Kërko

Toka Shenjte Toka Shenjte 

Papa të rinjve të Tokës Shenjte: shikojeni të ardhmen, përtej luftërave e mureve

Në një mesazh regjistruar gjatë vizitës në Qipro, Françesku u uron Krishtlindjen gjithë të rinjve e të rejave të Betlehemit e të Tokës Shenjte, duke i nxitur ta shikojnë horizontin me shpresë e të jenë besnikë ndaj rrënjëve dhe pasurisë së tyre kulturore e fetare: “Mos e braktisni ëndrrën për t’i hapur popullit tuaj rrugët e përparimit!”.

R. Sh. - Vatikan

“Provoni të shikoni horizontin! E vini bast për të ardhmen… Zoti nuk të zhgënjen, mund të bëni punë të mëdha”.

Të rinjve të Tokës Shenjte Papa Françesku u çon shpresën si dhanti për Krishtlindje. Një shpresë konkrete, që të hap para horizontet, ardhmërinë, përtej luftërave, kufizimeve të koronavirusit, me pasoja  të rënda mbi shtegtimet, përtej mureve, varfërisë, mungesës së lirisë!

Zoti nuk të zhgënjen

“Provoni të shikoni horizontin! Ka gjithnjë premtime përtej, e kur premtimi  garantohet nga Fjala e Zotit, nuk të zhgënjen kurrë. Shpresa nuk zhgënjen. Nuk zhgënjen kurrë Zoti! - thekson Papa në mesazhin e  regjistruar nga Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, gjatë vizitës së kohëve të fundit në Qipro. Videomesazhi u përhap Natën e Krishtlindjes nga Christian Media Center.

Jo, mendimeve të zymta

Gjatë bisedës së filmuar, Papa i dërgon urimet të rinjve nga Nikosia: “Jam pranë jush, në bregun tjetër. Mendoj shumë për ju, që jeni në Tokën Shenjte… vend shtegtimesh që, për fat të keq, vuajti shumë nga shkaku i pandemisë së koronavirusit”.  E pikërisht duke shikuar vuajtjet e këtyre popujve, Papa  e ndjen fort përhumbjen që i paralizon breznitë e reja në këtë epokë të vështirë:

“Nganjëherë nuk dini çfarë duhet bërë,  mendoni se aty ku jeni nuk ka të ardhme e, prej këndej, mendoni edhe të emigroni gjetiu… Ju lutem, mos lejoni t’ju trazojnë mendime kaq të zymta”.

Horizonti i jetës

“Shikoni përpara, drejt horizontit! Nuk mungon kurrë horizonti në jetë” – i inkurajon të rinjtë Ipeshkvi i Romës - Dy janë alternativat: “T’i ulim sytë, ose të shikojmë horizontin”.

Provoni të shikoni horizontin - përsërit Papa, e nxit:

“Angazhohuni me tokën tuaj, angazhohuni me atdheun tuaj, angazhohuni me historinë tuaj. E çojeni përpara  thirrjen  njerëzore,  që jua dhuroi Zoti”.

Ëndrra për të ndërtuar

“Mos hiqni dorë, shikoni gjithnjë përpara, mos e braktisni ëndrrën që ju nxit të ndërtoni, ta bëni popullin tuaj të përparojë, t’i rrisni rrënjët tuaja. Pasurinë tuaj kulturore. Pasurinë fetare. Të formosh një familje nuk është aspak e lehtë, posaçërisht në situatën aktuale, po ju mos e humbisni shpresën”.

Kështu i nxit Papa të rinjtë.

Rrezikoni!

Është e rrezikshme - pranon Ati i Shenjtë - por edhe Tre Mbretërit rrezikuan, kur vendosën të nisin shtegtimin e tyre drejt Shpellës së Betlehemit. “E kush e mendonte asokohe se foshnja e grazhdit ishte Biri i Zotit?”. Mbretërit e parandjenë, ndaj ishin gati të rrezikonin.

“Prandaj ju them: në mes të varfërisë, në kohë luftërash, kufizimesh, muresh, mungese të lirisë, mendoni për Shpellën ku lindi Krishti! E pikërisht si bëri Ai nga grazhdi, edhe ju mund të bëni punë të mëdha, edhe pse në situata të ngarkuara me kontradikta”

Prej këtu ju uroj “Krishtlindje të Shenjtë”, e ju bëj kërkesën e përhershme: mos harroni të luteni për mua!

25 dhjetor 2021, 14:16