Kërko

Papa të rinjve sllovakë: revolucioni i vërtetë është të rebelohesh kundër kulturës së përkohshme

Gjatë takimit me të rinjtë, mbajtur në Stadiumin Lokomotiva të Košices, Papa foli për kuptimin e dashurisë së çifitit e, sidomos, të Sakramentit të Rrëfimit. E u dha të rinjve këshilla me vlerë për jetën e tyre. Vijoi pastaj shtegtimin drejt Bratislavës.

R. SH. - Vatikan

Gjatë takimit me të rinjtë, mbajtur në Stadiumin Lokomotiva të Košices, që zë 10.000 vetë, Papa foli kryesisht për kuptimin e dashurisë së çifitit e, sidomos, të Sakramentit të Rrëfimit. E u dha të rinjve këshilla me vlerë për jetën e tyre. U fol edhe për të Lumen Anna Kolesárova, e re sllovake, e vrarë gjatë Luftës II Botërore nga një ushtar sovjetik, sepse mbrojti pastrinë virgjërore. Vasha, e lumnuar po në këtë stadium, më 1 shtator  2018, na kujton shenjtoren italiane Maria Goretti e të Lumen shqiptare, Maria Tuci.

Papën e priti drejtuesi i baritorisë rinore dhe dy të rinj, që i dhuruan lule, ndërsa stadiumi buçiste nga këngët, shprehje e gëzimit për këtë takim të jashtëzakonshëm e të paharrueshëm. Pas përshëndetjes së shkurtër  të kryeipeshkvit të Košices, u ndoq dëshmia e tre të rinjve, pasuar nga fjala e Papës.

Bisedë për dashurinë

Pati formën e një bisede të ngrohtë, takimi i Papës me të rinjtë, përqendruar mbi ndjenjën më të fisme njerëzore: “Dashurinë”. E herë pas here fjala papnore u shndërrua në një lirikë delikate, si vetë ndjenja për të cilën fliste! Duke iu përgjigjur pyetjeve të të rinjve, Françesku foli kryesisht për kuptimin e dashurisë së çifitit e, sidomos, të rrëfimit. E u dha të rinjve këshilla  me vlerë për jetën e tyre.

Takimi nisi pikërisht me pyetjen e të rinjve Peter e Zuzka, mbi dashurinë e çiftit. Pasuar nga përgjigjja e Françeskut: “Dashuria, ëndrra më e madhe e jetës, nuk mund të shpjegohet lehtë. Sepse tejet e ndërlikuar. Në të gjitha  historitë e mëdha të dashurisë ka një mori elementesh: dashuri, aventurë, heroizëm….”.

“Ta shikojmë Jezusin - i ftoi të rinjtë Papa - ta shikojmë të Kryqëzuarin! Në të i gjejmë të dy elementet kryesore: dashurinë e pakufishme e guximin për të dhënë jetën deri në fund të fundit, pa asnjë lëkundje. Kemi këtu, para nesh, të Lumen Anna,  heroinë e dashurisë. Na fton të shikojmë lart! - vijoi Papa - për t’u drejtuar të rinjve, që e rrethonin, ftesën: “Ju lutem të mos ëndërrojmë t’i kalojmë ditët e jetës si seri telenovelash!”. Prandaj, kur ta ëndërroni dashurinë, mos besoni në efekte të veçanta: besoni se secili prej jush është i veçantë! Është dhuratë. Ëndërroni bukurinë, që nuk e përfill dukjen as modën. Ëndërroni të formoni familjen, të lindni e të rrisni fëmijë, ta kaloni jetën duke ndarë gjithçka me tjetrin, që ju do ashtu si jeni! E ëndrrat e mëdha nuk janë auto e rrallë, nuk janë fustane mode, as pushime, që nuk përfillin asnjë rregull! Nuk jetohet ulur në bankë, si rezervë e tjetrit! Nuk jemi bërë në seri. Jemi  të pashoq e të lirë, e jemi në botë për të jetuar një histori dashurie me Zotin e për të përballuar rrezikun e mrekullueshëm të rënies në dashuri me njeriun!

Një këshill, të dashuruarve nga Papa

Dua t’ju jap edhe një këshill - vijoi Papa - që dashuria të sjellë fryte, mos i harroni rrënjët! E cilat janë rrënjët tuaja? Prindërit, e sidomos gjyshërit.  Shkoni, bisedoni me ta,  pyetini, dëgjojini historitë e tyre - ishte këshilla e Papës. Sot ka rrezik të rriteni pa rrënjë, sepse vrapohet gjithë ditën e lume,  e bëhet gjithçka me nxitim! Çka shikojmë në internet mund të na arrijë menjëherë në shtëpi: mjafton një clic! Plot me mesazhe virtuale, rrezikohemi t’i humbasim rrënjët e vërteta! Të shkëputesh nga jeta, të fantazosh në boshllëk nuk bën mirë; është tundim i shejtanit. Zoti na do të mbjellë thellë në tokë, të lidhur me jetën, kurrë të mbyllur, gjithnjë zemërhapur për të gjithë!

