Kërko

Papa Françesku: askush të mos shmanget nga detyra e mirëpritjes së refugjatëve

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa Françesku i nxiti përsëri me forcë, siç bëri në shtegtimin e fundit apostolik në Qipro e Greqi, ndërhyrjet e përbashkëta për lehtësimin e dramës së migrantëve në zonën e Mesdheut

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ripohoi sa i nevojshëm është angazhimi konkret e i përgjithshëm për t’i bërë ballë fenomenit të migrimit, posaçërisht në zonën   e Detit Mesdhe, që pa përsëri, ndjekur nga heshtja e përgjithshme, një tragjedi të re.  Vetëm gjatë një jave më se 160 refugjatë u mbytën në det ndërmjet Libisë dhe ishullit italian Lampeduza. Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa i drejtori një thirrje të re, prekëse  bashkësisë ndërkombëtare.

Mirëpritje, parë si përgjegjësi e përbashkët

“Gjatë shtegtimit tim në Qipro e Greqi - kujtoi Françesku - munda të prek edhe një herë me dorë plagët e refugjatëve e të migrantëve. Vërejta edhe se vetëm disa vende evropiane po e mbartin barrën më të rëndë të pasojave të fenomenit migrues në zonën  mesdhetare, ndërsa një dramë e tillë kërkon pjesëmarrje të plotë,  nga e cila asnjë vend nuk duhet të heqë dorë”.

Papa kujtoi më pas se, falë bujarisë së autoriteteve italiane, mundi të sjellë në Romë një grup njerëzish, me të cilin takua gjatë shtegtimit të fundit:

“Sot disa prej tyre janë këtu, mes nesh. Mirëseerdhët! Do të kujdesemi për ju, si Kishë, muajt e ardhshëm. Është shenjë e vogël - nënvizoi - që shpresoj se do të shërbejë si nxitje për vendet e tjera evropiane, që t’i lejojnë kishat vendase të kujdesen për vëllezër e motra të tjera, që kanë kërkesa të ngutshme”.

T’u hapet  porta migrantëve

Më pas Papa nënvizoi edhe nevojën tjetër, të domosdoshme pas mirëpritjes: integrimin e migrantëve. “Janë të shumta Kishat vendase, kongregatat rregulltare dhe organizatat katolike - pohoi Ati i Shenjtë - gati për t’i mirëpritur e për t’i shoqëruar në përpjeket për integrim. Duhet vetëm t’u hapet një portë!”.

22 dhjetor 2021, 11:18