Kërko

Vatican News

Papa, romëve sllovakë: rruga drejt bashkëjetesës paqësore është integrimi

Françesku viziton Luník IX, një geto në periferi të Košice: “Romët janë objekt gjykimesh të pamëshirshme. Gjykimet dhe paragjykimet vetëm shtojnë distancat, rruga është integrimi”. Papa vlerëson punën e salezianëve, me mision në zonë që nga viti 2008. “Shkoni përtej frikës, përtej plagëve të së kaluarës, me punë të ndershme, me dinjitetin e fitimit të bukës së përditshme”

R.SH. - Vatikan

Pasditja e sotme e Papës Françesku, në shtegtim apostolik në Sllovaki, filloi me një takim në një nga lagjet më të varfra e më të harruara të Košice-s, me banorë, kryesisht romë, njerëz të përbuzur e të mënjanuar nga shoqëria. Në periferinë e qytetit të dytë të Sllovakisë, lagjja Lunik IX, e menduar nga regjimi komunist për të strehuar punonjësit e policisë e të ushtrisë, së bashku me romët, në mënyrë që t’i mbanin ata nën kontroll, ka sot rreth 5 mijë romë, pothuaj të vetmit, që kanë mbetur në këtë zonë, nga e cila, sapo mundin, ikin të gjithë. Pa gaz, pa dritë e pa ujë, ndihmohen vetëm nga salezianët, që shërbejnë aty nga viti 2008.

“Ju jeni në zemrën e Kishës”

E megjithatë, sot pasdite, ata përjetuan ngjarjen më të madhe të historisë së tyre, takimin me Papën Françesku, pikërisht para qendrës saleziane. Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmitë e dy familjeve romë dhe atë të drejtorit të Qendrës, salezianit Peter Bešenyei, i cili i foli për vështirësitë e mëdha të romëve, për paragjykimet kundër tyre, por edhe për punën e bashkësisë saleziane.

E Ati i Shenjtë iu drejtua të pranishmëve, duke filluar pikërisht nga Ungjilli e nga fjalët e Shën Palit apostull: “Ju jeni në zemrën e Kishës”. Askush nuk duhet të ndihet i mënjanuar brenda saj, pasi Zoti na sheh të gjithë së bashku, si bij të Tij, vijoi Papa. E duke iu referuar prirjes së natyrshme të romëve për të kërkuar hyjnoren, nënvizoi: “Kjo është Kisha, një familje vëllezërish e motrash me të njëjtin Atë, që na ka dhënë Jezusin si vëlla, që ta kuptojmë sa e do Ai vëllazërimin… Po, Kisha është shtëpi, është shtëpia juaj – u tha Françesku romëve. – Askush të mos ju mbajë jashtë nga Kisha!”.

Dy çifte, ndryshe nga të tjerët

Papa u përshëndet nga dy çifte, Jani dhe Beata, si edhe Nikola e René: të parët, bashkëshortë me prejardhje të ndryshme, që dëshmojnë si mund të kapërcehen paragjykimet; të dytët, të njohur në lagjen e romëve, vendosën të punonin për t’u siguruar të ardhmen fëmijëve, duke dalë nga një ambient, në të cilin shpesh, sigurohet jeta me lloj-lloj gjërash, por jo me punë. Për të dyja rastet, Ati i Shenjtë kujtoi fjalët e Krishtit: “Mos gjykoni”. Shpesh, nënvizoi ai, jemi “tolerantë me veten e të patundur me të tjerët. Sa shpesh gjykimet janë në të vërtetë paragjykime, sa shpesh përdorim mbiemra! Kjo do të thotë ta shpërfytyrosh me fjalë bukurinë e bijve të Zotit, që janë vëllezërit tanë. Nuk mund të reduktohet realiteti i tjetrit në modele të gatshme, nuk mund të skematizohen njerëzit”.

Lagjja e romëve Lunik IX
Lagjja e romëve Lunik IX

Jeta e vështirë në lagjen e romëve

 Vërtet, gjendja e lagjes së romëve nuk është aspak e lehtë. Askush nuk u jep atyre mundësinë të dalin nga llumi, ku shpesh, zhyten. Askush nuk u jep punë, pasi në mendësinë e përgjithshme, ata s’e kanë mendjen për punë e veç vjedhin. Fëmijët janë të regjistruar në shkollë, por nuk shkojnë, ose frekuentojnë sipas qejfit. Luajnë ndër pellgjet e një lumi të tharë, plot mbeturina, ose enden në pyjet përreth. Edhe mësuesit, vështirë të vinë në këtë zonë. S’është aspak e lehtë të luftosh çdo ditë kundër varfërisë më të zezë, që merr formën e përbindshme të 7 a 8 ndërtesave të rrënuara e të tymosura, mbi të cilat spikasin ngjyrat e rrobave të varura në ballkone.

Don Peter Bešenyei, saleziani që shërben në lagjen e romëve të Kosices
Don Peter Bešenyei, saleziani që shërben në lagjen e romëve të Kosices

Ku ka kujdes për njeriun, ka edhe fryte

Nga kjo situatë dolën Nikola dhe René, që u bindën të gjenin punë për të ndërtuar të ardhmen, me ndihmën e salezianëve. “Kështu – u tha Papa Françesku - na dhatë një mesazh të çmuar: ku ka kujdes për njeriun, ku ka punë baritore, ku ka durim dhe punë konkrete, ka edhe fryte. Jo menjëherë, duhet kohë, por mbërrijnë. Gjykimet dhe paragjykimet vetëm sa rrisin distancat. Kontradiktat e fjalët e mëdha nuk ndihmojnë. Getizimi i njerëzve nuk zgjidh asgjë. Kur ushqejmë mbylljen në vetvete, herët a vonë, ndizet zemërimi. Rruga drejt bashkëjetesës paqësore është integrimi”. Kjo është edhe udha për t’u dhënë fëmijëve edukim e dinjitet, theksoi Papa.

 Së fundi, Ati i Shenjtë falënderoi drejtorin e Qendrës, don Peter e të gjithë salezianët, të cilët i inkurajoi të ecin në këtë rrugë, pasi duke takuar të mënjanuarit e kësaj bote, do të takojnë Jezu Krishtin.

14 shtator 2021, 16:43