Kërko

Mesha në  Megaron Concert Hall, Athinë Mesha në Megaron Concert Hall, Athinë 

Papa: me Zotin gjithçka mund të ndryshojë, jeta lulëzon nëse i besojmë

Gjatë kremtimit eukaristik në Athinë, në Megaron Concert Hall, Ati i Shenjtë përcakton një vend, shkretëtirën e, një kohë, atë të pendesës, për të kuptuar praninë e Zotit në historinë e popujve e në jetën e çdo njeriu. “Le të kërkojmë hirin për të besuar – pohon Papa – se me Hyjin gjërat ndryshojnë, se Ai na shëron nga frika, na i shëndoshë plagët, i shndërron vendet e shterpta në gurra uji”.

R. SH. - Vatikan

Shkretëtira e pendesa: mbi këto fjalë ngulmon Ungjilli këto ditë, e mbi këto ngulmoi edhe Papa, në homelinë e mbajtur sot pasdite në  Megaron Concert Hall, pasuri kombëtare, sepse tempull i muzikës dhe i veprimtarive kulturore dhe edukative të kryeqytetit grek, ku Françesku shkoi pas vizitës në Lesbos.

E si Shën Luka, pasi kujtoi personalitetet e mëdha të kohës, nga Tiberi, tek Ponci Pilat, tek Herodi e prijës të tjerë politikë e fetarë,  u ndal së pari tek shkretëtira, për të deklaruar “Fjala e Zotit erdhi mbi  Gjonin, të birin e Zakarisë, në shkretëtirë!”.  E po si? A nuk pritej t’i drejtohej njërit nga të mëdhenjtë, që sapo i kujtuam? Jo! Zoti na mahnit. Rrugët që zgjedh, na mahnisin: nuk bëjnë pjesë në parashikimet njerëzore, nuk ndjekin pushtetin  e madhështinë,  që i pëlqen aq shumë njeriut. Këtë theksoi Papa në krye të homelisë:

“Shëlbimi - kujtoi- nuk nis në Jeruzalem, në Athinë a në Romë, por në shkretëtirë. Kjo strategji paradoksale na dhuron një mesazh shumë të bukur: autoriteti, kultura e fama nuk janë garanci për t’i pëlqyer Zotit… çka duhet, është të jesh  i varfër përmbrenda, ashtu si e varfër është edhe shkretëtira”.

E pikërisht në shkretirë e përgatit Pararendësi ardhjen e Krishtit. Tashti, nëse ndokush dëshiron të japë një lajm të rëndësishëm, zakonisht shkon në vende të bukura, ku ka shumë njerëz, ku lajmi përhapet me krahët e erës. Ndërsa Gjoni predikon në shkretëtirë, ku gati-gati nuk ka jetë. Aty e shpall lavdinë e Zotit!

Mesazh që të jep zemër

Po pse e bën këtë? E bën sepse…

“Zoti tani, ashtu si dikur, i  sjell sytë  ku sundon trishtmi e vetmia. Vjen në orët e provës. Na viziton në orë të vështira, në shkretëtirat tona ekzistenciale”.

Nuk ka vend, që Zoti nuk dëshiron ta vizitojë

Duke predikuar në shkretëtirë - kujtoi Papa në vijim të homelisë, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar në Megaron Concert Hall  - Gjoni na siguron se Zoti vjen të na çlirojë e të na japë jetë pikërisht në situata  që duken  pa rrugëdalje. S’ka vend, që Zoti nuk dëshiron ta vizitojë - vijoi të shpjegojë Papa:  

“E sot nuk mund të mos provojmë  gëzim duke  parë se po zgjedh shkretëtirën, për të arritur tek vogëlsia jonë e tek etja jonë, të cilën dëshiron ta shuajë. Atëhere  të shumëdashur, mos kini frikë nga vogëlsia, sepse çështja nuk është të jesh i vogël e i pavlerë, por t’ia hapësh zemrën Zotit e të tjerëve. E mos kini frikë as nga  thatësira, sepse nuk e tremb Zotin, që vjen të na vizitojë!”.

Pendesa!

Papa u ndal, më pas, tek aspekti i dytë, pendesa, të cilën Gjon Pagëzuesi  e kërkon pa pushim. Por - kujtoi më pas - pendesa nuk është ndonjë propozim që na pëlqen ta dëgjojmë: vështirë se mund të pajtohet me Ungjillin e gëzimit, çka na ngjall trishtim!  Këtë pohoi Papa, për të kujtuar, më pas, përvojën e Shën Palit, që mund të na ndihmojë të bëjmë kthesë, të jemi më të mirë, të rrimë larg mëkatit. Thoshte Apostulli i Popujve:  “Nuk jam unë ai që vepron ashtu, por mëkati që është në mua.  Dhe e di se e mira nuk banon në mua ‑ d. m. th. në natyrën time trupore: sepse e dua të mirën, e nuk mund ta bëj të mirën që e dua, por të keqen, që nuk e dëshiroj, atë bëj”: 

“E kjo flet vetë – shpjegoi Papa – e na kujton se duhet të pendohemi, ‘të bëjmë kthesë’, metanoéin. Fjalë e cila përbëhet  nga parafjala ‘metá’, që do të thotë ‘përtej’ dhe nga folja ‘noéin’, domethënë ‘të mendosh’. Të pendohesh, atëhere, do të thotë  të shkosh përtej mënyrës së zakonshme të të menduarit, përtej skemave tona  të zakonshme mendore”.

Domethënia e fjalës “pendesë”

Mendoj - vijoi Ati i Shenjtë - për skemat që e rëgjojnë gjithçka në pretendimin se jemi të zotët e vetvetes, për tundimin, që na shtyn të mendojmë se kështu është bërë gjithnjë, për idenë se shkretëtirat e jetës janë vende të vdekjes, jo të pranisë së Zotit. Po Shën Gjoni na fton të shkojmë përtej, larg  asaj që na thonë instinktet tona, sepse realiteti është më i madh:

“Realiteti na kujton se Zoti është shumë më i madh. Se duhet të besosh në Të, sepse është Ai të shkuarit përtej, është forca jonë. Gjithçka ndryshon, nëse e vëmë Atë në krye të vendit. Kjo është pendesa, kthesa: Zotit i mjafton porta jonë e hapur, për të hyrë e për të bërë mrekulli, ashtu si i mjaftoi një shkretëtirë e fjala e Gjonit, për të ardhur në botë”.
Të kërkojmë – ftoi Papa - hirin  e besimit se me Zotin gjithçka mund të ndryshojë. Të kërkojmë hirin e shpresës. Sepse pikërisht për shpresë kanë etje sot shkretëtirat e jetës.

E pas kësaj thirrjeje, tipike për Kohën e Ardhjes, Papa iu drejtua Nënës, Zojës së Bekuar, Gjithëshenjtes, duke iu lutur të na ndihmojë të jemi si Ajo, dëshmitarë të shpresës!

 

05 dhjetor 2021, 14:53