Kërko

VATICAN-RELIGION-POPE-ANGELUS VATICAN-RELIGION-POPE-ANGELUS

Françesku: lulëzofshin farët e takimit e të shpresës, që u hodhën në Qipro e në Greqi

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dy ditë më parë u kthye nga shtegtimi në Qipro e në Greqi. E në vijim falënderoi për këtë shtegtim Zotin e të gjithë ata, që e shoqëruan me lutje, si dhe popullsitë e këtyre vendeve të dashura, për mirësjelljen dhe dashurinë, me të cilën e pritën.

R.SH. - Vatikan

Qipro është një margaritar në Mesdhe - kujtoi Ati i Shenjtë - perlë me  bukuri të rrallë, ndonëse i plagosur nga teli me gjemba e nga muri, që e ndan! Aty e ndjeva veten si të isha në familje - kujtoi -  dhe e kam në mendje e në zemër çdo takim, posaçërisht Meshën në stadiumin e Nikozisë. Posaçërisht Ati i Shenjtë kujtoi takimin me Vëllain ortodoks Chrysostomos, që i foli për Kishën Nënë:

“Si të krishterë ecim në rrugë të ndryshme, po jemi bij të Kishës së Jezusit, që është Nënë e na shoqëron, na ruan, na bën të ecim përpara, vëllezër të gjithë. Uroj që Qiproja të jetë gjithnjë laborator vëllazërimi, ku takimi fiton mbi ndeshjen, ku vëllai mirëpritet, posaçërisht kur është i varfër, i përjashtuar, i emigruar. Përsëris se para historisë, para fytyrës së njeriut që emigron, nuk mund të heshtim, nuk mund ta kthejmë kokën mënjanë.”.

Në Lesbo u ndesha sy më sy me vuajtjen

E pashë sy më sy vuajtjen - vijoi Papa, duke kujtuar vizitën në Lesbo: “Ju lutem - shtoi - t’i shikojmë në sy të flakurit jashtë radhëve, kur i takojmë, t’ua ngulim sytë fytyrave të fëmijëve, bij migrantësh të dëshpëruar. Të rrëmojmë në zemër të vuajtjes së tyre, për t’iu kundërvënë indiferencës sonë, t’i shikojmë fytyrat e tyre, për t’u zgjuar nga gjumi i zakonit”

Mendoj, pastaj, me mirënjohje për Greqinë. Edhe aty u prita si vëlla. Në Athinë e ndjeva veten të zhytur në madhështinë e historisë, në këtë kujtesë të Evropës: humanizëm, demokraci, dije, fe! Edhe aty provova mistikën e bashkësisë në takimin me vëllezërit ipeshkvij dhe bashkësinë katolike, në Meshën festive, kremtuar në ditën e Zotit, e pastaj me të rinjtë, ardhur nga  larg për të jetuar së bashku gëzimin e Ungjillit. E akoma, jetova dhuratën  e përqafimit me Kryepeshkopin ortodoks Ieronymos:

“Një herë më priti në shtëpinë e tij e, një ditë më pas, erdhi të më takojë. E ruaj në zemër këtë vëllazëri. E ia besoj Nënës së Shenjtë të Zotit të gjitha farët e këtij takimi. Ju kërkoj të  vijoni të luteni që të bulojnë farët e durimit e të lulëzojnë në frymën e besimit”.

Sot përfundoi Viti kushtuar Shën Jozefit

Në vijim, Papa kujtoi edhe se sot përfundoi Viti kushtuar Shën Jozefit Pajtor i Kishës universale. E pasnesër, më 10 dhjetor, do të mbyllet, në Loreto, Jubileu Lauretan: “Hiri i këtyre ngjarjeve e vijoftë veprimin e vet në jetën tonë e të  Bashkësive tona. Virgjëra Mari e Shën Jozefi na prijshin në rrugën e shenjtërisë”.

08 dhjetor 2021, 13:49