Kërko

Takimi i Papës Françesku me jezuitët sllovakë Takimi i Papës Françesku me jezuitët sllovakë

Papa: liria dhe ndryshimet shkaktojnë frikë, na shpëton afërsia me Popullin e Zotit

Frika nga liria, rreziqet për të mos ndjekur si duhet jetën konkrete të njerëzve, stili i afërsisë me Popullin e Zotit: rreth këtyre argumenteve shtjellohet biseda e Papës Françesku me jezuitët sllovakë, gjatë udhëtimit të tij të fundit në vend, botuar sot nga revista e jezuitëve “La Civiltà Cattolica”

R.SH. - Vatikan

Atmosferë e përzemërt e familjare: kjo i karakterizon takimet e Papës Françesku me sivëllezërit e tij jezuitë, gjatë udhëtimeve apostolike. Kështu ndodhi edhe në Sllovaki, kur më 12 shtator, Ati i Shenjtë gjeti një orë e gjysmë për jezuitët, në nunciaturën apostolike të Bratislavës. Biseda e tij me ta botohet sot në revistën e njohur “La Civiltà Cattolica”.

Operacioni e shëndeti

Papa Françesku flet me jezuitët hapur e që në fillim, kur e pyesin për shëndetin, pas operacionit në spitalin Gemelli, ai përgjigjet me ironi: “Jam akoma gjallë. Pavarësisht se ndokush me deshi të vdekur”. Madje, tregon se e di që ka pasur “edhe takime ndërmjet prelatëve, të cilët mendonin se Papa ishte më keq nga sa thuhej. Përgatisnin Konklavin”. E për operacionin, kujton sërish se qe një infermier, i cili e bindi të shkonte në spital.

Stili baritor i afërsisë

Nga shëndeti, biseda kalon në baritorinë e Urdhërit. Ati i Shenjtë u këshillon jezuitëve katër lloj afërsish për punën e tyre në Sllovaki: afërsinë me sivëllezërit, afërsinë me ipeshkvin dhe me Papën - me të cilët duhet folur drejtpërdrejt e jo pas shpine, nënvizon – si edhe afërsinë me Popullin e Zotit. Sipas Françeskut, “gjëja më e bukur, që një Papë u ka thënë jezuitëve” është fjalimi i shën Palit VI për Kongregatën e 32-të të Përgjithshme të tyre. Atëherë, Papa u pati vënë në dukje se ku ka kryqëzime rrugësh, aty i gjen edhe jezuitët. “Krijojmë probleme – vërejti Bergoglio. – Por, ajo që na shpëton nga rënia në ideologji të marra është afërsia me Popullin e Zotit”.

Frika nga kryqëzimet e udhëve

Duke iu përgjigjur një pyetjeje, Papa ndalet në vuajtjet e Kishës në këtë periudhë, në “tundimin për t’u kthyer mbrapsht”. E quan “ideologji, që kolonizon mendjet”. Jo problem universal, por specifik për Kishat e disa vendeve. “Në një botë kaq të kushtëzuar nga varësitë dhe virtualiteti, kemi frikë të jemi të lirë”, vëren Françesku, duke kujtuar se foli për këtë në takimin e tij të parë publik në Bratislavë, duke iu referuar inkuizitorit të madh të Dostojevskit. Kemi frikë, për shembull, vëren Papa, duke menduar për punën e bërë gjatë Sinodit mbi familjen, “të sqarojmë se çiftet në martesën e tyre të dytë nuk janë që tani të dënuara për në ferr”. “Na tremb t’i shoqërojmë njerëzit e ndryshëm seksualisht. Kemi frikë nga kryqëzimet e udhëve, për të cilat fliste Pali VI”. “Kjo - shpjegon - është e keqja e kësaj periudhe. Kërkohet udha në ngurtësi dhe në klerikalizëm, dy perversione”.

