Kërko

Papa, gjatë kthimit nga Greqia: dokumenti i BE-së për Krishtlindjen është anakronik

Në dialogun me gazetarët, gjatë kthimit me avion nga Greqia për në Vatikan, Papa Françesku foli për udhëtimin, për emigrantët, për vëllazërimin me ortodoksët, por edhe për dokumentin e tërhequr më pas nga Bashkimi Evropian, ku kërkohej përdorimi i një gjuhe, që nuk përfshinte Krishtlindjen

R.SH. - Vatikan

Dokumenti i BE-së, në të cilin këshillohej të mos përdoren urime, ku thuhej fjala “Krishtlindje”, por fraza më të përgjithshme, si “Gëzuar festat”, “është anakronizëm”. Kështu pohoi Papa Françesku, gjatë bisedës tradicionale me gazetarët, në avionin e kthimit nga Greqia për në Vatikan.

Jemi në avionin papnor. Gazetarët i drejtojnë Papës një pyetje delikate, që është dëgjuar disa herë para këtij shtegtimi, sepse i botuar në një dokument evropian.  Dokumenti  i Bashkimit Evropian për Krishtlindjen,  është “modë e një  laiciteti të  holluar, ujë i distiluar”. Kjo, përgjigjja e Papës Françesku gjatë konferencës së shtypit, ndërsa avioni fluturonte drejt Romës.  

“Në historinë e tyre, shumë, shumë diktatura bënë çmos ta realizojnë këtë. Mendoni për diktaturën naziste, për atë komuniste… Është modë, kjo e laicitetit të holluar, e këtij uji të distiluar… Po kjo nuk ka funksinuar kurrë në rrjedhë të historisë”.

Për Papën, “Evropa e Bashkuar duhet t’i marrë në dorë idealet e Etërve themelues, që ishin ideale të unitetit, të madhështisë”, e “duhet të jetë e vëmendshme që të mos ia hapë udhën kolonializmave ideologjike. Kjo mund të ndikojë mbi ndarjen e vendeve e mbi dështimin e plotë të Bashkimit Evropian”. Bashkimi Evropian duhet ta respektojë çdo vend, ashtu si është i ndërtuar në brendinë e vet. Duhet ta pranojë larminë e vendeve, jo t’i uniformojë. Unë e besoj se nuk do ta bëjë çka ka thënë - shtoi Papa - nuk ishte ndjeti i saj, por edhe duhet të ketë mendjen, sepse nganjëherë i shpëtojnë projekte si ky e pastaj nuk di çfarë  të bëjë… Jo! Çdo vend ka tiparet e veta, por çdo vend është edhe i hapur  për të tjerët.

“Bashkimi evropian duhet të ketë sovranitetin e vet, por të respektojë edhe sovranitetin e vëllezërve për një unitet, që i respekton veçoritë e çdo vendi!  Duhet të kemi mendjen e  të mos  jemi përçues të kolonializmave ideologjike. Prandaj, kjo e Krishtlindjes është anakronizëm!”.

06 dhjetor 2021, 16:25