Kërko

Papa: Kisha e vogël nuk është e parëndësishme, kultivoni vëllazërimin

Papa Françesku, në takimin e tij të dytë gjatë udhëtimit në Greqi, u takua me Ipeshkvijtё, rregulltarët, priftërinjtë dhe katekistët në Katedralen katolike të Shёn Dionisit: "Bekoni vogëlsinë, nuk kërkohet nga ne shpirti i pushtimit apo shkëlqimi i kësaj bote". Ftesa e Papës për të qenë mikpritës - "të ungjillëzosh nuk është si të mbushësh një enë" - dhe të mos mbesim tё lidhur me plagët e së kaluarës, por të punojmë për unitetin mes katolikëve dhe ortodoksëve.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, në takimin e tij të dytë gjatë udhëtimit në Greqi, u takua me Ipeshkvijtё, rregulltarët, priftërinjtë dhe katekistët në Katedralen katolike të Shёn Dionisit Aeropagiti, një ndërtesë e lashtë e shenjtë me mure të pikturuara me skena ungjillore. Këtu Papa u prit nga një meshtar i cili ia afroi një kryq druri të cilin Papa u përkul dhe e puthi e nga një një prift tjetër i ri që i dha ujin e shenjtë. Duartrokitjet e bujshme dhe valëvitja e flamujve bardhë e blu të Greqisë e shoqëruan kalimin e Papёs së Romës përgjatë Katedrales Shёn Dionisit, fisnik e filozof nga Athina që jetoi në shekullin e parë.

Kujtojmё se për urtinë e tij të jashtëzakonshme Dionisi zgjidhet gjyqtar në Athinë e merr vendin në Aeropag, në asamblenë e dijetarëve. Dionisi mbeti i mahnitur nga predikimi i Palit apostull, i ftuar në Athinë për të shpalosur doktrinën e tij para Aeropagut. Pasi mori Pagëzimin, Dionisi u bë propagandues i madh i krishterimit, aq sa të shugurohet për ipeshkëv të Athinës nga vet apostulli Pal. Dionisi e dëshmoi fenë e tij në Krishtin me martirizim: digjet për së gjalli në qytetin e tij.

Besim e mikpritje. Kishës së vogël nuk i kërkohet “shpirti i fitores”, as “shkëlqimi i botës”. I kërkohet mikpritja, i kërkohet që katolikët e ortodoksët “ta dëgjojnë njëri-tjetrin” pa u kushtëzuar nga historia e së kaluarës, që mbetet “plagë e hapur, për shkak - siç  u kujtua edhe në takimin me Patrikun Ieronymos - të  veprimeve e ngjarjeve të frymëzuara nga etja për pushtet e për fitime, të cilat e bënë të fishket bashkimin!

Shikoi përpara, Papa, për t’u treguar rrugën drejt së ardhmes ipeshkvijve, priftërinjve, rregulltarëve, katekistëve të Greqisë, me të cilët  bisedoi gjatë takimit të dytë  të shtegtimit në tokën  ku, pohoi, u ndërtuan themelet e Perëndimit.

Duatrokitje të zjarrta  e  valëvitje flamujsh  bardh-e blu  të Greqisë e shoqëruan Ipeshkvin e Romës gjatë gjithë këtij takimi, në të cilin u fol për shembullin e Shën Palit Apostull e për një Kishë të vogël, pa triumfalizma: “Ne, si Kishë, na kërkohet të ungjillëzojmë, e jo të mbushim një kontenitor të zbrazët. Dëshira jonë është të krijojmë bashkim”.

Kjo, porosia kryesore e Papës. Prej këndej - shtoi Ati i Shenjtë - na kërkohet mikpritje, zemër plot me dëshirën për të krijuar bashkim ndërmjet ndryshimeve njerëzore, kulturore, fetare.

“Sfida është të punojmë me pasion për të përbashktën, që të na nxisë katolikë e ortodoksë e vëllezër e motra të besojmave  të tjera - ta dëgjojmë njëri-tjetrin, të ëndërrojmë e të punojmë së bashku, të kultivojmë mistikën e vëllazërimit” . Takimi u mbajt në katedralen e Shën Dionisit Aeropagit, ndërtesë e lashtë kishtare, muret e së cilës janë të pikturuara me skena ungjillore.  Këtu Papa u prit  nga një meshtar,  që i afroi te buzët një kryq druri. Papa u përkul dhe e puthi e më pas një prift tjetër i solli edhe ujin e bekuar: “Historia e kaluar mbetet akoma plagë  e hapur në udhën e këtij dialogu, por ta rrokim me guxim sfidën e sotme”.

Me këto fjalë e përfundoi takimin Papa e u nda nga përfaqësuesit e Kishës katolike në Greqi me përshëndetjen: “O Theós na sas evloghi! Zoti ju bekoftë!”.

04 dhjetor 2021, 18:35