Kërko

Papa në takimin me të rinjtë grekë Papa në takimin me të rinjtë grekë

Papa, të rinjve: ëndërroni gjëra të mëdha, mos i dëgjoni “vrasësit e shpresës”

Françesku takohet me djem dhe vajza nga e gjithë Greqia, në fund të udhëtimit të tij të 35-të apostolik në Qipro e Greqi. Duke dëgjuar tri dëshmi, ndër të cilat edhe atë të një refugjati sirian, Papa u bëri thirrje të rinjve t’u kushtohen të tjerëve dhe të mos joshen nga “sirenat”, që propozojnë “mesazhe magjepsëse, fitime të lehta, nevoja të rreme konsumi, kultin e mirëqenies”

R.SH. - Vatikan

 "Brostà, óli masí!". "Përpara, të gjithë bashkë!", pa u trembur nga dyshimet, që janë "vitamina feje", pa e shkatërruar jetën nga "asgjësuesit e ëndrrave dhe vrasësit e shpresës", pa u burgosur në “botën virtuale”, ku ka rëndësi vetëm dukja, që na bën “tepër ‘social’, por pak ‘socialë’”, pra, pak të shoqërueshëm me të tjerët. Papa Françesku i nxiti me forcë të nisin Odisenë e jetës, të rinjtë nga e gjithë Greqia, që i takoi paradite në Shkollën Shën Dionisi të motrave orsoline, në Maroussi. Përqafimi me brezat e rinj, që do të ndërtojnë të ardhmen e një vendi, akoma në krizë, ishte etapa e fundit e shtegtimit të Atit të Shenjtë në tokën helene. Përmes të rinjve, Papa shprehu falënderimin, atë "efcharistó" që e tha shpesh në greqisht, për të gjithë njerëzit, që organizuan, ose ndihmuan në organizimin e udhëtimit të tij të 35-të apostolik në Qipro e Greqi.

Këngë e dëshmi

 Në palestrën e kolegjit, pas këngëve, himneve dhe një valleje tradicionale, Papa dëgjoi tri dëshmi: atë të Katerinës, një e re filipinase, që tregoi sa herë ishte lëkundur feja e saj para vuajtjeve njerëzore; atë të Joanës, nga Tinosi, e cila kujtoi afrimin e saj me Zotin pas një periudhe largimi e zemërimi me Të; atë të Aboud-it, 18-vjeçar sirian, me vëllanë e tij Mario në krah, që i preku të pranishmit, duke folur mbi përvojën si refugjat nga Siria, ku, bashkë me familjen, vuri në rrezik jetën mes bombardimeve e sulmeve.

Sirena, që joshin

Papa mori shkas nga fjalët e tyre e, duke folur herë me letër e herë pa të, u përqendrua në një të vërtetë të vetme, të cilën ua tha të rinjve në të gjitha mënyrat e mundshme: “Zoti ju do”. I ftoi të dalin nga “dembelizmi”, “frika”, “turpi”, të mos dëgjojnë tam-tamet e kësaj bote, të cilat, si të ishin “sirena magjepsëse”, - u tha - duan t’ju joshin me mesazhe të bukura për fitime të lehta, t’ju krijojnë nevoja të rreme konsumi, kultin e mirëqënies fizike, të argëtimit me çdo kusht.

“Janë shumë fishekzjarre, që shkëlqejnë për një çast, por lënë vetëm tym në ajër”.

Njiheni vetveten

Nuk është e lehtë t’u rezistosh sirenave, nënvizoi Papa, duke përmendur historinë e Uliksit e të sirenave në Odisenë e Homerit, në të cilën Uliksi lidhet në direkun e anijes për të mos i ndjekur. Por i këshilloi të rinjtë të marrin shembull nga një personazh tjetër mitologjik, nga Orfeu, i cili këndoi një këngë më të bukur se ato të sirenave, duke i bërë të heshtin e duke shpëtuar kështu, argonautët. Për të rinjtë, kjo melodi duhet të jetë “bukuria e fesë”, sepse “Ne jemi të krishterë jo sepse kështu duhet, por sepse është bukur”. E u kujtoi ftesën e lashtë, të gdhendur në tempullin e Delfit: “Njih vetveten”.

