Kërko

Papa: vaksinimi është vepër dashurie

Në një videomesazh për popullsitë e Amerikës Latine, Papa Françesku i fton të gjithë të vaksinohen kundër koronavirusit: një gjest i thjeshtë, por i rëndësishëm, për një të ardhme më të mirë. I bëjnë jehonë ipeshkvijtë nga veriu në jug të kontinentit: duhet të jemi përgjegjës për të mirën e përbashkët, sepse jemi një familje e vetme

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku thekson shpesh se shëndeti është e drejtë e secilit e duhet mbrojtur. E, vazhdimisht, fjalët i pason me gjeste konkrete ndihme, duke dërguar materiale shëndetësore e fonde, veçanërisht për vendet më të prekura nga pandemia, të cilat kanë më pak mjete në dispozicion. Në fund të majit, për shembull, në Vatikan përfundoi vaksinimi i 300 të varfërve. E Ati i Shenjtë e ka ngritur zërin edhe për pezullimin e patentave të kompanive farmaceutike, pasi imunizimi kundër Covid-19 bëhet për të mirën e përbashkët universale. Sot, Papa i kthehet temës së vaksinimit me një videomesazh drejtuar popullsive të Amerikës Latine, të cilat i fton të vaksinohen e ta konsiderojnë këtë si përgjegjësi për ta përballuar pandeminë së bashku me gjithë botën.

Ftesë për të bashkëpunuar

         “Me frymë vëllazërore, bashkohem me këtë mesazh shprese për një të ardhme më të ndritur. Falë Zotit dhe punës së shumë njerëzve, sot ne kemi vaksina, që na mbrojnë nga Covid-19. Ato na japin shpresën se do t’i japim fund pandemisë, por vetëm nëse janë në dispozicion për të gjithë dhe nëse bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”.

Dashuria është edhe shoqërore e politike

         Papa i fton popullsitë ta konsiderojnë dashurinë si një prizëm, që reflekton dritën e gjesteve, të cilat mund të duken të vogla, por kanë ndikim universal:

“Vaksinimi, me vaksina të autorizuara nga autoritetet kompetente, është vepër dashurie. E të kontribuosh për të vaksinuar shumicën e njerëzve do të thotë të bësh një vepër dashurie. Dashuri për veten, dashuri për familjen dhe miqtë, dashuri për të gjithë popujt. Dashuria është edhe shoqërore dhe politike, ka dashuri shoqërore dhe dashuri politike, ajo është universale, gjithnjë e mbushur plot me gjeste të vogla bamirësie personale, në gjendje t’i shndërrojnë dhe t’i përmirësojnë shoqëritë”.

Gjest i thjeshtë, por i thellë

         Falënderimet dhe bekimet e Papës Françesku ndërthuren me ftesën për të bashkëpunuar për një të ardhme më të mirë, pikërisht përmes këtij gjesti të thjeshtë, por të rëndësishëm:

“Vaksinimi është një mënyrë e thjeshtë, por e thellë, për të promovuar të mirën e përbashkët dhe për t’u kujdesur për njëri -tjetrin, veçanërisht për më të brishtët. I lutem Zotit që secili të mund të kontribuojë me kokrrën e tij të vogël të rërës, me gjestin e tij të vogël të dashurisë. Sado e vogël të jetë, dashuria është gjithmonë e madhe. Kontribuoni me këto gjeste të vogla për një të ardhme më të mirë”.

Thirrjet e përbashkëta të ipeshkvijve latinoamerikanë

         Thirrjes së Papës i bëjnë jehonë edhe ipeshkvijtë e Amerikës Latine, të cilët unanimisht theksojnë nevojën e vaksinimit kundër koronavirusit. Kujtojmë se Amerika Latine dhe Karaibet janë rajoni ku koronavirusi ka shkaktuar numrin më të madh të viktimave në botë. Që nga shpërthimi i pandemisë, në mars 2020, numri i të infektuarve e ka kaluar 40 milionëshin, ndërsa numri i të vdekurve e ka kapërcyer prej kohësh 1 milion e 300 mijëshin. E kjo, para se të përhapej varianti Delta i koronavirusit, i cili po shkakton probleme në të gjithë planetin.

18 gusht 2021, 10:35