Kërko

Vatican News

Papa: Libani tё rimëkëmbet, është një mesazh për të cilin duhet luftuar

Duke takuar kryeministrin libanez Mikati në Vatikan, Papa siguroi afërsinë e tij me Tokën e Kedrave. Në bisedimet në Sekretariatin e Shtetit, u fol pёr situatën aktuale që po përjeton populli libanez, veçanërisht në lidhje me krizën politike dhe kushtet socio-ekonomike.

R. SH. - Vatikan

Libani është "një mesazh, e edhe një premtim, për të cilin duhet luftuar". Kështu tha Papa duke pritur sot në Vatikan kryeministrin e Libanit, Najib Mikati. Papa Françesku kujtoi ngjarjet e vështira në Tokën e Kedrave, e siguroi lutjet e tij, afërsinë dhe punën e tij, që tё bёhet një përpjekje e përbashkët për të ndihmuar Libanin të rimёkёmbet. Më pas Ati i Shenjtё citoi fragmentin nga Ungjilli, ku Jezusi shkon në shtëpinë e Jairit dhe, duke e marrë për dore vajzën e tij të vdekur, i thotë: "Çohu!". Dhe shtoi: "O Zot, merre Libanin për dore dhe thuaji: Çohu!". Së fundi, ai i ftoi të pranishmit në një moment lutjeje në heshtje.

Krizë dhe bashkëjetesë paqësore

Kryeministri i Libani më pas u takua me Sekretarin e Shtetit tё Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin,  shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. “Gjatë bisedimeve të përzemërta” – thuhet në njoftimin për shtyp nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë – “u nënvizuan marrëdhëniet historike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Libanit dhe roli i rëndësishëm që luan Kisha Katolike në vend.

U fol pёr situatën aktuale që po përjeton populli libanez, veçanërisht në lidhje me krizën politike dhe kushtet socio-ekonomike, me shpresën qё drejtësia, reformat e nevojshme dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar do të ndihmojnë në rigjallërimin e fatit të vendit tё kedrave ". Së fundi, " u ripohuar se sa i rëndësishёm është promovimi i konceptit të qytetarisë së plotë të çdo libanezi - përfundon deklarata -  dhe u nënvizua rëndësia e bashkëjetesës paqësore, në mënyrë që Libani të vazhdojë të jetë një mesazh paqeje dhe vëllazërimi që ngrihet nga Lindja e Mesme ".

25 nëntor 2021, 16:57