Kërko

Papa Françesku: imigrimi i detyruar, shkandull për shoqërinë njerëzore

Papa në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme u përqendrua përsëri tek figura e fatit të Marisë, Shën Jozefit, sot migrant i persekutuar e guximtar. Është katekizmi i 43-të dhe i fundit i këtij viti, që numëron ditët e që nisi më 13 janarin e kaluar.

R.SH. - Vatikan

Tema e katekizmit të sotëm përqendrohet përsëri tek figura e fatit të Marisë, Shën Jozefit, sot migrant i persekutuar e guximtar. Është katekizmi i  43-të dhe i fundit i këtij viti, që numëron ditët e mbrame e që nisi më 13 janarin e kaluar. Pas ciklit kushtuar lutjes së krishterë dhe Letrës drejtuar Galatasve, duke nisur nga 17 nëntori i kaluar Papa u propozoi besimtarëve reflektimet e tij kushtuar Shën Jozefit. Nisi nga ëndrra që pa Jozefi për lindjen e Krishtit, për të vijuar me ëndrrën  për ikjen në Egjipt. Kësaj ikjeje ia kushtoi Papa audiencën e sotme, në të cilën historia e lashtë i flet  historisë së  njerëzimit në shekuj:

“Një engjëll i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: ‘Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë’. Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt”.(Mt 2,13-23)

 Jozefi, “migrant i persekutuar e guximtar

Për Jozefin “migrant i persekutuar e guximtar”, na flet Ungjilli i Markut,  në të cilin përshkruhet episodi i “ikjes në Egjipt”. Si e rikujtoi këtë episod me të gjitha hollësirat, duke shikuar realitetin e sotëm, Papa Françesku pohoi:

“Edhe sot shumë nga vëllezërit e motrat e tona detyrohen të jetojnë në të njëjtat kushte padrejtësie, frike, dhimbjeje, të detyruar t’i lënë trojet e tyre. Shkaku është gjithnjë prepotenca dhe dhuna e njerëzve që kanë në dorë pushtetin, të cilin shpesh e mbrojnë me krime të shëmtuara. Edhe Jezusit i ndodhi kështu.

Vuajtja e padrejtësia vijojnë…

E ikja e Krishtit në Egjipt i kujtoi menjëherë Papës ikjet e vazhdueshme në rrjedhë të historisë, që sot arrijnë disa nga kulmet. Edhe Familja e Nazaretit e pësoi këtë poshtërim - kujtoi Papa - e, si migrantët e të gjitha kohëve, e provoi mbi lëkurën e vet vuajtjen, frikën e dhimbjen, kur u detyrua të largohet nga streha e nga toka e vet. Shkaku, për të, si për ata që  vijojnë të vuajnë, është gjithnjë i njëjtë: padrejtësia e dhuna e njerëzve të pushtetshëm. Edhe Jezusi e provoi këtë dhimbje.

Historia tregon…

Gjatë katekizmit Papa u ndalua gjatë tek ngjarja, që i parapriu shtegtimit të detyruar të Familjes Shenjte në Egjipt, si të mos u mjaftonte Shpella e Betlehemit.  Mbreti Herod - kujtoi Françesku - e  mori  lajmin e lindjes së Krishtit nga tre Mbretërit. E ndjeu se pushteti i tij po lëkundej. Thirri, atëhere, të gjitha autoritetet e Jeruzalemit për t’u informuar mbi vendin e lindjes, e iu lut Mbretërve t’ia tregonin me saktësi, kur të riktheheshin, që edhe ai të shkonte e ta adhuronte. Gënjente, kështu, ndërsa sendërgjonte krimin: vrasjen e  fëmijës. E me që Dijetarët ia kuptuan dredhinë, bëri çka bëjnë të gjithë ata, që e mbrojnë pushtetin me gjak: i mbyti mbarë fëmijët e Betlehemit, dy vjeç e teposhtë. Duke e larë vendin në gjak, gjë që vërehet shpesh në udhët e vështira të historisë. Edhe sot!

Ikja në Egjipt

Histori e hidhur, që  na kujton planin e faraonit të Egjiptit, i cili i mbyti në lumin Nil të gjithë djemtë e posalindur të popullit të zgjedhur. Ndërsa ikja në Egjipt të kujton historinë e Izraelit, duke nisur nga Abrahami, që gjithashtu banoi aty - e deri te Jozefi, i biri i Jakobit, i shitur nga vëllezërit e i bërë, më pas, “kreu i vendit”. E akoma, te Moisiu, që e çliroi popullin e vet nga skllavëria e egjiptianëve. Kështu e sintetizoi Papa gjithë historinë popullit të zgjedhur, gjithnjë në shtegtim, gjithnjë në kërkim të tokës së premtuar…

Herodi, njeriu që bëhet ujk  

Ikja e Familjes Shenjte në Egjipt e shpëton Jezusin, por nuk e pengon Herodin të bëjë kërdinë. Jemi përballë dy personaliteteve të ndryshme - vijoi Papa - nga njëra anë, Herodi, që e mbron pushtetin e tij me mizori të pamëshirshme, siç ndodh shpesh në historinë e njerëzimit - e nga ana tjetër, Jozefi, me kujdesin prej ati e guximin  prej burri të fortë, që nuk di as nuk do ta vrasë jetën, por ta mbrojë. Ndërsa Herodi, që nuk mbron jetën, por pushtetin me çdo kusht, arrin deri atje, sa të vrasë edhe gratë e fëmijët e vet, pa llogaritur qindra kundërshtarët. Është, kështu, simbol  i tiranëve të djeshëm e të sotëm, njeri që bëhet “ujk” për njerëzit e tjerë. Historia është plot me njerëz të këtillë. Me kriminelë, që duke jetuar me tmerrin  e humbjes së pushtetit, kërkojnë ta mbrojnë duke e ushtruar në mënyrë despotike pushtetin e duke kryer akte të tmerrshme dhune. Por nuk duhet  menduar se kështu veprojnë vetëm tiranët: në tirani mund të shkasim të gjithë, sa herë kërkojmë të shpëtojmë me prepotencë nga frika jonë. Edhe kur e bëjmë këtë me fjalë a me padrejtësi të vogla, të përdorura për t’i poshtëruar të tjerët, që mund të na e rrezikojnë “fronin”.

Jozefi, njeri i drejtë

Po për fat bota nuk ka vetëm kriminelë. Do të ishte e pabanueshme - kujtoi Papa - që ia kundërvuri Herodit, Jozefin, duke e quajtur “njeri i drejtë” e guximtar, që nuk ngurron t’i  bindet urdhëriti të Engjëllit. Mund t’i marrim me mend peripecitë, që iu desh të përballonte në udhëtimin e gjatë e të rrezikshëm. E edhe vështirësitë, që e prisnin në dheun e huaj. E guximi i tij bie në sy edhe në kthim kur, i siguruar nga Engjëlli, e kapërcen frikën e natyrshme e niset, për t’u vendosur në Nazaret me Marinë e Jezusin.

Guximi - kujtoi Papa - është sinonim i forcës, një nga virtytet “kardinale” të njeriut, njëhersh me drejtësinë. E Jozefi na mëson se në jetë ndeshim gjithnjë edhe armiq e armiqësi, po vaj medet për ne nëse veprojmë si Herodi, ndërsa mund ta përballojmë çdo rrezik me guxim e duke ia besuar vetveten Provanisë Hyjnore.

29 dhjetor 2021, 11:45