Për Papën, Zoti i kërkon sot Shoqërisë së Jezusit të jetë e lirë, gjithnjë në lutje e shoshitje të vazhdueshme. Nuk është “lavd për pakujdesinë”, e shpjegon qëndrimin e tij Ati i Shenjtë, por “kthimi mbrapsht nuk është rruga e drejtë”; duhet ecur përpara “me shoshitje e bindje”. E Papa jezuit propozon për këtë Ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit.

Ideologjia gjinore është e rrezikshme

Një nga pyetjet kishte të bënte me kolonizimet ideologjikë e me ideologjinë gjinore. “Ideologjia – pohon Papa – të josh gjithnjë djallëzisht, sepse nuk është e mishëruar”. Sot, jetojmë në qytetërimin e ideologjive, të cilat duhet t’i hedhim poshtë nga rrënjët. Ati i Shenjtë nënvizon se ideologjia gjinore apo “gender” është e rrezikshme. “Siç e shoh unë – vëren – ajo është abstrakte në krahasim me jetën konkrete të njeriut, sikur ky të vendosë në mënyrë abstrakte, sipas qejfit, nëse e kur të jetë burrë a grua. Abstraksioni është problem sipas meje”, thekson Papa, por vë në dukje edhe se “kjo s’ka të bëjë aspak me çështjen homoseksuale”. Kisha është në gjendje ta shoqërojë një çift homoseksual nga pikëpamja baritore, “të ecë përpara drejt takimit me Krishtin”.

Preferoj të predikoj

Përsa i përket dialogut me hebrenjtë, Ati i Shenjtë kërkon të shmanget prishja e tij, “për shkak të keqkuptimeve, siç ndodh nganjëherë”. E pastaj, i përgjigjet pyetjes se si i përballon njerëzit, të cilët e shohin me dyshim. Ka një televizion katolik, tregon Papa, që flet vazhdimisht keq për të. “Personalisht – vëren – mund edhe t’i meritoj sulmet e fyerjet, sepse jam mëkatar, por Kisha nuk i meriton: kjo është vepër e djallit”. Papa pranon se nganjëherë e humb durimin me ata klerikë, që bëjnë komente negative, sidomos me ata, që gjykojnë, pa hyrë në dialog të vërtetë me të. Megjithatë, vijon udhën, pa hyrë “në botën e tyre të ideve e fantazive”. “Preferoj të predikoj”, thotë. Kujton edhe disa, që e akuzojnë se nuk shkruan për shenjtërinë, se është “komunist”, por “kam shkruar një Nxitje Apostolike për shenjtërinë e jetës, Nxitjen ‘Gaudete et Exsultate’”, vëren Papa.

Vendimi për vetus ordo

Pastaj, ndalet në vendimin e tij për të mos lejuar kremtimin e meshës në ritin e lashtë (vetus ordo), në mënyrë automatike, por duke marrë leje e me disa rregulla, që respektojnë “qëllimet e vërteta të Benediktit XVI dhe Gjon Palit II”, të cilët e patën vendosur. Ky ishte rezultat i këshillimit me gjithë ipeshkvijtë e botës, nënvizon Papa, i cili tregon historinë e dy meshtarëve të saposhuguruar, që shkojnë tek një kardinal, duke i kërkuar të studiojnë latinishten për të kremtuar si duhet. Papa kujton fjalët me të cilat kardinali iu përgjigj atyre, me një “farë humori”, duke i nxitur të studiojnë së pari spanjishten e pastaj vietnamishten, meqë ato gjuhë flisnin besimtarët e asaj dioqeze. “Unë eci përpara - shpjegon Françesku - jo sepse dua të bëj revolucion. Unë bëj atë, që mendoj se duhet ta bëj. Duhet shumë durim, lutje dhe shumë dashuri”.

Të kuptohen shkaqet e migrimeve

Së fundi, emigracioni. Papa thekson se emigrantët jo vetëm duhen mirëpritur, por edhe duhen mbrojtur, promovuar dhe integruar. Gjithashtu, duhen kuptuar plotësisht shkaqet e fenomenit, të kuptohet çfarë ndodh në Mesdhe dhe cilat janë “lojërat e fuqive, që e duan atë det për kontroll dhe dominim”.

21 shtator 2021, 15:40