Kërko

Varfëria: Papa, ndryshoni modelet ekonomike. Vaksina për të gjithë dhe falja e borxheve

Në një videomesazh drejtuar pjesëmarrësve në takimin IV botëror të lëvizjeve popullore, Papa Françesku u bën një thirrje të fortë të pushtetshmëve të planetit për të punuar për një botë më të drejtë, solidare dhe vëllazërore. Ati i Shenjtë bën thirrje për anulimin e borxhit ndaj vendeve të varfra, për ndalimin e armëve, përfundimin e sulmeve dhe sanksioneve, liberalizimin e patentave në mënyrë që të gjithë të kenë qasje në vaksinë. Dy propozime që duhen zbatuar menjëherë: paga minimale dhe ulja.

R.SH. - Vatikan

“Poetë shoqërorë”: kështu i quan Papa Françesku anëtarët e Lëvizjeve Popullore, të cilëve u dërgon një videomesazh të gjatë me rastin e Takimit të tyre IV Botëror, sesioni i dytë, pas atij të korrikut, në të cilin u fol për pasojat e Covid-19 mbi punëtorët më në nevojë e për të ashtuquajturat “3T”, aq të dashura për Atin e Shenjtë: tokën, shtëpinë dhe punën (tierra, techo y trabajo, nga spanjishtja).

“Ju jeni poetë shoqërorë – u thotë Ati i Shenjtë Bergoglio – sepse keni aftësinë dhe guximin për të krijuar shpresë aty ku duken vetëm hedhurina dhe përjashtim. Poezi do të thotë krijimtari e, ju krijoni shpresë. Me duart tuaja dini të farkëtoni dinjitetin e secilit, atë të familjeve e atë të krejt shoqërisë, përmes tokës, shtëpisë e punës, kujdesit e bashkësisë”.

Të shpëtojmë njerëzimin dhe planetin

Takimi i së shtunës (16 tetor) mbahet në platformën Zoom, në disa gjuhë e, transmetohet në kanalet shoqërore të Lëvizjeve Popullore, por edhe të Vatican News e të Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor. Lëvizjet Popullore paraqitën, edhe për Papën, punën e përpjekjet e tyre gjatë çasteve më të vështira të pandemisë së koronavirusit, përmes projektimit të videos “Pushteti i ‘NE’” dhe përmes dokumentit “Të shpëtojmë njerëzimin dhe planetin”, sintezë e dialogut të tyre për problemet, që po përballon njerëzimi.

Solidariteti, lumni e veçantë për t’u përhapur

 Pikërisht, pas kësaj, Papa Françesku u drejton atyre mesazhin e tij. Flet mbi pandeminë e vështirësitë e shkaktuara prej saj në gjithë botën; flet për fëmijët e të rinjtë, të cilët, kur e përdorin keq teknologjinë, vuajnë nga ankthi për të qenë gjithnjë të lidhur në rrjet, duke e humbur perspektivën për të ardhmen; flet për krizën ushqimore: flet për mjekët e infermierët, “martirë” të solidaritetit, të cilin e konsideron lumni të veçantë për t’u përhapur kudo. Kërkon kthesën personale, por edhe ndryshimin e modelit aktual ekonomiko-shoqëror.

Në emër të Zotit, ndryshoni

Në emër të Zotit, Ati i Shenjtë u kërkon laboratoreve të liberalizojnë patentat e ilaçeve; u kërkon grupeve financiare t’u lejojnë vendeve të varfra të plotësojnë nevojat e popullsive të tyre; u kërkon firmave të mëdha ushqimore të mos imponohen; u kërkon fabrikantëve të armëve të ndalin prodhimin e tyre; gjigantëve të komunikimit u kërkon të vënë në dispozicion falas përmbajtje edukative dhe arsimore; kërkon fundin e sanksioneve që krijojnë varfëri; politikanëve u kërkon të punojnë për të mirën e përbashkët; krerëve fetarë u thotë të mos e përdorin keq emrin e Zotit; shprehet kundër populizmit, ksenofobisë e intolerancës, duke i nxitur të gjithë “të ëndërrojnë së bashku”. Ati i Shenjtë ofron edhe disa udhë për daljen nga situata aktuale, duke u bazuar në Doktrinën shoqërore të Kishës.

Paga universale e reduktimi i ditës së punës

Papa Françesku vë në dukje se për të përballuar gjendjen e vështirë të krijuar nga kriza universale, duhet menduar për “të ardhura minimale, ose për një pagë universale” të garantuar për çdo njeri. “Është e drejtë të luftojmë për shpërndarjen më humane të këtyre burimeve. E është detyrë e qeverive të përcaktojnë skema fiskale që pasuria e një pale të bashkëndahet me barazi”, sidomos për klasën e mesme. Të reduktohet dita e punës, kërkon Papa, duke i nxitur anëtarët e Lëvizjeve Popullore të veprojnë, me ndihmën e Zotit.

Zgjidhje të përbashkëta

Këto takime janë hapësira vëllazërimi, që mbledhin përfaqësuesit e Lëvizjeve Popullore nga mbarë bota, pavarësisht nga feja e nga kultura. Është fjala për “cartoneros”, shitës ambulantë, rrobaqepëse, artizanë, peshkatarë, fshatarë, muratorë, minatorë e njerëz të çdo profesioni e shtrese shoqërore. Që prej shtatë vitesh, ata mblidhen në dialog me Papën Françesku për të diskutuar mbi padrejtësitë shoqërore të sistemeve shoqërore aktuale, duke kërkuar zgjidhje të përbashkëta.

16 tetor 2021, 15:47