Kërko

Mallëngjim e mirënjohje në takimin e Papës me disa refugjatë

Papa Françesku priti sot rreth dhjetë refugjatë në Pallatin Apostolik, në ditën e lindjes së tij. Pasi mbërritën dje në Itali, falë një marrëveshjeje ndërmjet Selisë së Shenjtë, autoriteteve italiane dhe atyre qipriote, ata do të mbështeten drejtpërdrejt nga Papa, ndërsa Bashkësia e Shën Egjidit do të kujdeset për integrimin e tyre shoqëror

R.SH. - Vatikan

“Na shpëtove!”: plot mallëngjim, fjalët me të cilat një djalë kongolez e falënderoi Papën për ndihmën. Së bashku me të riun, Papa priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rreth dhjetë refugjatë nga Kongo Brazavil, Republika Demokratike e Kongos, Kameruni, Somalia dhe Siria. Disa prej tyre janë mjekë dhe teknikë informatike.

         Françesku – thuhet në deklaratën e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni – i mirëpreti, i dëgjoi historitë e tyre, i drejtoi secilit fjalë mirëseardhjeje dhe dashurie, i falënderoi për vizitën. Në veçanti, pyeti për një vajzë të vogël, që e takoi në kampin Mavrouni, në Lesbos. Ajo do të vijë në Itali në ditët në vijim, së bashku me familjen, për t’u kuruar.

Papa priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rreth dhjetë refugjatë
Papa priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rreth dhjetë refugjatë

Një dhuratë për Papën

         Refugjatët ia kthejnë këtë afërsi dhe shqetësim me një urim për “jetë të gjatë dhe shëndet të mirë”, veçanërisht i ndierë në ditën kur Papa mbushi 85 vjeç. Dashuria e tyre tregohet edhe përmes një dhurate: një kuadër i një refugjati afgan, që përshkruan përpjekjen e disa emigrantëve për të kaluar Mesdheun. Pastaj, çasti i fotografive, të gjithë së bashku. Në fund, përshëndetjet dhe kërkesa e Papës që të luten për të.

Papa priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rreth dhjetë refugjatë
Papa priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rreth dhjetë refugjatë

Mbështetja e drejtpërdrejt e Françeskut

         Pasi mbërritën në Itali dje, më 16 dhjetor, falë një marrëveshjeje ndërmjet Selisë së Shenjtë, autoriteteve italiane dhe atyre qipriote, siç ishte parashikuar gjatë udhëtimit të fundit apostolik të Françeskut në Qipro dhe Greqi, refugjatët do të mbështeten drejtpërdrejt nga Papa, ndërsa Bashkësia e Shën Egjidit do të kujdeset për përfshirjen e tyre në një program integrimi njëvjeçar.

Papa priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rreth dhjetë refugjatë
Papa priti sot në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rreth dhjetë refugjatë
17 dhjetor 2021, 16:37