Kërko

Martiret e Kishes katolike ne Shqiperi Martiret e Kishes katolike ne Shqiperi

“Takim me martirët”: i Lumi dom Marin Shkurti, martir

I Lumi dom Marin Shkurti u pushkatua nga regjimi komunist më 1 prill 1969, në moshën 36-vjeçare, te Zalli Kirit në Shkodër, për besnikërinë e tij ndaj Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, sot nё pjesën e 16-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit  dom Dom Marin Shkurti, meshtar e martir. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona...

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona

N. 16  "TAKIM ME MARTIRET": I LUMI DOM MARIN SHKURTI, MARTIR 

I lumi martir i krishterimit dom Marin Shkurti lindi në Samrish të Dajçit të Bregut Bunës më 1 tetor 1933. Dom Marini e përjetoi thirrjen e tij meshtarake pikërisht atëherë kur regjimi komunist e kishte konsoliduar pushtetin e tij në Shqipëri dhe persekutimi i klerik katolik ishte i pandalshëm, sepse ky regjim “popullor” e konsideronte luftën kundër besimit fetar të nevojshme për çlirimin shoqëror në përgjithësi. Por kjo situatë nuk e tkurri djaloshin e ri, përkundrazi, këta shembuj martirësh e forcuan edhe më shumë thirrjen e tij dhe qëndrueshmërinë e tij për ta bërë këtë thirrje realitet.

U rrit në një familje ku praktika e jetës së krishterë ishte rregull jete dhe lutja e rruzares familjarisht në darkë ishte diçka e përditshme. Qysh fëmijë ishte i dashur, i qetë, i qeshur, punëtor dhe kishte rezultate të mira në shkollë. Gjithashtu, në katekizëm shkonte me shumë dëshirë. Pra, dom Marini u rrit në këtë klimë e mjedis terrori, ku varfëria shtohej e të drejtat e njeriut eliminoheshin. Shkoi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak e, pasi u kthye, në moshën 24-vjeçare, në vitin 1957, u angazhua me vëllezërit në punën në ara. I vëllai, Jaku, dëshmon se frymëzuesi i tij i thirrjes meshtarake ishte i ati, Kola, i cili vdiq rreth dy vjet pas shugurimit meshtarak të dom Marinit.

Në vitin 1957, sipas ligjit të regjimit, ai kërkoi lejen për t’u bërë meshtar. Sapo e mori lejen, drejtuesit e Partisë të rrethit të Shkodrës, Mëhill Doçi, Bilal Parruca e të tjerë, u përpoqën t’ia ndryshonin mendjen duke i bërë propozime të tjera, si p.sh., të studionte jashtë në ndonjë shtet komunist, apo të tjera variante. Kur e panë vendosmërinë e tij, njëri nga ata i tha: “Nuk do ta gëzosh meshtarinë”. Marini iu përgjigj: “Edhe nëse do ta jetoja për tri ditë, më mjaftojnë. Do të jetë gëzimi im më i madh”. Meqenëse seminaret ishin mbyllur nga qeveria, atëherë i vazhdoi përgatitjet privatisht, me dom Dedë Malajn, Dom Pjetër Grudën e më pas në arqipeshkvi në Shkodër. Ditën e festës të Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetor të vitit 1961, shugurohet meshtar bashkë me të lumin dom Mikel Beltojën nga ipeshkvi, Imzot Ernest Çoba. I saposhuguruar, 28 vjeç, u dërgua famullitar në Stajkë, ku u përkushtua me angazhim e zell për ta zhvilluar detyrën e besuar. Iu dhurua të gjithëve pa kursim. Gjithashtu deri në vitin 1966 shërbeu edhe zonat e Plezhës, Mjedës e Vaut të Dejës. Më pas, ipeshkvi e emëroi në Bërdicë dhe Trush, por me këmbënguljen e besimtarëve të Stajkës “u detyrua” ta lërë në Stajkë.

Situata u bë e pamëshirshme kur Enver Hoxha, më 6 shkurt 1967, e shpalli Shqipërinë vend ateist. Dom Marinit iu desh të ndahej nga famullia e të kthehej në Samrish. Geg Palushi kujton ato momente të fundit me besimtarët që kishin shkuar ta shoqëronin, të cilëve dom Marini iu porositi të luteshin, duke u thënë: “Edhe pse jemi në këtë gjendje të errët, Ai di gjithçka, prandaj qëndroni besnikë.”; si edhe iu la detyrën që t’i pagëzonin fëmijët në shtëpi duke u derdhur ujë në kokë e duke thënë formulën e pagëzimit.

