Kërko

Papa në takimin me jezuitët në Athinë Papa në takimin me jezuitët në Athinë

Papa, jezuitëve: jemi më pak, por të mbetemi të përvuajtur, me ndihmën e Zotit

Në revistën “La Civiltà Cattolica”, biseda e Françeskut me bashkësinë e sivëllezërve të Athinës, gjatë udhëtimit apostolik në fillim të dhjetorit: “Të jeni etër, jo zotërinj”, duhet “t’i bëni mirë gjërat e pastaj, të tërhiqeni”

R.SH. - Vatikan

“Baballarë”, jo “zotërinj”; njerëz që i bëjnë gjërat si duhet dhe më pas, tërhiqen pa probleme. Por edhe të përvuajtur, sidomos para uljes së thirrjeve, që duhet shpjeguar jo vetëm nga këndvështrimi sociologjik. Si gjithnjë, dialog i lirë dhe i sinqertë, ai i Papës Françesku me shtatë jezuitët e bashkësisë së Athinës, të cilët i takoi në Nunciaturë, të shtunën e kaluar, më 4 dhjetor, në fund të ditës së parë të shtegtimit apostolik në Greqi. Biseda botohet sot e plotë në revistën e jezuitëve “La Civiltà Cattolica”.

Ulja e numrit

 Ati i Shenjtë i dëgjoi me vëmendje historitë e jezuitëve, që shërbejnë në Greqi e vijnë nga vende të ndryshme, si nga Koreja, Polonia, Belgjika. Kujtoi se në kohën kur hyri ai në Urdhër, jezuitët ishin 33 mijë vetë në gjithë botën, ndërsa tani janë përgjysmuar. Është diçka e përbashkët me shumë kongregata të tjera rregulltarësh, shpjegoi Papa, i cili pranoi se thirrjen e dërgon Zoti e se Ai i Lumi e di pse ka pak, në këtë çast historik. “E vërteta më e thellë – nënvizoi Françesku - është se Zoti na çon këtë përvujtërinë e shifrave për t’i hapur secilit udhën e ‘shkallës së tretë të përvujtërisë’”, që është e vetmja e vlefshme për jezuitët, duke pasur parasysh Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës. “Duhet të mësohemi me këtë përvujtëri”, vijoi Ati i Shenjtë.

Jo lodhjes me nerva

 E përkrah përvujtërisë, e ashtuquajtura “lodhja e mirë”, për të cilën Papa foli, duke iu referuar mënyrës së një jezuiti për të shkuar drejt fundit të veprimtarisë së tij, drejt moshës së shtyrë. Ndoshta, vërejti Françesku arrin “në pleqëri plot punë, ndoshta i lodhur, plot kontradikta, por me buzëqeshje, me gëzimin se e ke bërë punën”. Ati i Shenjtë nënvizoi se kjo është “lodhje e mirë”, jo me nerva, jo e hidhur. Në këtë rast, u tha Papa jezuitëve, “ju jeni këngë shprese”. E i këshilloi që novicët t’i shohin përtej studimeve, të cilat duhet të jenë mjete, që i shërbejnë thirrjes për udhën rregulltare. Jezuitët, vuri në dukje Bergoglio, “kanë aftësinë ta kuptojnë thelbin e jetës. Ndoshta, sepse dinë ta bashkojnë dashurinë me punën e duarve. Ata e prekin realitetin me dorë. Ne priftërinjtë ndonjëherë jemi abstraktë. Vëllezërit janë konkretë dhe i kuptojnë mirë konfliktet, vështirësitë: kanë sy për to”.

Sfida konkrete, zgjidhje konkrete

Më pas, i këshilloi sivëllezërit të mos jenë posesivë. Iu përgjigj një jezuiti, themelues të Qendrës Arrupe në Athinë, duke i shpjeguar se vepra e ngritur prej tij është e Zotit, prandaj, pavarësisht se është ati i saj themelues, duhet ta lërë të rritet, pa qenë i gjithëpranishëm. Çdo jezuit, nënvizoi Papa, “duhet të bëjë gjithçka mirë e pastaj, të tërhiqet”. “Duhet të jemi etër, jo zotërinj”. Duke parë drejt së ardhmes të Shoqërisë së Jezusit, Ati i Shenjtë u kërkoi sivëllezërve të “jenë besnikë ndaj kryqit të Krishtit”, të jenë “krijues në Zotin”, për t’i përballuar “sfidat konkrete me zgjidhje konkrete”. I lavdëroi për dialogun me ortodoksët dhe i ftoi të shkojnë aty ku “Zoti e bën të dukshëm vullnetin e tij dhe kërkon bindje”. U tha të mos e harrojnë lutjen, që është “qendra” e jetës së tyre.

16 dhjetor 2021, 12:55