“Prano se vlen për çka je e jo për çka ke. Nuk vlen për shkak të markës së rrobave, ose për këpucët që vesh, por sepse je unik, je unike”.

Unikë, pasi jeni “bij të dashur të Zotit”, vijoi Papa. Kemi një Atë, që vigjëlon mbi ne, pa reshtur kurrë së na dashuri.

“Çfarëdo mendon a bën, qoftë edhe më e keqja, Zoti vazhdon të të dojë. Gjithmonë. E shikon jetën tënde dhe i duket shumë e mirë. Nuk pendohet kurrë për ne. Nëse shihemi në pasqyrë, ndoshta, nuk jemi ashtu siç do të donim, sepse përqendrohemi në atë, që nuk na pëlqen. Por nëse rrimë përpara Zotit, perspektiva ndryshon”.

Mahnituni gjithmonë

Nganjëherë, pranoi Ati i Shenjtë, kemi dyshime për vetveten e, në raste të tilla, duhet t’ia fillojmë nga e para, duhet të rigjejmë sërish “mahnitjen” (Thaumàzein), atë shkëndijë, nga e cila kanë lindur filozofia, kultura, arti e shkenca e, edhe feja. Papa i ftoi të rinjtë të mos e humbasin këtë mahnitje para Zotit, pavarësisht nga dobësitë e mëkatet, sepse Ai i Lumi është gati të na dojë gjithmonë. E nëse e ndiejnë veten keq për diçka, që mund të kenë bërë, të provojnë “mahnitjen para faljes”.

“Të mos e lejojmë dembelizmin, frikën a turpin të na vjedhin thesarin e faljes. Të mahnitemi nga dashuria e Zotit! Do të rizbulojmë veten; jo çfarë thonë për ne apo çfarë ngjallin tek ne pulsionet e çastit; jo ç’hedhin mbi ne parrullat e reklamave, por do të rizbulojmë të vërtetën më të thellë, atë që sheh Zoti, atë në të cilën Ai beson: se jemi bukuri e papërsëritshme”.

Shumë “social”, por pak “socialë”

 Papa u bëri thirrje të rinjve të mos mjaftohen vetëm me takime virtuale në rrjetet shoqërore, por të shoqërohen ndërmjet tyre. Të mos kërkojnë dukjen, por të padukshmit, pasi kjo është diçka vërtet origjinale e revolucionare. E pastaj, denoncoi:

“Shumë sot janë tejet ‘social’, por pak ‘socialë’, pra, pak të shoqërueshëm: të mbyllur në vetvete, të burgosur të celularit që mbajnë në dorë. Por në ekran mungon tjetri, i mungojnë sytë, fryma, duart. Ekrani kthehet lehtë në një pasqyrë, ku mendon se je përballë botës, por në realitet je vetëm, në një botë virtuale plot paraqitje e fotografi të retushuara për t’u dukur gjithmonë bukur dhe në formë”.

Ati i Shenjtë u bëri thirrje të rinjve ta frekuentojnë realisht njëri-tjetrin, pavarësisht se kjo kërkon pak lodhje më shumë se sa të rrish ulur në divan, para televizorit.

Aventura e jetës

Por, të rinjtë e vendit ku kanë lindur Olimpiadat e maratona, duhet të kenë aspirata të tjera, që i bëjnë mirë trupit e shpirtit. Takimi me të tjerët, ndihma për të mbajtur barrët e njëri-tjetrit, nuk do t’ju lërë të plakeni, u tha Papa, e do t’ju bëjë ta ndieni aventurën e jetës, të bëheni Telemakët e kohës sonë.

“Mos lejoni t’ju paralizojë frika, ëndërroni gjëra të mëdha! E, ëndërroni së bashku! …Ka nga ata, që do të përpiqen t’ju ndalin. Ka nga ata, që do t’ju thonë gjithmonë: ‘Lëre këtë punë, mos rreziko, është e kotë’. Janë asgjësuesit e ëndrrave, vrasësit e shpresës, nostalgjikë të pashërueshëm të së kaluarës”.

Ati i Shenjtë e përfundoi fjalën e tij duke u bërë thirrje të rinjve grekë ta ushqejën shpresën, t’i përballojnë me guxim sfidat e frikën nga e panjohura, të dalin nga këneta e homologimit dhe të marrin në dorë jetën e tyre.

06 dhjetor 2021, 10:32