Kërko

Thirrje e fuqishme e Papës për Afganistanin: lutje e agjërim

Në lutjen e Engjëllit Françesku u kërkoi gjithë të krishterëve gjeste solidariteti për civilët e Afganistanit, posaçërisht për gratë e fëmijët, viktima të dhunës e të atentateve të këtyre ditëve. “Të vijohet ndihma e edhe lutja, që dialogu e solidariteti t’i prijnë këtij populli të plagosur rëndë, drejt bashkëjetesës paqësore e vëllazërore.

R.SH. - Vatikan

Françesku ndjek me shqetësim të thellë situatën në Afganistan dhe shpreh dhimbjen për viktimat e sulmeve të së enjtes së kaluar:

“Marr pjesë në vuajtjen e atyre që qajnë për njerëzit, të cilët humbën jetën  në sulmet vrasëse të së enjtes së kaluar si dhe atyre, që  kërkojnë ndihmë e mbrojtje. Ia besoj mëshirës së Zotit të Gjithëpushtetshëm të vdekurit, falënderoj ata që përpiqen për ta ndihmuar këtë popullatë kaq të vuajtur, e posaçërisht gratë e fëmijët”.

Françesku i kërkoi mbarë botës të mos i lëshojë dore nevojtarët e të luten që dialogu e solidariteti të mund të sigurojnë përsëri bashkëjetesën paqësore e vëllazërore e t’i japin vendit shpresë për të ardhmen.

Në një çast si ky – shtoi Papa -  nuk mund të qëndrojmë indiferentê:

“Historia e Kishës na e mëson këtë, si të krishterë që jemi, e kjo situatë  na angazhon; prej këndej, i drejtoj thirrjen time të gjithëve, që të luten shumë e të praktikojnë agjërimin. Lutje e agjërim, lutje e pendesë, ky është çasti kur duhen bërë! Po flas seriozisht: të lutemi shumë e të praktikojmë agjërimin, duke i lypur Zotit mëshirë e ndjesë”.

Në vend,  tejet i lartë  rreziku i sulmeve të reja

Alarmi për atentate të reja në vend mbetet tejet i lartë, ndërsa SHBA-të  vijojnë vrapin kundër kohës, për tërheqjen e personelit nga vendi brenda 30 gushtit. Kërcënimi është i besueshëm, sipas Washingtonit, që nuk e përjashton mundësinë e atentateve terroriste edhe në trojet e SHBA-ve.  Ambasada amerikane në Kabul i fton bashkatdhetarët të largohen nga vendi e edhe nga zona rreth aeroportit të Kabulit, sepse pikërisht aty pritet një sulm i ri brenda 24/36 orëve të ardhshme. Sulmi amerikan kundër Isis-it në të cilin gjetën vdekjen dy militantë, prej të cilëve, “njëra nga mendjet" e atentatit, nuk është i fundmi - kujton presidenti amerikan, ndërsa talebanët e quajnë atë “sulm i qartë kundër Afganistanit”. Ura ajrore italiane dhe ajo britanike tashmë janë mbyllur. Afganët nuk lejohen më as t’i afrohen aeroportit. E rreth bankomateve ku ka turma të mëdha civilësh në radhë, po kërcet dajaku i talebanëve. Mbrëmë u nis Raf-i i fundit, me të cilin u mbyll, pas 20 vjetësh, edhe misioni i Mbretërisë së Bashkuar në këtë vend.

Javën e ardhshme do të jepet njoftimi për  qeverinë e re - deklarojnë talebanët - të cilët ndërkaq kanë ndëprerë të gjitha rrjetet e internetit e të telekomunikimit në provincën e veri-lindjes së Panshirit, një nga zonat që, së bashku me atë të Baghlan, nuk kontrollohet prej tyre, por prej burrave të rezistencës. Ndërkaq 300 mijë fëmijë të shpërngulur kanë mbetur rrugash, pa asnjë ndihmë. Në vend nuk flitet për gjë tjetër, veçse për vrasje e plagosje. Kjo quhet jetë sot në Afganistan. Jetë që mund të shuhet nga çasti në çast. Ndaj ka nevojë për ndihma të të gjitha llojeve, posaçërisht për lutje e agjërim.

29 gusht 2021, 13:59

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >