Kërko

Papa: të kapërcehen muret e egoizmit, të interesave personale e kombëtare për një botë më të drejtë

Papa takoi anëtarët e "Centesimus Annus Pro Pontifice" dhe pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare të organizuar këtyre ditëve nga Fondacioni mbi temë "Solidariteti, bashkëpunimi dhe përgjegjësia, antidota për të luftuar padrejtësitë, pabarazitë dhe përjashtimet": të qenurit "vëllezër të gjithë" nuk është" një utopi e paarritshme", por "një ëndërr e mundshme, e njëjtë me ëndrrën e Zotit".

R.SH. - Vatikan

Ndërtimi i një bote "më solidare, më të drejtë dhe të barabartë" nuk është një "çështje politike", por " do të thotë t’i japësh trajtë fesë" në Zotin e të jetës, të "dashuruar në njeriut". Ne vërtet mund të jemi "të gjithë vëllezër":  nëse kjo mund të duket "një utopi e paarritshme", ne preferojmë "të besojmë se është një ëndërr e mundshme", sepse është "njëlloj si ëndrra e Zotit". Ky është thelbi i mesazhit të fortë që Papa Françesku ua dorëzoi pjesëmarrësve të konferencës ndërkombëtare që u mbajt mbi temën "Solidariteti, bashkëpunimi dhe përgjegjësia, antidotet për t’i luftuar padrejtësitë, pabarazitë dhe mënjanimet", organizuar në Vatikan nga Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontifice me 21 dhe 22 tetor, të cilët i takoi sot paradite në Sallën Klementina të Pallatit Apostolik.

"Si të krishterë ne jemi thirrur të kemi një dashuri pa kufij dhe pa kufizime, si shenjë dhe dëshmi se ne mund të shkojmë përtej mureve të egoizmit e të  interesave personale dhe kombëtare; përtej fuqisë së parasë e cila shpesh i vendos kauzat e popujve; përtej kufijve të ideologjive, që ndajnë dhe përforcojnë urrejtjen; ​​përtej çdo pengese historike e kulturore dhe mbi të gjitha përtej indiferencës. Të gjithë mund të jemi vëllezër, prandaj mund dhe duhet të mendojmë e të punojmë si vëllezër të të gjithëve". Kështu tha mes tjerash Papa Françesku gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare të Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontefice.

23 tetor 2021, 15:42