Kërko

Papa: të mbrohet pafajësia e fëmijëve nga Herodët e sotëm

Sot, 28 dhjetor, Kisha Katolike përkujton shenjtorët e pafajshëm. Në një tweet, Papa Françesku na fton të lutemi për t’i mbrojtur fëmijët nga “Herodët e rinj”, që ua prishin pafajësinë

R.SH. - Vatikan

“Herodët e rinj të ditëve tona ua prishin pafajësinë fëmijëve, duke i rënduar me punë skllevërish, me prostitucion e shfrytëzim, me luftëra dhe emigrim të detyruar. #TëLutemiSëBashku sot për këta fëmijë dhe t’i mbrojmë. #SantiInnocenti”: ky është tweet-i i Papës Françesku, publikuar në faqen e tij @Pontifex për kujtimin e sotëm liturgjik të Shenjtorëve të Pafajshëm. Kisha përkujton fëmijët e Betlehemit deri në dy vjeç, të cilët u vranë nga mbreti Herod për të eliminuar Foshnjën Hyjnore, Jezu Krishtin, që profecitë e patën paralajmëruar si Mesia dhe mbreti i ri i Izraelit.

152 milionë të mitur detyrohen të punojnë

Por sot, ashtu si dje, Herodët janë ende të shumtë dhe të shumta janë armët, që përdorin për t’ua prishur pafajësinë fëmijëve: mjafton të thuhet se, sipas raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, botuar në mars 2021, ka ende 152 milionë fëmijë dhe adoleshentë - 64 milionë vajza dhe 88 milionë djem - viktima të punës së detyruar. Gjysma e tyre, 73 milionë, kryejnë punë të rrezikshme për shëndetin, sigurinë dhe zhvillimin moral. Shumë prej tyre jetojnë në vende të prekura nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore, luftojnë për të mbijetuar, duke gërmuar nëpër rrënoja, ose duke punuar në rrugë. Të tjerë rekrutohen si fëmijë ushtarë e luftojnë për të rriturit.

28 dhjetor 2021, 17:13