Më pas u fol për rrënjët apostolike, por edhe për helmet e botës, duke nisur nga Etërit e lashtë, për të vijuar me Koncilet e para ekumenike. Françesku, në vijim, kujtoi edhe takimin e Papës Gjon Pali II me kryepeshkopin Christodoulos, më 4 maj 2001 e, ashtu si Wojtyla, kërkoi falje për plagët e hapura sivëllezërve në rrjedhë të historisë, siç ishte plaçkitja e Kostandinopojës.

Të shikohet Mesdheu, si det që bashkon

Gjatë fjalimit të tij, Papa kujtoi edhe takimin me kryepeshkopin Ieronymos II, pesë vjet më parë, në Lesbos, gjatë emergjencës së njërës prej dramave  më të mëdha të kohëve tona: atë të shumë vëllezërve e motrave, që nuk mund të rrethohen me indiferencë e të shikohen vetëm si barrë, ose të flaken ku të hapet ndonjë shteg i lirë i mundshëm. Ky takim i ri - kujtoi Papa - është rast për të ndarë së bashku gëzimin e vëllazërimit e për ta shikuar Mesdheun jo vetëm si vend “që shqetëson e përçan, por edhe si det, që bashkon”.

Vaji i Bashkimit

Duke folur për hirin e Shpirtit Shenjt, Papa pohoi se është para së gjithash Vaj i Bashkimit: “Shpirti, që dikohet në mendje, na nxit për një vëllazërim më të ngushtë  që çon në bashkim. Nuk duhet të druhemi, prandaj, por ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta adhuruar Zotin e për t’i shërbyer të afërmit, pa bërë prozelitizëm e duke respektuar plotësisht lirinë e tjetrit sepse- siç shkruan Pali – ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria!”.

Vaj i dijes 

Shpirti Shenjt - vijoi Papa - është vaji i dijes. Ai e vajosi Krishtin e dëshiron t’i frymëzojë gjithë të krishterët. Në përfundim, si kujtoi edhe Vajin e Ngushëllimit, Françesku e quajti këtë takim, rast të përshtatshëm për lidhjen e marrëdhënieve të përzemërta  si dhe fillimin e shkëmbimeve ndërmjet akademikëve të të dy konfesioneve.

Zbritët ndër zemra ngushëllimi i Shpirtit Shenjt

Pjesa e fundit e fjalimit të Papës tingëlloi si lutje: “Ardhtë përmbi ne Shpirti i të Kryqëzuarit të Ngjallur. Na ndihmoftë të mos rrimë të paralizuar nga e keqja e nga paragjykimet e kohëve, por ta shikojmë realitetin me sy të rinj”.

04 dhjetor 2021, 17:48