Kërko

Dhjetë Papët me origjinë greke Dhjetë Papët me origjinë greke 

Greqia, tokë e lashtë e Papëve

Me rastin e shtegtimit të 35-të apostolik të Papës Françesku në Greqi, po kujtojmë jetët e Papëve të lindur në këto troje, ose me origjinë greke

R. SH. - Vatikan

Historia e ungjillëzimit në Greqi përkon me zanafillën e krishterimit. Duke nisur nga kjo tokë, kumtimi i Ungjillit u përhap në mbarë Evropën; farët e para të krishtera, që mbinë në Greqi, lidhen me shtegtimet apostolike të Shën Andreut,  Shën Palit e Shën Barnabës. Rrënjët e historisë së Kishës lidhen ngushtë me ato të botës greke e takimi i kulturës greke me atë kristiane, është posaçërisht i frytshëm. Shenja e dukshme e kësaj pasurie shihet qartë kur shfletojmë historinë e Papëve: në shekujt e parë pas lindjes së Jezusit, takohemi me dhjetë papë grekë a me origjinë greke. Vijnë të gjithë nga bota helenike, që luajti rol vendimtar jo vetëm në historinë e mendimit përendimor, por edhe në teologji. Papa i parë grek qe Evaristi, vdekur në vitin 108. I dhjeti, Zakaria, që u ul në fronin e Shën Pjetrit në vitin 741. Greqia, djep i qytetërimit e i filozofisë, është edhe tokë e lashtë e Papëve që, pasi e priti me entuziazëm të madh Papën Gjon Pali II, tani ia hapi në dy kanatat portat edhe Papës Françesku.

Evaristi

Shën Evaristi është Papa i pestë i Kishës katolike. Papnia e tij nisi në vitin 96 a 99. Sipas Liber Pontificalis lindi në Greqi (“natione Graecus”) e ishte bir i një judeu nga Betlehemi, me emrin Judë. U ul në fronin e Shën Pjetrit pas Papës Klementi,  autor i Letrës drejtuar Korintianëve. “T’i mbajmë sytë ngulur mbi gjakun e Krishtit - lexohet në këtë dokument të lashtë - për të kuptuar  sa me vlerë është para Zotit, Atit të Tij”. Papa Evaristi  mendohet të ketë vdekur martir nën Trajanin, pasi kishte shuguruar shtatë diakonë. Sipas disa burimeve, trupi i tij u varros në vitin 108, pranë varrit të Shën Pjetrit.

Telesfori

Shën Telesfori, me origjinë greke, është i teti Papë i Kishës katolike. Papnia e tij nisi në vitin 127 a 128. Sipas disa burimeve, para se të arrinte në Romë, kishte jetuar si vetmitar, ndoshta ndërmjet eremitëve të Malit Karmel. Prandaj karmelitanët e konsiderojnë Telesforin anëtar të urdhërit të tyre. Shën Ireneu, e pas tij Euzebi, kujtojnë se Telesfori i mbaroi ditët mbi këtë tokë si martir. Mendohet se prej tij vjen ndër ne agjërimi kreshmor dhe kremtimi i tri meshëve ditën e Krishtlindjes, posaçërisht, Mesha e Mesnatës, me himnin “Gloria in excelsis Deo”. Gjithsesi këto njoftime, ardhur nga thellësia e  shekujve,  nuk kanë baza të sigurta historike. Portretin e tij mund ta sodisim në veprën, që njihet me emrin Cercchia del Botticelli e që ndodhet në Kapelën Sikstine.

Igjini

Pasardhësi i Shën Telesforit është  Igjini,  i nënti Papë i Kishës katolike. I lindur në Athinë, vijoi aty studimet filozofike. Pasi arriti në Romë, u vlerësua lart për fenë e për dijen. Në vitin 138 u zgjodh në fronin e Pjetrit. Gjatë papnisë së Tij u përhapën rryma të ndryshme heretike. Papa Igjini dënoi posaçërisht  doktrinën  e Valentinianit e të Cedronit. Sipas disa burimeve, nën këtë Papë, lindur në Athinë, nisën urdhërat e hjerarkisë kishtare, e posaçërisht, “urdhërat minorë”, shërbesa që i paraprijnë urdhërave të diakonatit e të presbiteratit. Vdiq gjatë sundimit të Anton Pio-s.

Anteri

Papa Anteri është i 19-ti Papë i Kishës katolike. Sipas Liber Pontificalis, është me origjinë greke. U zgjodh në fronin e Shën Pjetrit më 21 nëntor të vitit 235, vit kur u vra perandori Alessandro Severo nga vetë ushtarët e tij, gjatë një fushate kundër fiseve gjermanike. Papnia e Papës Antero zgjati pak më shumë se 40 ditë. Sipas disa burimeve historike, pësoi martirizimin e vdiq në vitin 236. Në vitin 1854  u zbulua varri i tij në katakombet e Shën Kalistit, në Romë.