Në Samrish iu rikthye punës në arë, jo më në atë të familjes, por të shtetit, në kooperativë. Rrok Gavoçi dëshmon se: “Pas mbylljes së kishave, dom Marini vazhdonte t’i takonte besimtarët e Stajkës kur shkonin në pazar në Shkodër.” “Një herë - dëshmon Rroku - isha i pranishëm kur njëri prej besimtarëve i tha që të mos lëvizte shumë sepse kontrollohej vazhdimisht”, por ai iu përgjigj: “Nuk mund të më bëjnë asgjë. Edhe po më zhdukën, nuk kam frikë nga vdekja. Derisa të rroj, do të vazhdoj ta bëj detyrën time”. E gjithë familja e tij klasifikohej si reaksionare edhe për faktin që kishte një meshtar në mesin e saj.

Në vjeshtën e viti 1968 familjarët morën vesh nga disa të afërm se po përgatiteshin për t’i arrestuar e atëherë ata morën vendimin të largohen në Jugosllavi duke kaluar nëpër Bunë. Natën e 14 nëntorit e gjithë familja prej 15 vetash edhe me një fëmijë në djep dolën në Malin e Zi. Dom Marini u detyrua të ndiqte familjen. Aty u paraqitën si refugjatë politikë dhe i strehuan në një hotel në Ulqin. Por më 26 nëntor pabesisht i kthyen në Shqipëri në pikën e Muriqanit. Pasi i prangosën dhe i keqtrajtuan, i dërguan të gjithë në Degën e Brendshme në Shkodër, ku për rreth pesë muaj iu nënshtruan torturave.

Dom Marini, përveçse i lidhur këmbësh e duarsh, i kishin vendosur edhe një helmetë në kokë. Dy ditë pas arrestimit, të lidhur me tel me gjemba i çuan në malin Kolaj, Velipojë, për t’i poshtëruar përpara turmës së njerëzve që i kishin shtyrë të vinin aty. Në mbarim të gjyqit mbajtur në Shkodër u dënuan të gjithë të rriturit. Vëllai i madh, Ndreka, u dënua me vdekje, më pas iu ndryshua dënimi në 25 vjet burg. E shoqja e tij u dënua me 10 vjet burg, ndërsa djali tyre 16-vjeçar, Lazri, me 6 vjet burg. Vëllai, Jaku, u dënua me 25 vjet burg, ndërsa e shoqja e tij me 10 vjet burg. Nëna e tyre u dënua me 10 vjet burg e më pas u lirua me kusht. Vetëm një kunatë u la e lirë për t’u kujdesur për të gjithë fëmijët e familjes.

Dom Marini u dënua me vdekje me pushkatim, me shtetëzim të pasurisë dhe heqje të të drejtave elektorale për 5 vjet. Nuk është e pavend të vihen në dukje jo pak mospërputhje në vendim, si “shtetëzim i pasurisë”. Cila pasuri, nëse gjithçka ishte shtetëzuar? “Heqja e të drejtave elektorale për 5 vjet”. Por, nëse pushkatohej, për çfarë shërbente kjo e drejtë elektorale?

Jaku, vëllai i dom Marinit, dëshmon se: “Mbas dëgjimit të vendimit, i thashë dom Marinit që do t’ia kisha marrë gjakun. Por ai më tha: “Jo, jo, përkundrazi ju më falni mua për të gjithë të keqen që ju kam shkaktuar, por mos i bëni asnjë të keqe askujt dhe nuk keni për t’u hakmarrë”. Edhe pse dom Marini nuk ishte as ideatori, as nismëtari, as shtytësi i asaj ikjeje të familjes, më 1 prill 1969, në moshën 36-vjeçare u pushkatua te Zalli Kirit në Shkodër, për besnikërinë e tij ndaj Krishtit.

Komunistët çuan deri në fund “premtimin” që i kishin bërë se “nuk do ta gëzonte meshtarinë” dhe u kujdesën që të mos merrej vesh as ku ishte varrosur. Por ata nuk e dinin që Mesha e fundit e dom Marinit përkoi pikërisht me kremtimin e flijimit të tij të bërë vetëm për Krishtin, me Krishtin dhe në Krishtin.  Ky djalosh i ri që pati vendosmërinë t’i hyjë rrugës së meshtarisë pikërisht atëherë kur meshtarët po pushkatoheshin e burgoseshin, po të njëjtën kurajë e pati edhe për t’iu bashkuar gjithë asaj turme shenjtërish e martirësh “që erdhën nga prova e madhe e i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit”.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Marin Shkurti, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

22 gusht 2021, 12:53