Kërko

Papa: Krishtlindja e vërtetё ёshtё kujdesi për të tjerët, veçanërisht për të varfrit

Në homelinë e Natës së Krishtlindjes 2021, Papa i rikujtoi mbarë njerëzimit të vërtetën e madhe: “Ku Zoti është në vendin e parë e adhurohet, ku të fundmit zënë vendin më pranë Tij; ku barinjtë e dijetarët janë bashkë në një vëllazërim më të fuqishëm se çdo klasifikim, Zoti i bën Kishë adhuruese, të varfër e vëllazërore”

R.SH. - Vatikan

Në Meshën e Natёs sё Krishtlindjes, Papa i nxit të krishterët të zgjohen dhe të vihen në udhëtim. Për të rigjetur Zotin dhe për të rigjetur njeriun. E duke kujtuar barinjtë dhe punëtorët e sotëm, thotë: “Mjaft vdekje në punë”.

Mesha e Natёs sё Krishtlindjes edhe këtë vit, pёr shkak tё pandemisё, u kremtua nga Papa Françesku mё herёt, në orën 19.30, në Bazilikёn e Shёn Pjetrit, nё praninё e  rreth 1500 besimtarëve

Në homeline e Meshës së Natёs sё solemnitetit tё Krishtlindjes Papa Françesku kujtoi barinjtë e grazhdit e Betlehemit dhe nënvizoi se "Zoti nuk kёrkon madhështinë, por zgjedh vogëlsinë për të arritur deri tek ne, ndërsa “madhështinë e kërkojmë kur ecim sipas mendësisë sё botës, ndoshta edhe në emër të saj”.

Më pas, ftesa: “Të dashur vëllezër e motra, të kthehemi në Betlehem,  të kthehemi te origjina: te thelbësorja e fesё, te dashuria e parë, te adhurimi dhe te bamirësia. I shikojmë të urtët, dijetarët e lindjes që shtegtojnё dhe si Kishë sinodale, rrugës, shkojmë në Betlehem, aty ku Zoti ёshtё në njeriun dhe njeriu në Zotin; aty ku Zoti është në radhë të parë dhe adhurohet; aty ku të fundit e shoqёrisё zënë vendin më afër Tij; aty ku barinjtë dhe dijetarët qëndrojnë së bashku në një vëllazërim më të fortë se çdo klasifikim. Zoti na ndimoftё të jemi një Kishë adhuruese, e varfër dhe vëllazërore. Kjo është thelbësore. Të kthehemi në Betlehem”. Kёshtu pohoi mes tjerash Papa Françesku gjatë predikimit të Meshës së Natёs sё Shenjtё tё Krishtlindjes, kremtuar nё Bazilikёn e Shёn Pjetrit nё Vatikan.

Homelia e Papës

 Sheshi i Shën Pjetrit shndrit këtë mbrëmje, rrethuar nga të katër anët me drita. Shndrit Shpella e ardhur nga Peruja e Bredhi i Krishtlindjes nga Andalo i Trentinos.  E shndrit, e mbështjellë e tëra me drita, Bazilika,  ku sonte janë ngulur sytë e mbarë popujve të krishterë, nga të katër anët e rruzullit tokësor, të  thithur nga drita e madhe, që rrezatohet nga Kisha e Kombeve, e cila u prin sonte besimtarëve të  mbarë botës drejt një qyteze të vogël, te një shpellë, në një natë të acartë dimri. E pikërisht në natën e thellë ndizet një dritë. Një engjëll duket, lavdia e Zotit i mbështjell barinjtë, e, më në fund jehon edhe lajmi i pritur ndër shekuj: “Sot lindi për ne  Shëlbuesi, Krishti Zot!”.(Lk 2,11)

Kështu e nisi homelinë e Natës së Madhe Papa, duke i marrë për dore besimtarët e mbarë botës, që e ndiqnin nga Bazilika e nga ekranet -  e duke  u kujtuar, me fjalët e engjëllit, si mund të gjindet Zoti i zbritur mbi tokë: “Kjo është shenja për ju: do të gjeni një fëmijë të mbështjellë në fasha, të vënë mbi një grazhd” .

Ja pra, shenja: një fëmijë! Një foshnjë në varfërinë e  thellë të një grazhdi. Nuk ka më drita, vetëtima, kore engjëjsh. Vetëm një fëmijë! Asgjë tjetër,  siç pati paralajmëruar Izaia: “Një fëmijë u lind për ne!”.

Me kujtimin e profecisë së njerit nga profetët më të mëdhenj të Besëlidhjes së Vjetër e nisi homelinë Papa.  Profeci plot kontraste.

Zoti nuk kërkon madhështinë, po vogëlsinë

Papa e vijoi homelinë duke u ndaluar tek rrëfimi ungjillor a, më mirë të themi, te kontrasti i Natës së Madhe. Ungjilli - kujtoi - e tregon lindjen e Jezusit duke u nisur nga Cesari August, që nisi regjistrimin e popullsisë në mbarë tokën: na tregon, pra, perandorin e parë, në të gjithë madhështinë e tij. E menjëherë pas, na çon në Betlehem, ku nuk ka kurrfarë madhështie: vetëm një fëmijë i vogël, i mbështjellë në shpërgaj, i rrethuar nga barinjtë. Ky, mesazhi: “Zoti nuk e do madhështinë, po vogëlsinë! Vogëlsia është udha që zgjodhi për të ardhur mes nesh, për të na i prekur zemrat, për të na shpëtuar, duke na prirë drejt  asaj që vlen”.

Ku duhet t’i ngulim sytë, kur sodisim Betlehemin?

Kur jemi para Shpellës së Betlehemit - i porositi Papa besimtarët – shikoni   në qendër: larg dritave e zbukurimeve, nguljani sytë Foshnjës. Në vogëlsinë e tij është vetë Zoti. E, më pas, një mori fjalësh të ëmbla, të ngjashme me një ninullë:

“Ta pranojmë! T’i themi ‘Foshnjë, Ti je Zoti, Zoti Fëmijë! Le të na përshkojë kjo habi shkandulluese: Ai, që  rrok universin, ka nevojë të mbahet në krah. Ai, që bëri diellin, duhet ngrohur. Vetë ledhatimi, ka nevojë për përkëdheli. Dashuria e pafundme, ka një zemër të vogël, që rreh si gjithë zemrat. Fjala e amshuar është foshnjë, domethënë, e paaftë të flasë. Buka e jetës, duhet ushqyer, Krijuesi i botës nuk ka strehë mbi kokë. Sot gjithçka kthehet përmbys: Zoti vjen i vogël - në botën e madhe! Madhështia e tij, na ofrohet në vogëlsi”.

Ky përshkrimi prekës që i bëri gjatë homelisë Papa, Perëndisë-foshnje, i cili na e fiton menjëherë shpirtin tonë njerëzor, të etshëm për ëmbëlsi, për njomësi, për dashuri.

Sfida e Krishlindjes

Po ne - pyeti në vijim Françesku - a dimë ta pranojmë këtë udhë të Zotit? Kjo është sfida e Krishtlindjes!

Zoti duket, po njerëzit nuk e kuptojnë. Bëhet i vogël për sytë e botës, e bota vijon të kërkojë madhështinë, madje shpesh edhe në emrin e Tij! Zoti ulet e ne duam të lartohemi mbi piedestale. I Tejetlarti është i përvujtë, e ne, të etur për t’u dukur. Zoti shkon në kërkimtë barinjve, të padukshmëve, e ne  bëjmë çmos pikërisht për t’u ngjitur në shkallët e lavdisë:

“Jezusi lind për të shërbyer, e ne i kalojmë vitet në kërkim të suksesit! Zoti nuk kërkon forcë e pushtet, por dashuri e njomësi shpirtërore”.

Ky portreti i Krishtit Fëmijë, pikturuar nga Papa me fjalë të vogla, të thjeshta, në përkim të plotë me Foshnjën, që shtrihet mbi kashtë, diku në një skaj të harruar të botës së madhe.

Një mesazh ngushëllues shprese

Ja pra - vijoi të kujtojë Papa në homelinë e Meshës të Natës së Këshndellave - çka kërkon Jezusi për sonte: hirin e vogëlsisë:

“O Zot, mësona ta duam vogëlsinë! Na ndihmo ta kuptojmë se është udha e madhështisë së vërtetë!”.

Por ç’do të thotë konkretisht ta pranosh vogëlsinë? - pyeti Papa - për të vijuar me përgjigjen, që vlen për të gjithë:

“Së pari, të besojmë se Zoti dëshiron të vijë në gjërat e vogla të jetës sonë,  dëshiron të na njohë në realitetin tonë të përditshëm, në gjestet e thjeshta që bëjmë në shtëpi, në familje, në shkollë, në punë. E në jetën tonë të zakonshme, që synon të realizojë gjëra të jashtëzakonshme”.

E ky është mesazh me shpresë të madhe:

“Jezusi na fton t’i vlerësojmë e t’i rizbulojmë gjërat e vogla të jetës. Nëse e kemi pranë Atë, ç’gjë mund të na mungojë? T’i lëmë, pra, mënjanë  ankimet, t’i lëmë hundët e varura, pangopësinë që të bën të ndjehesh gjithnjë unshëm”.

