Kërko

Vatican News

Papa Françesku: liria lind nga Kryqi, është udhë e lodhshme, por jo e pamundur

Nuk mund të kalojmë nga prania çliruese e Jezu Krishtit në skllavërinë e mëkatit dhe të legalizmit. Kështu pohoi Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme kushtuar temës së lirisë, fryt i Kryqit të Krishtit. Predikimi, që e pengon lirinë në Krishtin, nuk është ungjillor. Liria e të krishterit bazohet në Hirin e Tënzot e në të vërtetën

R.SH. - Vatikan

“Krishti na liroi për të qenë të lirë! Prandaj, qëndroni të patundur dhe mos lejoni t’ju imponojnë sërish zgjedhën e skllavërisë”. Kështu shkruan Shën Pali apostull në Letrën drejtuar Galatasve, të cilën Papa Françesku vijoi ta komentojë edhe në audiencën e sotme të përgjithshme, duke ndjekur reflektimin e filluar nga fundi i qershorit. Kësaj radhe, Ati i Shenjtë u përqendrua në temën e lirisë së krishterë.

“Liria është thesar, që e vlerësojmë me të vërtetë vetëm kur e humbim – nënvizoi Papa para besimtarëve të mbledhur në Sallën Pali VI, në Vatikan. - Për shumë prej nesh, të mësuar të jetojnë në liri, shpesh, ajo duket si një e drejtë e fituar, më tepër se një dhuratë dhe një trashëgimi për t’u ruajtur. Sa keqkuptime rreth temës së lirisë dhe sa këndvështrime të ndryshme janë ndeshur gjatë shekujve!”

Askush nuk mund të skllavërohet në emër të Krishtit

Apostulli, vazhdon Papa Françesku, “nuk mund të duronte” që galatasit, pasi njohën Jezu Krishtin dhe morën pagëzimin, “u tërhoqën nga propozime mashtruese, duke kaluar nga liria në skllavëri”, për shkak të disa “vëllezërve të rremë”.

“Predikimi, që do të përjashtonte lirinë në Krishtin, - paralajmëron Ati i Shenjtë - nuk do të ishte kurrë ungjillor. Nuk mund t’i detyrojmë të tjerët, në emër të Jezusit, nuk mund ta bëjmë askënd skllav në emër të Jezusit, që na bën të lirë”.

Fjala e Krishtit na bën të lirë, prandaj, shën Pali u bën thirrje galatasve “të qëndrojnë në Jezusin”. Më pas, Papa vuri në dukje se liria e krishterë bazohet në dy shtylla themelore: në Hirin e Tënzot dhe në të vërtetën, që është Krishti.

Liria është dhuratë e Zotit

Liria jonë është fryt i vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit. Apostulli e di mirë këtë, pasi ai vetë u shpëtua nga Krishti, i cili e çliroi nga jeta e mëparshme, nga mëkati i rëndë i persekutimit të të krishterëve.

“Në fakt, - shpjegoi Ati i Shenjtë - liria më e vërtetë, çlirimi nga skllavëria e mëkatit, rrjedh nga Kryqi i Krishtit. Aty ku Jezusi lejoi ta gozhdonin, Zoti vendosi burimin e çlirimit rrënjësor të njeriut. Kjo nuk resht së na mahnituri: vendi ku jemi të zhveshur nga çdo liri, pra, vdekja, mund të bëhet burim lirie. Por ky është mister i dashurisë së Zotit! Vetë Jezu Krishti e pati kumtuar këtë kur tha: ‘Kjo është arsyeja pse Ati më do: sepse unë e jap jetën, për ta rimarrë sërish’... Jezusi e zbaton lirinë e tij të plotë, duke iu dorëzuar vdekjes; Ai e di se vetëm në këtë mënyrë, mund të fitojë jetën për të gjithë”.

Është mister dashurie, që shën Pali apostull e përjetoi personalisht, prandaj për t’ua treguar të tjerëve, përdor një shprehje të fuqishme: “U kryqëzova me Krishtin”: në bashkim me Zotin, fitoi lirinë e vërtetë.

E vërteta na bën të lirë

Për të krishterët, e vërteta e fesë nuk është teori abstrakte, por vetë Jezu Krishti, realiteti i të cilit prek jetën konkrete të çdo njeriu.

“Sa njerëz që nuk kanë studiuar, - shtoi Papa jashtë tekstit zyrtar - as nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë, por e kuptojnë mirë mesazhin e Krishtit, kanë atë urti, që i bën të lirë, pa studime; por është urtia e Krishtit, që ka hyrë në ta me Shpirtin Shenjt në pagëzim. Sa njerëz takojmë, që e jetojnë jetën e Krishtit më shumë se teologët e mëdhenj, për shembull, e janë dëshmitarë të fuqishëm të lirisë së Ungjillit”.

Liria duhet të na nxisë

Liria është e vërtetë, pohoi Papa, nëse është e aftë ta shndërrojë jetën, duke e orientuar drejt së mirës, prandaj, duhet të na shqetësojë, të na nxisë të ndërmarrim hapa për ta vënë atë në veprim.

“E dimë se ka të krishterë, që kurrë, kurrë nuk shqetësohen: jetojnë gjithnjë njëlloj, nuk u lëviz asgjë në zemër, u mungon shqetësimi. Pse? Sepse shqetësimi është sinjal që Shpirti Shenjt po punon brenda nesh. Liria është aktive, me hirin e Shpirtit Shenjt. Prandaj them se e vërteta duhet të na shqetësojë, duhet të na bëjë vazhdimisht pyetje, në mënyrë që të shkojmë gjithnjë e më thellë në çka jemi në të vërtetë. Kështu, zbulojmë se rruga e së vërtetës dhe e lirisë është një udhëtim i lodhshëm, që zgjat gjithë jetën. Është e lodhshme të mbetemi të lirë, është e lodhshme, por jo e pamundur”.

Guxim, të ecim përpara, e përfundoi fjalën e tij Papa Françesku, “kjo është rruga drejt lumturisë”, të mbështetur gjithnjë nga Dashuria, që rrjedh nga Kryqi i Krishtit, i cili na zbulon të vërtetën dhe na dhuron lirinë.

06 tetor 2021, 10:57

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >