Kërko

Acropolis Acropolis 

Pa Athinën, bota nuk do të ishte kjo që është!

Pa Athinën, bota nuk do të ishte kjo që është! - këtë theksoi Papa duke folur për Greqinë dhe Athinën magjike, Nënë që i lëkundi në djep të gjitha artet në fasha! Pa Athinën, do të ishim më pak të ditur e më pak të lumtur!

R. SH. - Vatikan

Pa Athinën, bota nuk do të ishte kjo që është! - këtë theksoi Papa duke folur për Greqinë dhe Athinën magjike, Nënë që i lëkundi në djep të gjitha artet në fasha!

Pa Athinën, do të ishim më pak  të ditur e më pak të lumtur!

Nga Mali Olimp - në Akropoli - e në Malin Athos, Greqia e fton njeriun e të gjitha kohëve ta drejtojë shtegtimin e jetës drejt Lartësisë. Drejt Zotit. Sepse njeriu ka gjithnjë nevojë për t’u lartuar në rrethet e qiellit, nëse dëshiron të jetë vërtet Njeri!

E ndërsa sot bota përendimore, e lindur pikërisht prej këtyre viseve, synon  ta  harrojë  nevojën e njeriut për Qiellin, e zënë siç është në kurthin e delirit të mijëra vezullimeve të rreme dhe e pushtuar nga etja e pangopur për pasuri, pasojë e konsumizmit, që të shpersonalizon deri në atë gradë, sa të harrosh se je njeri - këto vise të bekuara na ftojnë të mahnitemi nga pafundësia, nga bukuria e jetës, nga gëzimi i fesë. Këndej kaluan udhët e Ungjillit, që bashkuan Lindjen me Perëndimin, Viset e Shenjta me Evropën, Jeruzalemin me Romën. Këndej, ata Ungjij të cilët, për të sjellë në botë lajmin e mirë të Zotit, dashuronjësit të njeriut, u shkruan në greqisht, në gjuhën e pavdekshme të përdorur nga Fjala - Logos - për t’u shprehur: gjuhë e dijes njerëzore, që u bë zë i Dijes hyjnore. Athina nuk të fton vetëm t’i lartosh sytë drejt Lartësive, por edhe “drejt tjetrit”. Na e kujton deti, përballë të cilit  ngrihet, që e orienton thirrjen e kësaj toke, të ngulur  në zemër të Mesdheut, për të qenë urë ndërmjet popujve. Këtu, sipas pohimit të mirënjohur të Sokratit, njeriu nisi ta ndjejë veten qytetar jo vetëm i atdheut të tij, por i mbarë botës!

E këtu dëgjoi edhe britmën e Aristotelit: “Qytetarë: këtu njeriu u bë i vetëdijshëm se është ‘kafshë politike’”(krh Aristoteli, Politika, I,2).

Si pjesëtar i një bashkësie, nuk i pa të tjerët si nënshtetas, por si qytetarë, bashkë me të cilët do të organizonte polisin. Këtu lindi demokracia. Lindi Djepi, që mijëra vjet më pas u bë shtëpi, një shtëpi e madhe e popujve demokratë: shtëpi e Bashkimit Evropian dhe e ëndrrës për paqe e vëllazërim, që  ky bashkim e përfaqëson sot për shumë popuj!

05 dhjetor 2021, 16:43