Jezusi vjen edhe në  vogëlsinë tonë 

Por ka edhe më - vijoi Papa në homelinë e Natës së Madhe, në Bazilikën e Shën Pjetrit - Jezusi nuk dëshiron të vijë vetëm në gjërat e vogla, por edhe në vogëlsinë tonë: në ligështitë tona të panevojshme. E ndoshta edhe të gabuara. Prej këndej, thirrja plot optimizëm e Papës, drejtuar ne të gjithëve.

Motër, vëlla - bëri thirrje Papa - nëse, si në Betlehem, të rrethon terri i natës, nëse vëren se të shikojnë me indiferencë të akullt, nëse plagët që ke në shpirt bërtasin sa u ha zëri ‘Ti nuk vlen fare, nuk do të  jesh kurrë i dashur, ashtu si dëshiron’, sonte Zoti të gjegjet:

“Të dua ashtu si je. Vogëlsia jote nuk më çudit, brishtësitë tua nuk më shqetësojnë. U bëra i vogël për ty. Për të qenë Zoti yt, u bëra vëllai yt! Vëlla i dashur, e dashura motër, mos ki frikë nga unë, por rigjej në mua madhështinë tënde!”.

Ta duam Zotin, atje ku dëshiron Ai

Ta pranosh vogëlsinë - kujtoi akoma Papa në homelinë e Meshës të Natës së Krishtlindjes - do të thotë edhe diçka tjetër: ta rrokësh Jezusin në të vegjlit e sotëm. Ta duash në të fundmit, t’i shërbesh në të braktisurit. Janë ata që i ngjasim më shumë Krishtit, i cili lindi sonte mes nesh fare i varfër. E ndër ta dëshiron ta nderojmë. Një frikë e vetme  na mundon në këtë natë: frika se mund ta plagosim dashurinë e Zotit duke i përbuzur të varfërit me indiferencën tonë. Janë të zgjedhurit e Jezusit, që do të na presin një ditë te Portat e Qiellit. Një Poeteshë e mirënjohur shkroi këto vargje kaq aktuale: “Kush nuk e gjeti qiellin këtu poshtë/ nuk do ta gjejë as atje lart!”(E. Dickinson, Poems, XVII)

Pranë të harruarve

Ta shikojmë përsëri Betlehemin, e do të vërejmë se Jezusi rrethohet pikërisht nga të vegjlit, nga të varfërit, nga barinjtë, që ruanin natën grigjët. Punonin, sepse ishin skamnorë e jeta e tyre nuk kishte orare, vareshin nga grigjët. E Jezusi lind pikërisht pranë tyre, pranë të harruarve të periferive. Vjen për t’i fisnikëruar të përjashtuarit! Vjen ku dinjiteti i njeriut vihet në provë. Nuk vjen tek njerëzit e rëndësishëm, por tek të varfërit, që e fitojnë bukën me djersën e ballit, për të na kujtuar, kështu, dinjitetin e njeriut të punës, por edhe të punës së njeriut. Në ditën e jetës, të përsërisim: “Mjaft më të vdekur në punë!”.

Ta shikojmë përsëri Shpellën

Ta kundrojmë përsëri Shpellën e Betlehemit e do të takojmë edhe personazhet e tjera: Tre Mbretërit Dijetarë, shtegtarë të largët, ardhur për ta adhuruar Jezusin. Nuk janë, pra, vetëm të fundmit, por edhe të parët, që e adhurojnë Zotin, njëlloj si barinjtë  - këtë  theksoi Papa  duke u drejtuar, në përfundim të gjithëve, ftesën për t’u  rikthyer në Betlehem:

“T’i shikojmë Mbretërit, që shtegtojnë e, si Kishë sinodale, për rrugë, shkojnë në Betlehem, ku është Zoti në njeriun, e njeriu në Zotin! Ku Zoti është në vendin e parë e adhurohet, ku të fundmit zënë vendin më pranë Tij; ku barinjtë e dijetarët janë bashkë në një vëllazërim më të fuqishëm se çdo klasifikim: Zoti i bën Kishë adhuruese, të varfër e vëllazërore”.

Të rikthehemi, pra, në Betlehem - kjo ftesa e fundme e homelisë - të vihemi për rrugë, sepse jeta është shtegtim. Të ngrihemi, sepse sonte drita është ndezur! Dritë, që na kujton se në vogëlsinë tonë,  jemi bij të dashur, bij të dritës, dritës së Krishtit:

“Të gëzojmë së bashku, sepse askush nuk do të mund ta shuajë më këtë dritë, dritën e Krishtit, që sonte ndriçon në botë!”.

24 dhjetor 2021, 21:04