Kërko

Papa e puna e grave të fshatit: kanë shumë për të na mësuar

Kujdes, pjesëmarrje, mësime: të ndryshme, mënyrat me të cilat Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë e kanë nënvizuar dhe e nënvizojnë rolin e grave në bujqësi. Edhe sot, me rastin e Ditës Botërore të Grave Fshatare, Ati i Shenjtë tërheq vëmendjen mbi këtë temë, përmes një tweet-i

R.SH. - Vatikan

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave Fshatare, Papa nënvizon në një tweet, në faqen e tij @Pontifex, rolin e rëndësishëm të universit femëror në bujqësi. Françesku thekson se gratë “mund të na mësojnë shumë mbi mënyrën se si me përpjekje e sakrifica ndërtohen rrjete, që sigurojnë ushqimin, shpërndarjen e barabartë të të mirave materiale dhe mundësinë që çdo qenie njerëzore të realizojë aspiratat e veta”.

Të drejta e politika të përshtatshme

 Papa Françesku ka folur shpesh për gratë fshatare, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e tyre. Në mesazhin e tij të 26 korrikut, me rastin e para-samitit të OKB-së mbi sistemet ushqimore, mbajtur në Romë, Ati i Shenjtë e quajti thelbësore rivendosjen e sektorit rural në qendër të politikave botërore. “Fermerët e vegjël dhe familjet fshatare – nënvizoi ai – duhen konsideruar si protagonistë të privilegjuar” të tyre, duke ua marrë parasysh nevojat e vërteta. Gratë fshatare janë të rëndësishme sidomos në zonat më të varfra të planetit, prandaj ekonomia e krijuar prej tyre për mbijetesën e familjeve, duhet të konsiderohet aspekt i rëndësishëm i ekonomisë kombëtare të atyre vendeve, kërkoi Papa.

Kujdesi i Selisë së Shenjtë

Themeluar në vitin 2007 nga OKB-ja, Dita Botërore për Gratë fshatare kremtohet çdo vit, më 15 tetor, që t’u njihet këtyre grave “roli i tyre kyç në promovimin e zhvillimit bujqësor, si edhe kontributi në sigurimin e ushqimit dhe në çrrënjosjen e varfërisë në fshat”. Selia e Shenjtë, gjatë viteve, jo vetëm u ka kushtuar kujdes grave që punojnë në fusha, por ka denoncuar edhe rreziqet që hasin disa prej tyre, duke kërkuar zgjidhje nga bashkësia ndërkombëtare.

15 tetor 2021, 16:45