Rrëfimi, ilaç që të ngre rishtas në këmbë

Më pas Papa u ndalua tek përgjigjja e pyetjes delikate, që ia drejtoi një e re me emrin Petra: “Kur ndjehemi keq, ç’të bëjmë?”. E kemi një ilaç të pagabueshëm - gjegji Papa - që na ngre përsëri në këmbë: Rrëfimin! Nëse unë ju pyes “çka mendoni kur shkoni  të rrëfeheni? - jam i sigurt se përgjigjja do të jetë. “Për mëkatet!”. Po, ju pyes, thua mëkatet janë në qendër të Rrëfimit? Zoti dëshiron t’i afrohesh Atij duke menduar për veten, për mëkatet tuaja, apo për Të? Nuk shkohet në rrëfyestore si të dënuar, që duhet të poshtërohen, po si bij që vrapojnë të marrin përqafimin e Atit. E Ati ua fal çdo mëkat!

Më pas, një këshill: “Pas çdo rrëfimi rrini një çast e kujtoni faljen që fituat! E kur të shkoni rishtas, kujtoni se po shkoni për të marrë përsëri pëqafimin, që ju pati bërë aq mirë!”.

T’ia japim Zotit  vendin e parë në Rrëfim

Më pas Papa u dha të rinjve një këshllil me vlerë jetike: “Pas çdo rrëfimi,  ndaluni një çast e kujtoni ndjesën, që fituat. Ruajeni në zemër këtë paqe, këtë liri, që ju fashit shpirtin. Jo mëkatet, që nuk janë më, po faljen që jua dhuroi Zoti. Këtë ruajeni! Mos lejoni t’jua rrëmbejnë! E sa herë të shkoni në rrëfyestore, kujtojuni se po shkoni te Jezusi, që ju do e ju shëron. T’ia japim Zotit vendin e parë në Rrëfim. Nëse është Ai protagonist, gjithçka bëhet  e bukur e  vetë Rrëfimi, sakrament i gëzimit!

Zoti të do pikërisht atje, ku ti turpërohesh

Në vijim Papa kujtoi edhe vështirësitë, që mund të hasin të rinjtë, para se të nisen drejt rrëfyestores. Po - kujtoi në vijim - ndonjëri nga ju mund të thotë: “Unë nuk mund ta përballoj turpin që ndjej, kur mendoj të shkoj e të rrëfehem”. Nëse ti turpërohesh,  do të thotë se e pranon atë që bëre. Turpi është shenjë e mirë. Po  ti  mos rri i burgour në turpin tënd, sepse Zoti nuk turpërohet kurrë nga ti.  Ai të do pikërisht kur të vjen turp nga vetvetja. E të do gjithnjë! Po ti mund të thuash: “Unë nuk mund ta fali veten, e si mund të më falë Zoti, kur bie gjithnjë në të njëjtat mëkate?”  Mos e harro kurrë: “Zoti vuan, kur ne mendojmë se nuk mund të na falë. Ndërsa gëzohet, kur falë gjithnjë”.

Në përfundim, Papa iu përgjigj pyetjeve të Petrit e të Lenkës,  të rinj që provuan në jetë barrën e kryqit, duke dhënë edhe dëshmi për këtë. Më pyesni – u tha - “si mund të inkurajohen të rinjtë ta rrokin pa frikë kryqin?”. Ta rrokësh! Folje e bukur. Rrokja të ndihmon ta mposhtësh frikën. Kur jemi të rrokur a të përqafuar, rifitojmë besimin në vetvete e në jetën. Atëhere ta lëmë Krishtin të na rrokë! Sepse kur rrokim Krishtin, kemi rrokur shpresën! Kemi rrokur dashurinë,  që e shndërron dhimbjen. Dhimbja nuk shpëton askënd. Është dashuria ajo, që e shndërron dhimbjen. Po ta rrokësh Jezusin, gëzimi rilind. E gëzimi i Jezusit e shndërron dhimbjen në paqe.

Kjo, përgjigja e Papës, i cili i uroi të rinjtë ta ndjejnë këtë gëzim, që është më i fortë se çdo gjë tjetër. E, në përfundim, i ftoi t’ua çojnë edhe miqve. Jo predikime, po gëzim! Jo fjalë, po buzëqeshje, afërsi vëllazërore.

Papa e përfundoi këtë bisedë të përzemërt, tejet lirike jo si predikim, po si shprehje e dashurisë së madhe që ndjen për të rinjtë, me  një falënderim të ngrohtë, në gjuhën e tyre: “Ďakujem!” - “Faleminderit”.

Duartrokitjet tundën stadimin, pasuar nga kënga rinore, me të cilën të rinjtë e përcollën Atin e Shenjtë, që u nis për në Bratislavë.

14 shtator 2021, 11:50