Siksti II

Ipeshkëv i Romës nga 30 gushti i vitit 257 deri më 6 gusht 258, Papa Siksti II ishte me origjinë greke. Është Papa i 24-t i Kishës katolike. Papnia e tij kujtohet për dy ediktet  e perandorit Valeriani. Edikti I i vitit 257  i ndalonte të krishterët të mblidheshin e të hynin ndër varreza. I dyti, i vitit 258, jepte urdhër të ekzekutoheshin menjëherë anëtarët e klerit, që vijonin ta dëshmonin fenë e krishterë. Papa Siksti i mbaroi ditët mbi këtë tokë si martir. Ndërsa po kremtonte  misteret e shenjta, duke u mësuar vëllezërve rregullat hyjnore - kujton Martirologu romak - u arrestua me urdhër të perandorit Valerian, nga një mori ushtarësh. Iu pre koka më 6 gusht të vitit 258. Me të pësuan martirizimin edhe katër diakonë.

Euzebi

Euzebi është i 31-ti Papë i Kishës katolike. Papnia e tij, shumë e shkurtër,  nisi e përfundoi gjatë sundimit të Maksencit. Në Liber Pontificalis lexojmë se ishte me origjinë greke, bir i një mjeku. U internua në Sicili me urdhër të perandorit, pas trazirave të krijuara nga Lapsit, ata që e mohuan fenë gjatë persekutimeve e që më pas, kërkuan të pranoheshin përsëri në Kishë. Papa deshi t’i pranonte, por iu kundërvu Erakliu. Euzebi vdiq në Sicili, pasi qe internuar. Trupi i tij, i sjellë në Romë, u varros në Katakombet e Shën Kalistit. Papa Damasi shkroi epigramin mbi varrin e tij. Mbi rrasën origjinale prej mermeri të bardhë, shkatërruar më pas nga Gotët - a Vandalët,  ruhen  vetëm disa fragmente. Sidomos, pjesa e fundit e epigramit: “Erakliu i ndaloi Lapsit të qanin për mëkatet e tyre, ndërsa Euzebi mësoi se  duhet të qash për krimet tua”.

Zosimo

I 41-ti Papë i Kishës katolike me origjinë greke, u ul në fronin e Shën Pjetrit  më 18 mars të vitit 471. Nga burimet historike mësojmë se katër ditë pas zgjedhjes shkroi një letër drejtuar gjithë ipeshkvijve të Galisë e të shtatë provincave, duke njohur pushtetin  e veçantë  të ipeshkvit të Arles, Patroklit. E kjo ngjalli ndërmjet ipeshkvijve grindje, që vijuan edhe pas papnisë së tij. Çështje tjetër e përballuar nga Papa Zosimo, ishte herezia pelagjiane, sipas së cilës natyra njerëzore nuk është e prekur nga mëkati i zanafillës. Në vitin 418, vit i vdekjes së tij, hartoi  Epistula Tractoria, dokument me të cilin dënonte pelagianizmin, drejtuar Kishave kryesore të Lindjes e të Perëndimit.

Gjoni VI

I 85-ti Papë i Kishës katolike. Lindi në Greqi e u zgjodh papë më 30 dhjetor të vitit 301. Gjatë papnisë së tij Teofilati, ekzark i perandorit Tiberi III,  kërkoi  të  rivendosej në Itali pushteti perandorak. Pas rebelimit të trupave italike, ekzarku Teofilati u dorëzua.  Jeta e tij shpëtoi falë ndërhyrjes diplomatike të Papës Gjoni VI.  Papa vdiq më 11 janar të vitit 705.

Gjoni VII

Pasardhësi i tij qe Gjoni VII, me origjinë nga Greqia. Zgjodhi këtë emër e u ul në fronin e Shën Pjetrit më 1 mars të vitit 705. Para se të bëhej Papë, u kushtoi prindërve një epitaf, që u ruajt në Kishën e Shën Anastasisë deri në shekullin XV. E dëshmoi dashurinë e tij për artin përmes afreskeve  të shumta, që u pikturuan në muret e kishave, sipas dëshirës së tij. Burimet historike kujtojnë  se gjatë papnisë, Gjoni VII shuguroi tetëmbëdhjetë ipeshkvij. Ndërroi jetë në vitin 707.

Zakaria

Papa i dhjetë i lidhur me Greqinë është Zakaria. Me origjinë greke, u ul në fronin e Shën Pjetrit pak ditë pas vdekjes së Gregorit III, më 3 dhjetor 741. Që në muajt e parë të papnisë, përballoi çështjen longobarde, duke shkuar personalisht tek mbreti Liutprando, që e kishte radhitur ushtrinë në kufijtë  e dukati romak.  Papa ia doli mbanesh ta ndalonte përparimin e tij. Madje e bindi t’ia kthente dukatit romak disa nga kështjellat e pushtuara.

Liber Pontificalis, duke përshkruar ngjarjet kryesore të jetës së tij, vë në dukje  punimet që bëri në kompleksin e Pallateve Lateranense. I pajisur me kulturë të spikatur, përktheu personalisht nga latinishtja në greqisht “Dialogët e Shën Gregorit të Madh”, që t’i vinte në shërbim të besimtarëve të gjuhës greke, asokohe me shumicë në Romë. Papa Zakaria vdiq më 15 mars të vitit 752.

06 dhjetor 2021, 15:29