Kërko

Papa: kundër krizës klimatike, kthesë dhe kulturë e përkujdesjes

Me rastin e COP26, Françesku i dërgon një videomesazh BBC-së. "Sfida e qytetërimit" dhe "kthesa jo vetëm shpirtërore" janë mjetet, që këshillon Papa për të dalë nga "stuhia e përkryer" e krizës globale.

R.SH. - Vatikan

Një "stuhi e përkryer" përfshin botën, një stuhi e shkaktuar nga ndryshimet klimatike dhe nga pandemia Covid-19, një stuhi që i prish lidhjet e shoqërisë, duke shkaktuar një krizë shumëformëshe: shëndetësore, mjedisore, ushqimore, ekonomike, sociale, humanitare, etike. Ky është imazhi dramatik, që zgjedh Papa Françesku, në fillim të videomesazhit të transmetuar në audio (në video në faqen e internetit) gjat rubrikës radiofonike të BBC-së "Mendimi i ditës", në prag të Konferencës së 26-të të Palëve (COP26) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (Unfccc) . Takimi do të mbahet në Glasgow, Skoci, nga 31 tetor deri më 12 nëntor.

SOLIDARITETI I RI I BAZUAR NË DREJTËSI DHE NDARJE ME TË TJERËT

"Siguritë tona janë lëkundur në themel, etja për pushtet dhe dëshira për kontroll po shkërmoqen”, thotë Papa, i cili kërkon “vizion, planifikim dhe shpejtësi ekzekutimi" për ta rimenduar "të ardhmen e shtëpisë sonë të përbashkët". Ati i Shenjtë shprehet kundër “qëndrimeve të izolimit, të proteksionizmit, të shfrytëzimit", duke këshilluar të konsiderohet kriza si “mundësi e vërtetë për transformim, si pikë e vërtetë kthese, jo vetëm në kuptimin shpirtëror":

Kjo rrugë e fundit është e vetmja që të çon drejt një horizonti "të ndritshëm", që mund të arrihet vetëm përmes përtëritjes së bashkëpërgjegjësisë globale, përmes një solidariteti të ri të bazuar në drejtësi, në ndarjen e fatit të përbashkët dhe në ndërgjegjësimin për bashkimin e familjes njerëzore, plan i Zotit për botën.

DINJITETINI NJERIUT NË QENDËR

Kjo është, pra, sfida e vërtetë që e pret sot njerëzimin:

Është fjala për një sfidë qytetërimi në favor të së mirës së përbashkët dhe për ndryshimin e perspektivës, në mendje dhe vështrim, për ta vendosur dinjitetin e të gjithë njerëzve të sotëm dhe të nesërm në qendër të të gjitha veprimeve tona.

NGA KRIZA NUK DILET VETËM, DUHET TË NDËRTOJMË SË BASHKU

Që këtej, ftesa e Papës për ta "ndërtuar së bashku" botën, sepse "nuk mund të dalim të vetëm nga kriza” dhe nuk ka "kufij, barriera, mure politike, pas të cilëve mund të fshihemi". Françesku kujton thirrjen e përbashkët, nënshkruar më 4 tetor, me krerët fetarë dhe shkencëtarët, për të kërkuar "veprime më të përgjegjshme dhe koherente" në çështjen klimatike, sepse "nuk mund të lejojmë" që brezat e ardhshëm të jetojnë "në një botë të pabanueshme".

Në Thirrjen e Përbashkët kujtuam nevojën për të punuar me përgjegjësi në favor të "kulturës së kujdesit" për shtëpinë tonë të përbashkët, por edhe për vetveten, duke u përpjekur t’i çrrënjosim "farat e konfliktit: lakminë, indiferencën, injorancën, frikën, padrejtësinë, pasigurinë dhe dhunën”.

DUHET ANGAZHIMI I TË GJITHËVE

Por “një kthesë e tillë kaq urgjente”, thekson Françesku, kërkon “përkushtimin e secilit”, një impenjim që “duhet ushqyer edhe nga feja e përshpirtëria”. Pasi, nëse është e vërtetë që politikanët pjesëmarrës në COP26 "janë të thirrur urgjentisht për t’i dhënë përgjigje të frytshme krizës ekologjike në të cilën jetojmë" dhe "shpresa konkrete brezave të ardhshëm", është po aq e vërtetë se përgjegjësia është globale:

Të gjithë ne - ia vlen të përsëritet, kushdo dhe kudo jemi - mund të kontribuojmë në ndryshimin e përgjigjes kolektive ndaj kërcënimit të paparë të ndryshimeve klimatike dhe degradimit të shtëpisë sonë të përbashkët.

ÇFARË SIGURON COP26

I planifikuar fillimisht për nëntor 2020, COP26 u shty një vit, për shkak të pandemisë. Vendet pjesëmarrëse do të paraqesin planet e tyre të azhornuara për të reduktuar emetimet e gazeve serë. Në fakt, në vitin 2015, në fund të COP21 në Paris, u vendos që të kufizohej rritja e temperaturës globale në 1.5 gradë. Kombet u zotuan edhe t’u përshtaten ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe të mobilizojnë fondet e nevojshme për të arritur këto objektiva, duke caktuar një plan kombëtar, në të cilin të tregohet shkalla e reduktimit të emetimeve të tyre, quajtur Kontributi i Përcaktuar Kombëtar (Ndc) ose "kontribut i përcaktuar në nivel kombëtar". Ky plan duhet të azhurnohet çdo pesë vjet dhe kjo pritet të ndodhë gjatë COP26. Kujtojmë se kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, do të udhëheqë delegacionin e Vatikanit në takimin e Skocisë.

 

29 tetor 2021, 10:23