Kërko

Të rinjtë e Mladfest në Medjugorje- Bosnjë- Hercegovinë Të rinjtë e Mladfest në Medjugorje- Bosnjë- Hercegovinë  

Papa, të rinjve të Medjugorjes: ndiqeni me guxim Krishtin!

Françesku u drejtohet me një mesazh, pjesëmarrësve të Mladifest, takim vjetor i lutjes, në vijim nga 1 deri më 6 gusht, në qytezën e Bosnjë-Hercegovinës. Duke ia besuar të rinjtë Marisë e duke u kujtuar atë “u bëftë vullndesa jote”, Papa i ftoi të besojnë në lumturinë e vërtetë, që buron kur ia dhuron jetën Zotit.

R. SH. - Vatikan

“Çfarë duhet të bëj, për të trashëguar jetën e pasosur?”. Fjalët e të riut të pasur, për të cilat flasin Ungjijtë sinoptikë, atij që “u vu për rrugë, a më mirë të themi, vrapoi për ta takuar sa më shpejt Zotin, për të pasur në trashëgim jetën e pasosur, domethënë, lumturinë”, janë temat udhëheqëse  e Festivalit të të rinjve, që vijon në Medjugorje deri më 6 gusht. Pjesëmarrësve u arriti përshëndetja dhe mesazhi i Papës, që e mori prej këtyre fjalëve  shtytjen  për t’u treguar menjëherë udhën. “Është një fjalë - shpjegoi - që na vë para Zotit: e Ai i ngul sytë e Tij mbi ne, na do e na fton: “Eja! Ndiqmë!”.

Rast për të takuar Jezusin

Mladdifest - u kujtoi të gjithëve Papa - është “javë lutjeje e takimi me Jezu Krishtin, posaçërisht me fjalën e Tij të gjallë, në Eukaristi, në adhurim e në Sakramentin e Pajtimit, që ka forcën të të vërë për udhë drejt Zotit”. E atëhere ky i ri i Ungjillit, që nuk ia dimë as emrin, por ia njohim shpirtin, bëhet emblemë e gjithë atyre, që marrin pjesë në këtë ngjarje. Ai - kujtoi Papa - “i edukuar e i mirëmësuar, shtyhej nga një shqetësim shenjt, prandaj vihet për udhë. Për të gjetur lumturinë e vërtetë, jetën e përkryer. E në Jezusin gjen një mik “plot autoritet, të mirë, të besueshëm,  i cili e drejton kah Zoti, që është e  vetmja e mirë e pambaruar, nga gurron çdo e mirë tjetër”. Jeta e pasosur, e mira të cilën e dëshirojnë të gjithë, nuk është, natyrisht, pasuri materiale, që fitohet me forcat tua! Fitohet përmes disa etapave,  që Papa ua tregoi të rinjve.

Etapat drejt jetës së pasosur

Etapa e parë, që na e tregon vetë Jezusi, është “dashuria konkrete  për të afërmin”. E dyta, kalimi nga  logjika  e “meritës, në atë të dhurimit”.

“Nëse dëshiron të jesh i përkryer,  shko, shit çka ke, jepja të varfërve e do të kesh një thesar në qiell (Mt 19.21)”. Po Jezusi e ndryshon perspektivën; e fton të mos sigurojë jetën e pasosur, por të japë gjithçka në jetën tokësore, duke i ngjarë kështu vetë Zotit. ”Jezusi i kërkon të lërë çka e rëndon zemrën, çka  e pengon dashurinë, çka e pengon njeriun të jetë i lirë, i pasur me lidhje njerëzore".

Prej këndej, etapa e tretë, që propozon Jezusi është: “Eja e më ndjek!”. Ftesë, kjo, për të qenë dishepuj të Jezusit - që nuk do të thotë ta imitosh nga jashtë, “por të bëhesh si Ai”, duke marrë si dhuratë, “një jetë të lumtur, plot me vëllezër e motra, etër e nëna e bij”, siç na kujton Ungjilli:

“Ta ndjekësh Krishtin nuk është humbje, por fitim i pallogaritshëm. Po i riu i pasur e ka zemrën të ndarë ndërmjet dy zotërinjve. Zotit e parasë! Frika  se do t’i humbasë pasuritë e bën të rikthehet në shtëpi i trishtuar”.

E kjo,  ngaqë nuk e kuptoi se të lidhesh me Krishtin, do të thotë të jesh i lum. Prandaj duhet të thuash “po”, pa asnjë ngurrim, nëse dëshiron të gjesh lumturinë e vërtetë.

Maria, model për jetën e të gjithëve

Papa ia beson të rinjtë e pranishëm në Festival ndërmjetësisë amtare të Marisë, duke uruar që Ajo të jetë burim i forcës për ta shqiptuar  atë “ja ku jam”. Ashtu si Ajo, të përpiqemi - ftoi - për t’ia çuar Krishtin botës, të sigurt se kjo do të na bëjë të lum:

“Po, gëzimi i Ungjillit e mbush përplot zemrën  dhe  jetën  e atyre që takohen me Jezusin. Ata që e lënë t’i shpëtojë, çlirohen nga mëkati, nga trishtimi, nga boshllëku shpirtëror, nga izolimi. Me Jezu Krishtin gëzimi lind e rilind pambarimisht”.

02 gusht 2021, 14:44